Shkëndija ka lënë anash kampionatin për një çast, duke kthyer vëmendjen ka ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së vendit të mërkurën në Tetovë me Strugën.
Me atmosferë pozitive nga seria e mbarë dhe triumfi i fundjavës ndaj Tikveshit, kuqezinjtë kërkojnë vazhdimësi edhe në Kupë ku gjithashtu duam trofeun.
Përballja Shkëndija-Struga T&L luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 16:00.
Ecuria pozitive…
Anes Meliqi: “Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, pas një loje shumë të rëndësishme në Kavadar.
Të gjithë e dimë se Shkëndija është klub i madh, me objektiva të mëdha si në kampionat, ashtu edhe në Kupën e vendit.
Sigurisht se cak kryesor është titulli kampion, por duam edhe Kupën dhe tani gjithë fokusi jonë kthehet ka ndeshja e nesërme me Strugën.”
Struga…
Anes Meliqi: “Luajmë me një skuadër që si mundësi të vetme për të kap Evropën ka Kupën, pasi në kampionat janë mbrapa. Kjo nënkupton se presioni do të jetë në anën e Strugës. Ne dalim nesër të luajmë me “zero” presion.
E dimë si kemi kaluar herën e fundit në Strugë, personalisht nuk mbaj mend paraqitje më të dobët të Shkëndijës dhe besoj se kjo gjë nuk mund të ndodh dy herë. Ai duhet të jetë mësim për ne, të dalim në fushë dhe të japim më të mirën.”
Mungesa e publikut…
Anes Meliqi: “Unë mendoj se publiku tetovar gjithmonë ka qenë ndihmesë e madhe për Shkëndijën. Tani duhet të bëjmë më shumë pikërisht për ta, për t’i kënaqur dhe me fitore t’u japim arsye gëzimi.”
Gjysmëfinalja sjell dy takime…
Anes Meliqi: “Normalisht futemi për të fituar, por të vetëdishëm se janë dy ndeshje dhe kemi një shans të dytë. Por jemi të bindur se çdo rezultat pozitiv nesër, do të na bëjë më të lehtë ndeshjen e dytë.”.
Burimi: botasot.info