Megjithë goditjen e opozitës në Rusi, shfaqen shenja kundërshtimi

March 23, 2022
min lexim

Kur Alexei Navalny u arrestua në janar të vitit 2021, dhjetëra mijëra rusë mbushën rrugët në shenjë proteste, duke kërkuar që kritiku kryesor i Kremlinit të lirohej ndërsa hodhën parulla kundër Presidentit Vladimir Putin. Me mijëra vetë u arrestuan.

Qysh atëherë, Putini ka nisur goditjen më të ashpër ndaj opozitës që nga epoka e Bashkimit Sovjetik: Navalny u burgos dhe organizata e tij u shpall e jashtëligjshme. Bashkëpunëtorët e tij dhe aktivistët e tjerë u ndoqën penalisht, u larguan nga vendi ose u dënuan sipas ligjeve të reja drakoniane. Mediat e pavarura të lajmeve u bllokuan dhe platformat e mediave sociale u ndaluan.

Tani, Rusia ka dërguar ushtrinë e saj në Ukrainë, agresioni më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Por ndonëse Kremlini ka punuar shumë për të shtypur rivalët politik dhe kundërshtarët e luftës, janë shfaqur disa shenja të kundërshtimit.

Pas sulmit të 24 shkurtit u zhvilluan protesta kundër luftës në Moskë, Shën Petersburg dhe gjetkë. Sipas grupit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut OVD-Info që gjurmon arrestimet politike, më shumë se 15,000 njerëz u arrestuan.

Një demonstrues në qytetin e Nizhny Novgorod shpalosi një pankartë pa fjalë dhe u ndalua menjëherë nga policia.

Një transmetim i drejtpërdrejtë i lajmeve në mbrëmje në televizionin shtetëror të Rusisë u ndërpre më 14 mars nga një grua që u shfaq pas drejtueses së lajmeve dhe mbajti një pankartë të shkruar me dorë përmes së cilës protestonte kundër luftës. OVD-Info e identifikoi atë si Marina Ovsyannikova, një punonjëse e stacionit televiziv, e cila u mor në paraburgim dhe u gjobit.

Alexei Navalny mbeti i papërkulur në një gjyq të zhvilluar në burg ku po vuan dënimin me 2 vjet e gjysmë. Të martën, ai u dënua me nëntë vjet burg për mashtrim dhe mospërfillje të akuzave gjyqësore – një veprim që u pa si një përpjekje për të mbajtur armikun më të madh të Putinit prapa hekurave për aq kohë sa të jetë e mundur.

Aktivisti 45-vjeçar kundër korrupsionit, i cili në vitin 2020 i mbijetoi një helmimi me agjent nervor për të cilin fajëson Kremlinin, tha në Facebook në një koment që u postua nga ekipi i tij: “Fluturimi im në hapësirë po zgjat pak më shumë se pritej.”

Aleati i tij, Ilya Yashin, i cili është zotuar të qëndrojë në Rusi, foli gjithashtu kundër rritjes së dënimit me burg.

“Sigurisht, nëntë vjet është një dënim i ashpër,” tha zoti Yashin në Facebook. “Përdhunuesit, hajdutët dhe vrasësit në Rusi shpesh marrin më pak. Por në realitet kjo nuk do të thotë asgjë, sepse të gjithë e kuptojnë: Alexei do të kalojë aq kohë pas hekurave sa Putini do të jetë në Kremlin”.

Gjyqi i Navalny-t, i cili filloi një javë përpara se trupat ruse të futeshin në Ukrainë, shkaktoi një akt të vogël kundërshtimi nga një prej dëshmitarëve të prokurorisë. Fyodor Gorozhanko, një ish-aktivist në Fondacionin Kundër Korrupsionit të Navalny-t, i cili që atëherë është larguar nga Rusia, dëshmoi se ishte detyruar të jepte dëshmi kundër liderit të opozitës.

Fondacioni i Navalny dhe një rrjet i zyrave rajonale të tij u shpallën të jashtëligjshme vitin e kaluar dhe pushuan së funksionuari. Kremlini rigjallëroi presionin edhe ndaj aktivistëve dhe grupeve të tjera të opozitës, si dhe mediat e pavarura dhe organizatat e të drejtave të njeriut.

Dhjetra prej tyre janë goditur me emërtimin “agjent i huaj”, që nënkupton një shqyrtim dhe përbuzje shtesë nga qeveria. Shumë prej tyre janë detyruar të mbyllen.

