Më parë se mua, deshën ta burgosin Don Kishotin…!

March 17, 2022
min lexim

Edhe pas 40 vitesh, më duket sikur sot. Aq të freskëta i kam ngjarjet e kësaj dite.

Si zakonisht, kisha shkuar në punë. E di që pas mësimit, diku pas orës së pestë të mësimit të para ditës, kishim një mbledhje të Lidhjes Komuniste. Nuk kish shumë kohë që unë isha anëtar i Lidhjes Komuniste, por pa marrë parasysh sa ishte kjo për ne, unë isha anëtarësuar në të dhe ku do që kam qenë anëtar a pjesëtar, i një partie ose organizate, nuk kam munguar nga mbledhjet. Shkaku: Që të mos informohem a keqinformohem nga të tjerë, por, pse jo, të jap edhe mendimin tim aty për aty, për çkado që bëhej fjalë.

Nuk më kujtohet fare se për çka po bëhej fjalë në këtë mbledhje. E di, se kur mbledhja mbaroj, Osman kuriri, si e quanim ne, më afrohet dhe më thotë:

Gani, ishte Zhivk milici dhe të ka kërkuar!

Ani, çka tha? – e pyeta unë, që mizën e kisha pas veshit.

Po, ai mendoi të të thërrasë edhe sa ishit në mbledhje, por e la, duke të njohur,e më tha: “Thuej Ganiut se unë po e pres përjashtë në rrugë dhe ai të vijë pas meje deri në stacionin policor. I thua që të më ndjek mua, mbasi të mbarojë mbledhja!”. – tha Osmani.

Mirë, Osman. – ia kam kthyer unë kuririt dhe jam ndarë prej tij. Zhivk milici po dukej edhe nga dritaret e shkollës, diku nja njëqind metra më larg shkollës, në drejtim të Zyrës së Ofiqarisë që ishte aso kohe. Unë u nisa drejt tij. Kur kam dalë në rrugën që po më shihte edhe ai mua, nuk më ka pritur, por ka ecur. Ai ka ecur gjithsesi nja 100 metra më përpara meje, pa u ndalë të më marrë e as të më presë që të shkonim bashkë, sepse ai nuk po donte të tjerët të më shihnin me të, por edhe e dinte se unë nuk iku, më në fund, nuk kisha kah të shkoja. Në çdo kthesë, ai e kthente kokën nga unë dhe po sigurohej a po i shkoja prapa apo jo. Kështu ndodhi deri në stacionin policor, deri sa hyra brenda unë.

Mirëpo, para një jave, kur unë isha nisur për në punë në Krypimeh, dhe pak para se të shkoja në rrugën që kthehet për në Krypimeh, po takohemi me Shefki Monollin. Ishte rast i rrallë në këtë mëngjes të gjendej Shefkiu këtej, dhe pakëz mendova me vete përse?

– Gani, unë u nisa për tek ti! Nuk munda të vija më heret, por pardje më kanë bastisur në shtëpi. Ata nuk më bënë diçka mua, pse nuk gjetën diçka çka kërkonin, por kanë gjetur revistën “Shqipëria e Re” me fotografinë e shokut Enver Hoxha dhe me emrin e mbiemrin tënd, të shkruar nag vetë ti. Tani, të lutem, sa më shpejt të mundesh, i heq krejt çka ke se nuk do të vonojnë edo të të vizitojnë edhe ty. Ata e morën Revistën dhe tani bëhen gati të vijnë tek ti. Mua asnjë fjalë nuk më kanë thënë për këtë. – Më tha Shefkiu dhe, mbasi të dy ne shkonim në punë, u ndamë, pse edhe ashtu, duhej të ruheshim e të mos binim në sy tek ata.

E di se jam matur të kthehem në shtëpi e të fsheh gjithçka çka kam, apo të vazhdojë e të shkojë në mësim. As sot nuk e di si kam vepruar. Nuk e di a kam shkaur në punë atë ditë apo jo. Mua më duket sikur kjo ditë ka qenë e mërkurë, dhe, plot një javë më vonë, të mërkurën tjetër u ballafaqova me njerëzit e sigurimit shtetëror, pra, nga 9 marsi në 17 mars.

