LDK ka siguruar më pak ulëse në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, krahasuar me ato të 9 shkurtit, por ka befasuar me përbërjen e re të grupit parlamentar, duke futur katër deputetë të rinj.
Grupit të të rinjve i prin Ukë Rugova, i biri i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, i cili u rendit i treti në listën e më të votuarve të LDK-së me 48.289 vota.
Në Kuvend nga radhët e LDK-së hynë gjithashtu Janina Ymeri, Adelina Thaqi Meta dhe Ermal Sadiku. Ndërkohë, befasi negative për partinë ishte moszgjedhja e Arben Gashit, deputet ky në disa legjislatura të kaluara.
Jashtë Kuvendit mbetën edhe disa ish-deputetë që kishin fituar mandat më 9 shkurt, përfshirë Alban Zogajn, Paris Gurin, Ekrem Hysenin, Krenar Xhaferin, Serbeze Mucajn, Hysen Çekajn dhe Arjeta Abazin.
Salihaj: Emrat e rinj që hyjnë papritmas në politikë, por që më heret nuk kanë qenë të sferës së politikës, zakonisht nuk kanë sjellë ndonjë vlerë të re

Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj vlerëson se hyrja e figurave të reja dhe pa përvojë në politikë shpesh nuk sjell vlera të reja, pasi mungesa e angazhimit dhe përvojës së mëhershme i bën ata më shumë numra sesa faktorë realë në Kuvend.
Ai thekson se elektorati në Kosovë shpesh zgjedh kandidatë të gabuar, të cilët përfundojnë si figurantë ose zhurmues në Kuvend.
“Emrat e rinj që hyjnë papritmas në politikë, por që më heret nuk kanë qenë të sferës së politikës, zakonisht nuk kanë sjellë ndonjë vlerë të re. Fakti se politika nuk ka qenë sferë e interesimit të tyre, si dhe mungesa e përvojës kanë qenë hendikep i madh që ata të japin ndonjë kontribut real. Ata më shumë janë numër se sa faktorë në Kuvend. Elektorati në Kosovë, shumë herë nuk di ta vlerësojë saktë një kandidat, kështu që zgjedh deputetë të gabueshëm, të cilët realisht luajnë rolin e figurantit ose të zhurmuesit në Kuvend”, thotë ai.
Sipas Salihajt, në Kosovë shpesh nuk votohet meritokracia, pasi intelektualë dhe figura me kontribut të madh mbesin pa vota, ndërsa në Kuvend hyjnë njerëz pa njohuri e qëndrime.
Ai shpreh keqardhje që figura si Gëzim Hazrolli nuk u votuan, duke fajësuar edhe lidershipin e LDK-së për favorizimin e të pamerituarve, çka sipas tij ka çuar në krizë identiteti dhe rënie të thellë të partisë.
“Nga përvoja e kemi parë se njerëz me bagazh apo intelektualë të shquar nuk kanë marrë vota, në ndërkohë që hyjnë njerëz pa njohuri elementare, pa qëndrime dhe pa guxim që t’i thonë dhe mbrojnë qëndrimet e tyre.
Mua më vjen keq që kandidatë me bagazh të madh patriotik dhe kontribut të madh në luftë si Gëzim Hazrolli nuk u votuan. Kuvendit i duhen njerëz si ky.
Vetë lidershipi i LDK-së ka krijuar një klimë të tillë brenda strukturave dhe në elektorat, duke favorizuar njerëz të pamerituar e duke lënë anash ata që meritojnë. Përveç shumë arsyeve tjera, edhe kjo ka shkaktuar një krizë identiteti dhe rënje të madhe të LDK-së në 13 për qind, me rrezik për rënje të mëtutjeshme”, deklaron Sahilaj për “Bota sot”.
Maloku: LDK-ja ka nevojë të rishikojë veten

Analisti Albinot Maloku vlerëson se rezultati i LDK-së më 28 dhjetor 2025 nuk përbën rrëzim politik, por një sinjal për reflektim dhe reformë të brendshme.
Ai thekson se partia duhet të rishikojë identitetin dhe përfaqësimin, ndërsa mbështetja për figura si Janina Ymeri tregon se qytetarët po preferojnë një model të qartë, të drejtpërdrejtë dhe më afër tyre, si rrugë për ringritjen e LDK-së.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është një parti me peshë dhe karakter historik për shtetin e Kosovës. Ky fakt, në vetvete, është i mjaftueshëm për të mos e konsideruar rezultatin e 28 dhjetorit 2025 si një rrëzim politik, por si një sinjal të qartë për reflektim të brendshëm. LDK-ja ka nevojë të rishikojë veten, identitetin dhe mënyrën e përfaqësimit, duke i përshtatur ato me rrethanat e reja politike dhe pritjet aktuale të qytetarëve.
Vlerësimi elektoral i figurave si Janina Ymeri duhet të lexohet si tregues i qartë i asaj se cilin model përfaqësimi qytetari po e preferon brenda LDK-së, shpeshherë në kontrast me perceptimin ndaj lidershipit qendror. Modeli politik që përfaqëson znj. Ymeri, i bazuar në qartësi qëndrimesh, komunikim të drejtpërdrejtë “po” ose “jo”, përputhje me frymën e urtakëve themeltarë dhe afërsi reale me qytetarin, përbën një alternativë të besueshme për ringritjen e partisë” – shprehet ai.
Në përfundim, Maloku thekson se elektorati nuk i pranon më megallomaninë dhe shkëputjen nga realiteti, duke preferuar deputetë të afërt me qytetarin, si modeli i Janina Ymerit, të cilët shihen si shpresë për një LDK funksionale dhe konkurruese.
“Në këtë kontekst, megallomania dhe shkëputja nga realiteti shoqëror shfaqen si fenomene të papranueshme për elektoratin, i cili nuk i percepton më si vlera politike të mirëqena. Pikërisht për këtë arsye, deputetë që mishërojnë modelin përfaqësues të Janina Ymerit paraqiten si elementë shpresëdhënës për ndërtimin e një LDK-je funksionale dhe konkurruese në rrethana të reja politike.
Rezultati aktual i LDK-së gjithashtu reflekton një përplasje të brendshme identitare, e cila, ndonëse jo gjithmonë e artikuluar publikisht, tashmë po njihet dhe po vlerësohet nga qytetari përmes votës. Në këtë prizëm, orientimi i qartë ideologjik i LDK-së drejt një të djathte moderne dhe qytetare mbetet jo vetëm i nevojshëm për partinë, por edhe për vetë Kosovën. Shpjegimet se ajo e mori këtë rezltatë për shkak se nuk u bashkua me Lëvizejn Vetëvendosje pas 9 shkurtit 2025, me shumë janë narativa të krijuara nga ata që nuk i duan të mirën këtij subjekti politik sesa arsye e vërtet!” – përfundon ai për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info


