Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka deklaruar se unifikimi i forcave politike shqiptare në këtë subjekt ishte një domosdoshmëri e kohës, duke e cilësuar këtë si fillim të një etape të re politike.
Një ditë para Kongresit të Bashkimit, Mexhiti theksoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë përballur vazhdimisht ose me monopol politik, ose me fragmentim në disa subjekte dhe fraksione, gjë që sipas tij ka ndikuar në dobësimin e përfaqësimit politik.
“Këtu nuk mbaron, VLEN do të jetë i hapur edhe për intelektualët e pavarur, do të jetë i hapur edhe për ekspertët e fushave të ndryshme, por do të jetë i hapur edhe për subjektet që për momentin nuk janë me BDI-në”, deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se struktura e re politike synon të funksionojë si platformë gjithëpërfshirëse, duke ftuar aktorë të profileve të ndryshme që të bashkohen në këtë projekt politik.
Burimi: alfax.mk