Pa menduar fare, gjithë materialet, shkrimet dhe shtypin që kisha marrë nga Tirana, i kisha futur mirë në dhe, duke i mbështjellur sa më mirë, që, kur një ditë do t’i merrja sërish, të mos ishin të dëmtuara.

Thënë të drejtën, kam menduar si shumë këtë ditë tani, të vazhdojë të shkojë në shkollë, apo të kthehem në shtëpi e të largojë krejt çka kisha për të fshehur. T’i digjja e t’i asgjësoja, nuk e kisha ndërmend assesi. Kurrë nuk kam djegur asnjë shkrim, me ose pa vlerë.

Mirëdita! – jam përshëndetur me Zhivkun, mbasi kam hyrë në stacionin policor, ku më priste.

Mirëdita! – ma ka kthyer – eja këndej në këtë zyrën këtu. – më ka thënë. Kur kam hyrë kishte edhe të tjerë policë, bashkë me një civil.

Ne kemi urdhrin të vijmë e të kontrollojmë në shtëpi, Gani! – m’është drejtuar ai civili.

Pa kurrgjë të keqe. Kam vetëm një kërkesë tek ju – i jam drejtuar atij policit civil.

Fol, fol…! – ma ktheu, me gjasë nga kurreshtja të dinte se për çka e kam fjalën.

A do të bënte të eci unë më përpara pak, deri sa të kalojmë lagjen e Pushkollëve dhe atje do ju pres, mbasi tek sa janë lëshuar nxënësit e nuk po dua të më shohin në veturën tuaj as nxënësit e as kolegët e mi…?

Pse, ku banon ti? – më pyetën.

Në Podujevë banoj, tani e gati tri vite!

Aha, ne jemi nisur për në Pakashticë, ashtu kemi menduar…Ashtu e kishe adresën…

Jo, kam ndërruar vendbanimin unë. – ua ktheva pa dashur ta zgjasja.

Mirë. Unë civili vi me ty e shkojmë bashkë deri atje ku thua, pastaj hyjmë në veturën e policisë.

Bën, pse jo. – ia kam kthyer dhe pa u vonuar, jemi nisur bashkë me policin civil.

Na vjen keq, por po duhet t’i kryejmë urdhrat edhe ne! – po bisedonim rrugës me të.

Kur arritëm me ta tek shtëpia ime në Podujevë, para se të hyjmë, më kanë thënë:

Shko ti përpara në shtëpi dhe lajmëroje familjen që të mos tremben. Ne kemi vetëm të kontrollojmë, asgjë më shumë.

Kam shkuar brenda në shtëpi. Këtu gjeta edhe një motër me kunatën dhe kunetërit që kishin ardhur ta vizitonin nënën tonë të sëmurë.

Kanë ardhur brenda, ishin dy policë civilë, njëri i rajonit të Ferizajit si më tha, nëse nuk kam harruar i Stagovës e tjetri ishte i Podujevës, me të cilin njiheshim që kur ishim nxënës gjimnazi dhe dy policë me uniformë. Ata me uniformë po ruanin tek dyert, ndërsa këta dy civilët po kontrollonin. Kisha një mori librash shqip, kishte edhe nga letërsia botërore të përkthyera në shqip.

Unë i kisha larguar librat dhe revistat e ndaluara, i kisha futur në dhe çka ishin “irredentiste” e të botuara në Shqipëri. Kisha lënë dy Atlasa gjeografikë të Shqipërisë me qëllim, që të mos ktheheshin duarthatë prej meje. Po, këta i kisha blerë në Prishtinë, dhe me mendjen se nuk do t’i marrin, mbasi ishin në shitje të lirë në Prishtinë. Mirëpo, këta që nuk dinin se çka shitet e çka nuk shitet në Prishtinë, m’i morën që të dy këta atlasa . Ai polici i sigurimit civil nga Podujeva e gjeti romanin kuq e zi nga kopertina “Don Kishoti i Mançes” të Servantesit! Sikur u vërejt se u gëzua, se ra në diçka të ndaluar! Deshi ta marrë me vete. Mua edhe po më qeshet…po nuk kishte faj, pse ishte botuar në Tiranë dhe do të konsiderohej si material propagandistik…!