Me sulmin ndaj Ukrainës, goditja është duke heshtur shumicën e faqeve të pavarura të lajmeve. Platformat Facebook dhe Instagram u ndaluan si ekstremiste dhe u bllokuan në Rusi. Twitter gjithashtu u bllokua, megjithëse rusët që përdorin rrjete private virtuale, ose VPN, janë në gjendje të shmangin kufizimet e qasjes në rrjetet e mediave sociale dhe mediat e ndaluara në Rusi.

Një ligj i ri i miratuar së fundmi nga parlamenti, kriminalizon përmbajtjet që nuk vijnë nga linja zyrtare si “lajme të rreme” ose që diskreditojnë ushtrinë ruse dhe veprimet e saj në Ukrainë. Mediat janë përballur me presion për ta quajtur veprimin një “luftë” ose një “pushtim”, në vend që të përdorin përshkrimin e qeverisë për të si një “operacion special ushtarak”. Çështjet e para penale sipas ligjit të ri u shfaqën menjëherë pas miratimit të tij dhe, ndër të tjera, implikuan dy figura të shquara publike që dënuan ofensivën në mediat sociale.

Ekipi i Navalny-t nuk i është trembur luftës ashtu edhe gjykimit të liderit të tij, duke njoftuar se po e rifillonte fondacionin tani si një organizatë ndërkombëtare.

“Korrupsioni vret”, shkruhet në faqen e re elektronike. “Kjo nuk ka qenë kurrë më e dukshme ndërsa qytetet e Ukrainës bombardohen nga Putini. Putini dhe rrethi i tij kanë bërë gjithçka për të qëndruar në pushtet – ata vjedhin, vjedhin dhe vazhdojnë të vjedhin. Të pa kapshëm në mosndëshkimin e tyre, ata nisën luftën”.

“Ne do t’i gjejmë të gjitha pallatet e tyre në Monako dhe vilat e tyre në Majami, dhe kur t’i gjejmë, do të sigurojmë që elita e Putinit të humbasë gjithçka që zotëron,” thuhet në deklaratë. “Ne kemi luftuar Putinin që nga viti 2011. Ne do ta luftojmë atë derisa të fitojmë”.

Ekipi i Navalny-t promovoi gjithashtu një kanal të ri që ka nisur në YouTube, Popular Politics, i cili që nga 5 marsi ka tërhequr më shumë se 920,000 abonentë.

Të hënën, ai publikoi një video në YouTube duke pretenduar se Putini zotëron një jaht luksoz prej 700 milionë dollarësh, i cili ndodhet në një port italian. Ekspozimi i ri ka marrë mbi 2.8 milionë shikime deri të martën në mbrëmje. Gazeta New York Times raportoi në fillim të këtij muaji se kapiteni i anijes mohoi që Putini të kishte në pronësi ose të kishte qenë ndonjëherë në jaht.

Mikhail Khodorkovsky, një manjat rus në mërgim i naftës, i cili kaloi një dekadë në burg në Rusi nën akuza që shihen gjerësisht si hakmarrje për sfidimin e sundimit të Putinit, foli të martën me optimizëm për Navalny-n.

“Nëntë vjet dënim për Navalny-n. Megjithatë, çfarë rëndësie ka? Ajo që ka rëndësi është se sa kohë i ka mbetur Putinit. Dhe këtu mendoj se ka disa lajme të mira për Alexei”, shkroi Khodorkovsky në Twitter./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

RENT A CAR

Story i mëparshëm

Pogba për depresionin: Filloi nën drejtimin e Mourinhos

Story i radhës

Kovaçevski: Jemi një hap larg që rroga mesatare të jetë 30 mijë denarë

Të fundit nga

Melinda shfaqet provokuese nga pushimet

Melinda Ademi është një nga këngëtaret me të dashura për publikun shqiptarë. Krahas muzikës, Melinda vazhdon të jetë shumë aktive edhe në rrjete sociale. Këngëtarja se fundmi po qëndron për pushime në

Gmail mori një funksion shumë të mirë

Përdoruesit e shërbimeve të Google do të kenë në dispozicion automatikisht përmbledhje të emaileve të gjata përmes mjetit Gemini, pa pasur nevojë që vetë përdoruesi të ndërmarrë ndonjë veprim. Ky funksion i
sqmken
ShkoLartë