Mes Ruandës dhe Sirisë, mrekullia e Kosovës

min lexim

Kur shikon historinë e botës të tre dekadave të fundit, lufta e Kosovës qëndron veç të tjerash, mes tragjedisë së Ruandës dhe luftës në Siri.

Në Ruandë, e cila i parapriu luftës në Kosovë, një komunitet shfarosi një tjetër, duke lënë gati një milion të vrarë, pa asnjë ndëshkim. OKB-ja nuk ndërhyri dot, as forcat e kontinentit afrikan. SHBA-ja, e tronditur prej vrasjes së marinsave në Somali, nuk kishte dëshirë për një përfshirje tjetër në Afrikë. E gjithë bota qëndroi indiferente përballë masakrimit të një popullate të tërë.

Në Siri, një luftë që erdhi, shumë më vonë, pas luftës në Kosovë, u vranë qindra mijëra vetë, u dëbuan apo ikën nga vendi me miliona njerëz, armët kimike u përdorën pa kursyer civilët përfshi edhe mijëra fëmijë. Diktatori Asad, me ndihmën e Iranit dhe Rusisë masakroi popullatën e vendit të tij, duke çuar në radikalizimin e opozitës. Në batakun e krijuar lindi ISIS. Në një bashkëpunim të tërthortë mes dy forcave të të keqes, regjimit diktatorial dhe një shteti islamik mesjetar, çdo forcë demokratike u dhunua e u shkatërrua. Çdo komunitet që nuk pranoi njërën apo tjetrën ideologji vrastare u dënua me shfarosje.

Kjo vazhdon në ditët tona, kur bota nuk ndërhyn e kur ndërhyn e bën në mënyrë kaotike, plot kundërshtime.

Shifrat e këtyre dy katastrofave e bëjnë tragjedinë e Kosovës të duket e vogël gati e papërfillshme. Ruanda dhe Siria janë tragjedi masive dhe bien në sy. Tragjedi si ajo e Kosovës janë duke ndodhur shumë, e shpesh as që përmenden në median botërore. Në këtë shkrim jo e jo.

Shqiptarët nganjëherë harrojnë se sa me fat që ishin në fundin e shekullit 20, kur aleanca më e fuqishme ushtarake e botës erdhi në ndihmë të tyre në Kosovë, duke i dhënë fund një lufte të pabarabartë mes UÇK-së dhe regjimit diktatorial të Slobodan Millosheviçit.

Për fatin e mirë të Kosovës, luftës se saj nuk i parapriu drejtpërdrejt vrasja e marinsave në Somali, por tragjeditë prej mosndërhyrjes në Ruanda dhe në Srebrenicë.

Për fatin e saj të mirë, ajo ndodhi përpara 11 Shtatorit 2001, përpara luftës në Afganistan e Irak, që rrënuan përsëri entuziazmin amerikan për të shpëtuar popuj të tjerë në botë.

Nuk mund ta kuptosh tërësisht mrekullinë që ndodhi në Kosovë, në 1999, pa kuptuar sesi po të kishte qenë një kohë tjetër në histori, Kosova mund të ishte lënë që të mbytej në gjak e në gërmadha, në duart e një diktatori të çmendur, një regjimi gjakpirës militarist dhe një shoqërie të marrosur nga nacionalizmi ekstrem, me një kishë që për nga frymëzimi i përngjan një lloj Al Kaide të krishterë ortodokse.

Kjo nuk ka nevojë shumë për imagjinatë. Shqiptarët dhe Kosova ka qenë shumë shpesh në udhëkryqe historike dhe janë lënë të masakrohen nga fqinjët e tyre. Që nga Kosova e 1913-1914, te masakra dhe shpërngulja e Çamërisë, te masakra e Tivarit dhe e shqiptarëve të Maqedonisë etj. Ajo që mund të kishte ndodhur përsëri në vitet 1990, ka ndodhur vërtet për shqiptarët në epoka të tjera historike. Ka qenë ky skenar shumë i mundshëm tragjik që udhëhiqte politikën paqësore të Presidentit Rugova.

Në debatet politike të Kosovës, Rugova rrezikoi të kthehej nga hero në tradhtar, kur numri i atyre që mbështetën trimërinë e luftëtarëve të UÇK-së filloi të rritej në mënyrë progresive. Në fund, udhëheqësit që ishin skeptikë ndaj luftës së pabarabartë u ndodhën po aq afër vdekjes sa edhe ata që udhëhoqën luftën. Disa mund të thonë se njerëzit e paqes rrezikuan më shumë. Sigurisht, e dëshmuan këtë Fehmi Agani që humbi jetën në Prishtinë, në një kohë kur disa udhëheqës të luftës bënin deklarata nga Rogneri në Tiranë. Apo vetë Rugova që u mor peng e u dërgua në Beograd, në të njëjtën rrugë që serbët transportonin të burgosurit e tjerë politikë e trupat e civilëve të vrarë që ia fshihnin historisë.

Duke nisur luftën UÇK-ja nuk bëri ndonjë llogari politike. Nuk i studioi rrethanat botërore e historike. Sot u jemi shumë mirënjohës, udhëheqësve të paqes, që vonuan luftën deri në momentin e duhur dhe atyre të luftës që ia krisën pikërisht në kohën e duhur. Po që të jemi të ndershëm deri në fund, askush nuk mund të gjykonte me siguri se çfarë do të ndodhte. As shqiptarët e Amerikës që përkrahën Kosovën gjatë të gjitha fazave dhe ndikuan që vendimet e drejta të merreshin në Washington.

I meritojnë statujat dhe emrat e rrugëve, nga Lantos, te Dole, nga Engel te Clinton, nga LDK te UÇK, nga shqiptarët e Amerikës, te vetë populli i Kosovës, me qëndresën e tij heroike. Po një statujë shumë të madhe do të kishte merituar edhe fati e rastësia, e si do të thonë ata që besojnë, vullneti i Zotit, që gjithçka ndodhi atëherë kur ndodhi, mes ngjarjeve që do ta kishin penguar ndërhyrjen, në një moment kur gjithçka pushoi nëpër botë, si për t’i bërë vend mrekullisë së Kosovës. Aty, mes tmerreve të Ruandës dhe Sirisë, na buzëqeshi fati.

(Ruben Avxhiu – 12 qershor 2019)

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Vritet në Ukrainë një ish-ushtar nga Britania e Madhe

Story i radhës

Ukrainasit protestojnë para ambasadës ruse në Shkup

Të fundit nga