Përse qeshesh!?

Ta marrësh Don Kishotin dhe të mos qeshesh, është e pamundur, prandaj më qeshet! – ia ktheva. Pse po e shihte kuq e zi në kopertina, donte ta merrte dhe ta burgoste librin me kopertinat KUQ E ZI.

Mbasi i tregova se kush e çka është, mezi u bind ta linte. Shpëtoi DON KISHOTI pa u burgosur, vetën nuk e di si do të kalojë – mendova me vete. Përveç atlaseve gjeografikë të Shqipërisë, morën edhe toponiminë e fshatit Pakashticë që e kisha mbledhur me kohë, meqë nuk dinin se çka ishte kjo punë! Me të tillë njerëz të paditur kishim të bënim!

Mbasi kryen punën, sipas meje, edhe pse nuk gjetën diçka, ata sërish më morën me vete, tani në stacionin policor në Podujevë. Shkuam. Unë po prisja në korridor, ku më thanë deri sa të vinte ai punëtori i sigurimit shtetëror, që t’i priste teshat, siç thuhet këtu në Llap.

U vonua bukur mirë. Kur erdhi, hymë brenda në një zyre.

A po pret se unë po dal po ha drekë! – m’u drejtua mua. – A ke hangër drekë ti? – më pyeti.

Jo! – iu përgjigja shkurt.

Mirë, dalim e hamë drekë pastaj kthehemi. Në ora sa po kthehemi? – po më pyet sikur unë isha ai që vendosi.

Në sa të thoni ju. – ia ktheva, duke menduar se po më provokonte.

Tani ora 15:00, kthehemi kah ora 18;00! – tha.

Në rregull. Këtu do të më kesh. – ia ktheva.

Mirë, ashtu të mbetet. – tha dhe u ndamë.

II

Deri sa unë tani shkova në shtëpi, mysafirët kishin shkuar. Motra që kishte ardhur, kishte shkuar menjëherë tek një kushëriri ynë dhe i kishte rrëfyer krejt ngjarjen, me qëllim informimi, por edhe nëse ka mundësi, të intervenojë për t’u liruar unë sa më shpejt.

Një nipi i kushëririt, punonte referent në Gjykatën Komunale, po ky e kishte shok punëtorin e sigurimit prej moti, prej fëmijërisë, i cili do të më merrte mua në pyetje. Edhe unë shkova tek kushëriri mbasi hëngra pakëz bukë, sepse edhe ai ishte i merakosur e i mërzitur. I tregova ngjarjen deri aty. Natyrisht, se ai e kishte informuar nipin e tij, me të cilin ne njiheshim shumë mirë.

Duke menduar, gjithherë, se do të mund të ishte edhe një provokim ndaj meje, pse më liroi të shkojë të ha drekë ai i sigurimit, unë u ktheva nja pesëmbëdhjetë minuta më herët në stacionin policor dhe po qëndroja para zyrës. Me sa më kujtohet, erdhi edhe ai pak para orës 18:00.

Hë, ke ardhur, a?! – ishte pyetja e tij në takimin me mua përpara zyrës së tij.

Po, kam ardhur para nja dhjetë minutave. – iu përgjigja.

Hyr! – më tha, mbasi ai e çeli zyrën. – Ulu aty! – ma bëri edhe me dorë në një karrige që ishte në anën e djathtë të hapjes së derës.

Mbasi unë u ula, ai po merrej me diçka tjetër në tavolinën e tij të punës, unë po e kthej kokën në të djathtë, ku ishte një pako kartoni. Në këtë pako, sipri ca shkresave të tjera, ishte revista ku po lexoja: SHQIPËRIA E RE, ishte e vitit 1979, nuk më kujtohet cili numri ishte. Në ballinë kishte fotografinë e Shokut ENVER HOXHA! Kjo qenka revista ime, thashë me vete, që më ka sjellë deri këtu. Unë asgjë më shumë nuk kisha bërë për të qenë këtu. Ato çka kisha folur unë për Shqipërinë e shqiptarët, nuk i kishin ardhur në vesh këtij.

