Me interpretimin e Marshit Funeral dhe me qirinj në duar, pjesëmarrësit në protestën e Sindikatës së Kulturës përcollën simbolikisht mesazh para Gjykatës Kushtetuese se me procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Marrëveshjes Kolektive për Kulturën po varrosen të drejtat e punonjësve të kulturës. Drejtuesit e sindikatës u bënë thirrje gjykatësve kushtetues që të vendosin në bazë të drejtësisë dhe jo, siç thanë, sipas urdhrave që u janë dhënë.
“Do t’i lëmë gjykatësit që sot të flasin me vepra dhe ata do të vendosin e do të nënshkruajnë nëse do të jenë ekzekutorë dhe varrmihës të të drejtave dhe drejtësisë apo mbrojtës të tyre, nëse në të vërtetë janë ata që vendosin. Prandaj sot edhe ne, edhe gjykatësit jemi të veshur me të zeza. Ne në shenjë proteste, ndërsa ata në emër të drejtësisë”, deklaroi Vera Atanasovska.
Punonjësit e kulturës të revoltuar thonë se pagat e tyre janë në nivel të ulët, por me vendimin për shfuqizimin e Marrëveshjes Kolektive jo vetëm që do të ulen pagat, por do të hiqen edhe të gjitha të drejtat e tjera që nuk janë të rregulluara me ligj.
“Për 30 vjet nuk ka pasur Marrëveshje Kolektive në kulturë. Pagat paguheshin ashtu siç vendosnin drejtorët ose sipas disa udhëzimeve të Qeverisë. Ishte kaos, pagat ishin shumë të ulëta. Tani pagat në kulturë janë mesatarisht rreth 50 mijë denarë, ndërsa e dimë se pagat në kafene për njerëzit që punojnë aty mund të jenë 60 mijë e më shumë”, tha Aleksandar Stojçevski.
“Mendoj se nëse bie kjo Marrëveshje Kolektive për Kulturën, do të thotë se do t’i shfuqizojnë të gjitha marrëveshjet kolektive, gjë që nuk është në rregull në një shoqëri demokratike. Ne kemi arritur diçka dhe tani ta hedhim gjithë këtë poshtë. Megjithatë, nuk do t’i lejojmë dhe do të shkojmë deri në fund”, tha Boris Vishin .
Marrëveshja Kolektive është lidhur në fund të vitit 2019 dhe kjo është hera e tretë që nga viti 2021 e këtej që vlerësohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e saj, pasi në dy rastet e mëparshme iniciativa ishte hedhur poshtë. Marrëveshja Kolektive përfshin mbi një mijë të punësuar në më shumë se 100 institucione kulturore dhe, nëse shfuqizohet, kjo do të çojë në humbjen e të drejtave të fituara dhe do të ketë pasoja në paga.
Burimi:TV21


