Masakra në rrugët e Athinës/ Shkon në tre numri i viktimave, vdes në spital njëri nga të plagosurit

Ka ndërruar jetë në spital një nga personat që mbeti i plagosur nga përplasjet e njëpasnjëshme me armë zjarri që sollën dy viktima mbrëmjen e djeshme në rrugët e Athinës.

Sipas mediave greke, mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spital personi që u aksidentua me makinë gjatë përleshjes në Patisia në tentativë për t’u arratisur nga vendi i ngjarjes.

Siç u konstatua nga mjekët e spitalit në Patisia, ai kishte edhe një plagë me armë zjarri. Hetuesit kanë dyshime se ai është qëlluar nga banditi shqiptar para se ky i fundit të eliminohej gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë greke.

Si ndodhi ngjarja

Gjithçka nisi mbrëmjen e të shtunës pak pas orës 21:00 në zonën e Kato Patisja në kryqëzimin e rrugëve Georgiou Nazou dhe Kourtidou. Një automjet që drejtohej nga një grua dhe një motoçikletë që drejtohej nga një i ri u përplasën me njëri tjetrin dhe kjo solli debat mes palëve.

Gjatë përplasjes, pasagjeri i automjetit me origjinë shqiptare ka nxjerrë armën duke qëlluar në drejtim të drejtuesit të motoçikletës. Për pasojë ky i fundit mbeti i plagosur rëndë. Mirëpo pak metra më tutje brenda një automjeti tip Audi po udhëtonte babai i drejtuesit të motoçikletës i cili doli nga makina duke qëlluar në drejtim të shqiptarit. Ky i fundit hapi zjarr ndaj tij duke e lënë të vdekur.

Bashkë me viktimën në automjet ndodhej edhe një person tjetër i cili në përpjekje për të shpëtuar doli me vrap në rrugë por u përplas nga automjet që po kalonte me shpejtësi. Më vonë mjekët konstatuan në spital se ai kishte marrë edhe një plumb që me gjasa ishte qitur nga arma e shqiptarit gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Pas këtij episodi shqiptari është larguar duke vjedhur një automjet nën kërcënimin e armës duke u drejtuar drejt Agioi Anargyrou, ku tentoi të grabiste një pikë karburanti në zonë. Ai u përball me policinë në rrugën “Demokracia” ku u vra në shkëmbim zjarri.

Ndërkohë nga të shtënat mbetën të plagosur dy efektivë policie, njëri prej tyre në këmbë dhe tjetri në gjoks.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ra në kontakt me rrymën elektrike, e mitura ndërron jetë në Spitalin e Traumës

Story i radhës

Puthje të nxehta nga shtrati, Fifi publikon videon si e uroi Adisin për ditëlindje

Të fundit nga