Revistën e bukur dhe të ilustruar “Shqipëria e Re” kishte vite që po e merrja. Nuk mbetej asnjë cepë e saj pa e lexuar dhe na kënaqte më mirë se ushqimi kur lexonim se si Shqipëria po ecte përpara me hapa gjigantë së zhvilluari në të gjitha drejtimet. Revistën po e merrja drejtpërdrejt përmes “Jugosllovenska knjiga” në Beograd, mbasi parapaguhesha. Ajo, nga Beogradi vinte në zarfë (pliko), që unë, nuk e di as vetë përse, por po i ruaja edhe disa nga këto zarfe, e sa për fletëpagesa, të mos flitet. Edhe sot janë diku në dokumente.

Se do të vinte puna deri këtu, e kisha të ditur prej shokut e bashkëveprimtarit tim, Shefki Latifi – Monolli nga Pollata,i cili më pati lajmërar një javë më përpara. Me Shefkiun ne ishim shokë që prej kontaktit të parë, por që nuk e di prej kur…E di se, kur unë kisha filluar punën në arsim në Pollatë, ai kishte kaluar po nga kjo shkollë në Podujevë referrent i bujqësisë.

Zgjate dorën aty, në atë pako, dhe merre atë revistën! – m’u drejtua ai i sigurimit.

Unë që e kisha parë atë, e zgjata dorën si ngadale, për të mos i dhënë shenj se e kisha vërejtur, e mora dhe po e shikoj me nostalgji e dashuri fotografinë e Enver Hoxhës! E donim të gjithë, a. Kur e shihnim atë, na dukej sikur e shihnim krejt Shqipërinë, ashtu na dukej, sepse e banim mall atë, ashtu siç e bartë mall fëmija prindin kur i mungon. Enveri Hoxha për ne simbolizonte tërë Shqipërinë, edhe më shumë, simbolizonte gjithë Trojet Etnike Shqiptare. Aty, në fund të ballinës së revistës ishte i shkruar emri im: Gani Ilaz Mehmeti, fshati Pakashticë, Podujevë, Kosovë! Ishte i shkruar me ngjyrë dokumentare, që unë po e merrja rregullisht tek punëtori i Zyrës së Ofiqarisë në Krypimeh, që asnjëherë nuk më linte pa ta. Interesant, kjo ngjyrë me kalimin e kohës përforcohej e sikur bëhej më e fortë, çka nuk ka mundësi të fshihet me asgjë dhe i qëndron kohës. Me këtë ngjyrë shënoja edhe Orët në ditarët e klasave në shkollë.

Ku e ke marrë këtë revistë? – ishte pyetja e, punëtorit të sigurimit shtetëror, që e kisha përpara.

Unë e kam marrë përmes “Jugosllovenska knjigës”. – iu përgjigja.

Si e ke marrë përmes saj?

Po, unë jam parapaguar në të përmes “Jugosllovenska knjigës” dhe ajo ma ka dërguar.

Si, përmes kujt të ka ardhur?

Përmes postës. Ka qenë një intervistë e Mahmut Bakallit në Zëri i Rinisë. Ai pati thënë se është e drejtë marrja e shtypit dhe librave nga Tirana. Ne gjurmuam mundësitë pae ishim të interesuar dhe ia arritëm.

Të ka ardhur kështu apo si?

Jo, më ka ardhur me postë e futur në pliko dhe me adresë timen.

Pse në Pakashticë!

Deri në vitin 1978 atje kam jetuar. Pastaj, edhe pse e kisha ndërruar vendbanimin, unë po punoja në Krypimeh, ku është edhe posta e Pakashticës, dhe nuk e kam ndryshuar.

A e merr edhe tani këtë revistë?

Jo. Diku në vjeshtën e vitit 1980 kam paguar gazetën për arsim “Mësuesi”, revistën “Ylli”, “Shqipëria e Re”, revistën “Studime gjuhësore” dhe revistën letrare “Nëntori”, por “Jugosllovenska knjiga” m’i ktheu paratë, duke më thënë se nuk mundet të më shërbejë më, por të njëjtën punë mund ta bëjë përmes Organizatës Punuese Botuese “Rilindja” në Prishtinë. U interesova në Prishtinë përmes “Rilindjes”, por askush nuk pranoi të parapaguhesha dhe mbeta. Nga ky vit më nuk kam mundur të marrë gazeta e as revista nga Shqipëria.

