Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti në “Top tema” në TV Telma ka folur për Kongresin e mbajtur më 9 maj, ku morën pjesë mysafirë të shumtë, mes tyre edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe ai i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas Mexhitit, edhe BDI ka pasur ftesë por nuk kanë marrë pjesë.
“Me praninë e dy kryeministrave u tregua se VLEN është faktor se mund të afrojë shtete, politika, popuj dhe ky aktivitet u shndërrua në Kongres rajonal. Ka pasur përfaqësues edhe nga VMRO-DPMNE, LSDM, PLD, nga Ziadin Sela, ka pasur ftesë edhe BDI por nuk erdhi”, ka thënë Mexhiti.
Shqiptarët nga 2015 apo 2016, sipas tij, kanë votuar anti BDI dhe kërkuan ndryshime, por problemi ka qenë te opozita që nuk janë bashkuar.
“Ne këtë e lexuam mirë e bashkuam opozitën si koalicion, fituam në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale”, theksoi Mexhiti.
Ai shtoi se votuesi shqiptarë kërkoi që VLEN të bëhet një parti.
“Ata kërkuan që të jemi një si subjekt. Politika në esencë është kompromis, ky është një hap i madh nga pesë liderë në dy bashkëkryetarë, trupa të përbashkët. Kjo është çështje besimi”, ka thënë Mexhiti.


