​Mësimdhënësit ishin në mësim, dalja e nxënësve në shkolla ishte e paktë

min lexim

Disa nga shkollat fillore në Prishtinë kanë nisur këtë të shtunë kompensimin e orëve të humbura të mësimit për shkak të grevës në arsim, me vendim të Ministrisë së Arsimit.

Mirëpo në disa prej shkollave në kryeqytet që ishte paraparë të mbahej mësim, ka pasur mungesë të madhe të nxënësve, pasi prindërit kanë refuzuar vendimin e MASHT-it për t’i zëvendësuar orët mësimore në vikend.

Mimoza Krasniqi, drejtoreshë e shkollës fillore të mesme të ulët, “Ismail Qemali”, ka thënë  se pavarësisht se gjithë mësimdhënësit kanë qenë prezent për të mbajtur mësim, 75 për qind e nxënësve kanë munguar.

Krasniqi:Mësimdhënësit kanë qenë prezent, ndërsa numri i nxënësve ka qenë shumë i vogël

“Gjithë mësimdhënësit kanë qenë prezent, ndërsa numri i nxënësve ka qenë shumë i vogel, 75 për qind e nxënësve kanë munguar. Edhe në ndërrimin e pasdites të gjithë mësimdhënësit ishin prezent, porse edhe në këtë ndërrim nxënësit munguan. Ka klasa të cilat janë me numër të madh të nxënësve por në shumicën e klasave mungojnë nxënësit dhe për këtë arsyeje procesi nuk po funksionon në mënyrën më të mirë siç është planifikuar. Besoj se herave të tjera ka me pas një interesim më të madh të nxënësve për procesin mësimor”, tha ajo.

Ndërsa ka shtuar se është mbajtur procesi mësimor me ata nxënës që kanë qenë prezent, porse sipas saj prej klasës së parë deri te e katërta është një përqindje më e ulët.

KosovaPress ka qenë prezente edhe në shkollën fillore të mesme të ulët “Naim Frashër”, por edhe këtu pavarësisht që kanë qenë prezent mësimdhënësit, ka pas mungesë të madhe të nxënësve. Nga rreth 350 nxënës, 88 kanë qenë prezent.

Nga ana tjetër kryetari i Këshillit të Prindërve Jeton Demi e ka vlerësuar si të drejtë veprimin e prindërve që kanë refuzuar t’i dërgojnë fëmijët sot në shkollë.

Demi për kp tha se është mbingarkesë për fëmijët të vijojnë mësimin në vikend.

“Veprimi i sotëm i refuzimit të mësimit të shtunën e të shtunave të tjera është i konfirmuar nga mungesa në numër shumë të madh i fëmijëve në shkolla për shkak se prindërit kanë deklaruar edhe më herët këtë. Andaj edhe ne e kemi fuqizuar që përmes mësimit të shtunave mohohet e drejta e ligjore e fëmijëve për pushim, për aktivitetet e jashtë shkollore, sportive e kulturore, por edhe sjell dëme e aspak dobi. Dëmi që i bëhet procesit mësimor nga e shtuna me mësim është se fëmijët do të jenë të lodhur e të mërzitur nga mbingarkesa e pesë ditëve të javës”, tha ai.

Gjatë ditës SBASHK-u ka njoftuar se pasdite do t’i grumbullojnë raportet nga komunat dhe të shohin se sa është numri i shkollave apo mësimdhënësve që iu kanë përgjigjur kërkesës së MASHTI-t për të filluar me kompensimin orëve të humbura gjatë grevës së përgjithshme, muajin e kaluar.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Shqipëria konfirmon edhe 21 raste të reja me koronavirus

Story i radhës

“Shqiptari jetofsh në breza”/ Projekti që ndezi rrjetet i kënduar nga Aleksander Gjelaj

Të fundit nga