mbi 1 000 protestues te arrestuar ne iran kreu i gjyqesorit sdo te kete tolerance 695d4fe7b5d29

Mbi 1.000 protestues të arrestuar në Iran, kreu i gjyqësorit: S’do të ketë tolerancë

January 6, 2026
min lexim

Irani ka arrestuar më shumë se 1.000 persona që nga fillimi i protestave, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), megjithëse numri i saktë mbetet i vështirë për t’u verifikuar pasi demonstratat vazhdojnë në qytete dhe qyteza në të gjithë vendin.



Diako Alavi, një gazetar me bazë në Paris me ekspertizë mbi rajonet kurde të Iranit, i tha shërbimit iranian të Radios Evropa e Lirë se konfirmimi i shifrave të të ndaluarve gjatë periudhave kulmore të protestave është “jashtëzakonisht i vështirë”, dhe vuri në dyshim besueshmërinë e deklaratave zyrtare dhe akuzave të ngritura ndaj të ndaluarve.

Në Teheran, një avokat pa emër, i cituar nga vëzhguesi lokal Bahman Daroshafaei, vlerësoi se rreth 40 apo 50 persona po ndalohen çdo ditë, duke shtuar se shumë nga ata që ndodheshin në gjykata ishin prindër të të ndaluarve të rinj.

Raportet në rrjetet sociale tregojnë se disa arrestime u kryen gjatë protestave në rrugë, ndërsa të tjera duket se përfshinin ndalime të rastësishme nga forcat e sigurisë.

Mes të ndaluarve ishin edhe disa aktivistë studentorë. Disa, përfshirë Ali Taheri Kian, Mobin Safdarin dhe Samiar Motalebin, mbeten në paraburgim në vende të pazbuluara, ndërsa të tjerë, si Sarira Karimi dhe Alireza Rasooli, janë liruar.

Ka gjithashtu raportime për ndalimin e të miturve, përfshirë një 15-vjeçar të identifikuar si Iliya Akvanian në qytetin jugperëndimor të Yasujit, i cili më pas u lirua. Xhaxhai i tij është një aktivist i të drejtave të njeriut me bazë jashtë Iranit.

Kreu i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei, më 5 janar akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se po mbështesin hapur demonstratat. Ai gjithashtu udhëzoi prokurorin e përgjithshëm të vendit dhe prokurorët provincialë që të tregojnë “zero tolerancë ose lehtësim” ndaj të ndaluarve.

Hannah Kaviani e shërbimit iranian të Radios Evropa e Lirë bisedoi me Raz Zimmt, drejtor i programit kërkimor për Iranin dhe boshtin shiit në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare (INSS), mbi raportet për një konflikt të mundshëm të ri mes Iranit dhe Izraelit.

Zimmt thotë se nuk beson se një përshkallëzim është i afërt, por paralajmëron se rreziku i një keqllogaritjeje mbetet i lartë.

Ai foli gjithashtu për mënyrën se si protestat në Iran shihen në Izrael.

“…sa herë që ka protesta në Iran, ekziston ky mendim i dëshiruar në Izrael se këtë herë ato mund të rezultojnë në një ndryshim regjimi në Iran”, tha ai.

“Pra, është shumë e qartë se objektivi izraelit — do të thosha objektivi përfundimtar — është të shohë një lloj ndryshimi regjimi në Iran, veçanërisht sot, kur shohim këto protesta, edhe pse ato nuk janë më të gjera apo më të rëndësishme krahasuar me raundet e mëparshme të protestave në Iran vitet e fundit”, shtoi ai.

Zimmt beson se ngjarjet e fundit në Venezuelë kanë shtuar shpresat në Izrael se “diçka mund të ndodhë në Iran që mund të sjellë patjetër një ndryshim të regjimit”./rel

Burimi: opinion.al

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

ambasadori i be takim me kreun e spak te vijoje lufta kunder korrupsionit 695d4e9406345
Lajmi i mëparshëm

Ambasadori i BE takim me kreun e SPAK: Të vijojë lufta kundër korrupsionit

rahoveci shpall gjendje gatishmerie situata pasdite me stabile 695d50af7be46
Lajmi i radhës

Rahoveci shpall gjendje gatishmërie, situata pasdite më stabile

Të fundit nga

ShkoLartë