A ke një pliko të revistës që të ka ardhur me adresë në shtëpi? – ishte pyetja e tij.

Po. Kam.

A mundesh të ma sillësh një.

Mundem, pse jo! –iu përgjigja unë dhe mendja më shkoi tek viti i revistës, që edhe plikoja të ishte e atij viti. Natyrisht, siç shkrova më herët, ishte viti 1979.

A i ke edhe ndonjërën nga fletëpagesat për to? -ishte pyetja e radhës.

Edhe ato i kam. – ia ktheva. Unë kam ruajtur çdo gjë dhe nuk kam shqyer e as humbur asgjë, pa e ditur se do më kërkohet një ditë, por eh. Ashtu, nuk humbas asgjë!

A e di ku e kemi gjetur këtë revistë? – Më pyeti habitshëm.

Jo! – iu përgjigja shpejt, edhe pse isha në dijeni.

Te Avdi Monolli është gjetur kjo, pse atje ka shkuar?

Unë jam shok me Shefkiun, vëllain e Avdiut. Është edhe dhëndërr i yni, i Pakashticës dhe, vetëm në çastin kur e kam marrë nga postieri, kemi mundur të jemi bashkë. Natyrisht, kur e kam marrë nga postieri, i ka interesuar edhe atij, ka qenë revista në fjalë, e ka marrë për lexim dhe kështu e kam harruar pastaj tek ai. E nga Shefkiu, lehtë ka mundur të shkojë edhe tek Avdiu.

Në realitet Shefkiu e dinte se unë marr shtypin nga Shqipëria dhe nuk i kisha ndaluar asnjërën syresh, por që tjerat ishin kthyer tek unë. Avdiu e Shefkiu trajtoheshin si nacionalistë të përbetuar, dhe të tillë ishin. Por, edhe unë, si të tillë i doja dhe i respektoja, çka na ofronte me ta ideali i Lirisë. Avdiu kishte qenë disa herë u burgosur politikisht. Edhe Shefkiu ashtu, sa më në fund e mbyti policia serbe me dru më 4 korrik 1995, duke e rrahur, pa e lejuar as ta çonin tek mjeku.

A ke kërkuar të pranohesh anëtar e Lidhjes Komuniste në Pollatë sa ke punuar?

Po.

Pse nuk je pranuar?

Kurrë nuk e di as sot e kësaj dite. Nuk kam marrë përgjigje. Më ka interesuar ta di, por nuk kam pyetur.

E në Krypimeh, si u pranove?

Në Krypimeh më pranuan, madje edhe pa e shtruar kërkesën fare. Nuk e di pse. Por, atje i kam lutur e nuk më kanë pranuar, këtu më kanë pranuar fare pa i lutur.

Mirë, ti nesër m’i bjen plikon dhe fletëpagesën e revistës. Bëhu djalë i mirë, shiko punën tënde dhe interesohu për fëmijët e tu tani e tutje!

Faleminderit, do të interesohem. – ia kam kthyer dhe jemi përshëndetur me të.

Kur të nesërmen ia dërgova plikon, fletëpagesën e kisha fotokopjuar rrugës, dhe i thashë:

Bën të ta jap kopjen e fletëpagesës se nuk i dihet kësaj pune?

Po, tha, kjo është më se me vend! – dhe jemi ndarë, duke vijuar secili rrugën e vetë.

Pse kisha marrë revistën në mënyrë legale, ishte krejt në rregull dhe kjo u ka interesuar më shumë të dinë mënyrën e marrjes dhe prej kujt.

Jam i bindur, se pço të mos ishte intervenimi i nipit, ndryshe do të ndahesha!

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Belgjika nis të përballet me fluksin e refugjatëve ukrainas

Story i radhës

Lista/ Këto janë 30 artikujt e shportës që kushtojnë 20% më shumë se në janar

Të fundit nga

Mot i vranët e me reshje bore sot në Kosovë

Gjatë natës në disa zona të Kosovës ka pasur intervale të reshjeve të borës të cilat do të vazhdojnë në shumë rajone edhe gjatë ditës së Mërkurë. Në viset malore priten intervale
ShkoLartë