Me një ceremoni madhështore, kanë startuar sot në Kinë Lojërat Olimpike Dimërore

Me një ceremoni madhështore, kanë startuar sot në Kinë Lojërat Olimpike Dimërore, që do mbahen pikërisht në Pekin dhe do të zgjasin deri më datën 20 shkurt, në një rrugëtim që pritet të jetë spektakolar, me garues nga mbarë bota. Për herë të parë në histori Kina organizon një ngjarje ndërkombëtare shumë-sportive dimërore, pavarësisht organizimeve të mëparshme të evenimenteve madhore.

Në ceremoninë hapëse të aktivitetit, edhe një herë u dëshmua kreativiteti mbresëlënës i Kinës që nëpërmjet këtyre lojërave kërkon t’i demonstrojë botës fuqinë e saj, me një shfaqje të jashtëzakonshme, në një ceremoni që do të mbetet gjatë në kujtese.

Ceremonia e hapjes u mbajt në Stadiumin Kombëtar të Pekinit, nën temperatura deri në -3 gradë celsius, por kjo nuk ka penguar sportdashësit të mbushin plot shkallët e impiantit.

Megjithatë pandemia ka pasur efektin e saj edhe në këtë aktivitet, pasi ndryshe nga Lojërat Verore të 2008-ës, ku performuan mbi 15 mijë njerëz në ceremoninë hapëse, sot ishin vetëm 3000 të tillë, përfshire këngëtarët e operas, akrobatë, etj.

Emocionuese në ceremoni ishin dhe parakalimet e 91 vendeve pjesëmarrëse në këtë event madhor, ku nuk mungoi flamuri kuqezi i Shqipërisë dhe urimi në shqip: ‘Mirësevjen’.

Në Lojërat Olimpike Dimërore, Shqipëria përfaqësohet nga skiatori 18-vjeçar Denni Xhepa, i cili do të valëvitë flamurin kuqezi në ceremoninë hapëse dhe do të provojë të bëjë sa më mirë në garë.

Xhepa do të konkurrojë më 13 dhe 16 shkurt në Pekin në disiplinën e skive alpine, sllallom dhe sllallom gjigant. Për të kjo është hera e parë që përfaqëson ngjyrat kuqezi në një event kaq madhor.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Cilat janë aftësitë ndërpersonale dhe si t’i mësoni ato…

Story i radhës

Zbardhet debati me dyer të mbyllura në Kryesinë e PD, Basha: S’jemi të përçarë, por …

Të fundit nga