Elhan Kastrati po bën shumë mirë me Cittadellan në Serie B, ekip që po garon për një biletë në “play-off” dhe që ka mbrojtjen e gjashtë më të mirë në kampionat, kjo edhe për meritë të portierit nga Hasi.
25-vjeçari numëron 28 ndeshje këtë sezon me ekipin italian. Kastrati ka marrë një ftesë nga trajneri Reja për miqësoret ndaj Spanjës (19:45) dhe Gjeorgjisë (29 mars, Air Albania).
“Kastrati po paraqitet mirë këtë vit në Serie B, është një futbollist të cilin e kemi ndjekur edhe më parë. Kishte ardhur momenti që ta grumbulloja me grupin tonë për të parë karakteristikat që ka”, deklaroi Reja.
Ndërkohë, Supersport mëson se “gardiani” shqiptar po ndiqet me interes nga Marseille. Një skaut i klubit të famshëm francez ka fluturuar drejt Barcelonës për të parë nga afër stërvitjet e kombëtares kuqezi.
Menaxheri i Kastratit, Serxho Mezi konfirmon se i dërguari i Marseille ka qenë i pranishëm në çdo seancë stërvitore të kryer në tokën spanjolle dhe sot do të jetë prezent në stadiumin “RCDE Stadium” për të ndjekur ndeshjen Spanjë-Shqipëri.
Ai pritet të vijë edhe në “Air Albania” më 29 mars për të parë sfidën Shqipëri-Gjeorgji. Ekipi francez renditet në vend të dytë në Ligue 1 dhe është kualifikuar në çerekfinalet e Conference League.
Grekët e PAOK-ut janë rivalët e Marseille për një biletë në gjysmëfinalet e turneut, me finalen e madhe që do të zhvillohet në “Air Albania” më 25 maj. Kastrati ndodhet në vitin e fundit të kontratës me Cittadellan dhe kalimi te Marseille do të ishte një hap i madh përpara (SS).