Mandati i hetimit të krimit dhe korrupsionit, të fillojë nga 1998 e deri më sot

Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, është mandatuar të hetojë krimet e luftës, deri në fund të vitit 2000! Kufizimi në kohë është jo vetëm idiotësi juridike, por, edhe kriminale faktike. Kur bisedon me komandantët PAN-istë, për këtë temë, ata aprovojnë këtë kufizim në kohë, por, nuk arrijnë ta shpjegojnë arsyen!

Dhe, vërtet, nuk ka fare logjikë të hetosh vrasjet e ushtarakëve Kolonel Ahmet Krasniqit dhe Ilir Konushevcit, të vrarë me 1998 dhe të heshtësh hetimet për ekzekutimet e Kolonel Thir Zemaj, me Hasan e Enis Zemaj dhe të Sabahate Tolaj me Isuf Haklaj, të ekzekutuar në vitin 2003!? Tashmë, është faktuar, katërcipërisht, se krimet vrastare janë planfikuar dhe realizuar nga partitë-banda, të koalicionuara në PAN, të pagëzuar, saktësisht, Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, nga Prokurori Special amerikan, Xhack Smith.

Kufizimi në  kohë, për hetimin e makro-krimeve, ngeshëm të listuara dhe kobshëm të realizuara, është poshtërsi dhe krim kundra-njerëzor, i bërë në zemër të Evropës në shekullin 21, nga bota demokratike ndërkombëtare. Është një rivrasje për shumë qindra viktima të ekzekutuara, kriminalisht, pas vitit 2000 e deri më 2020, dëshmitari markant i Gjykatës Speciale, i ekzekutuar dhe i kallur në veturën e tij, për të humbur gjurmët e krimit. Është fyerje e rëndë, për mijëra familje të viktimave dhe shumë qindra-mijërave të tjera, që, ndërlidhën me familjet e viktimave.

Maksima juridike: “Krimit nuk i skadon afati”, – obligon për heqjen e këtij kufizimi të turpshëm, kriminal e rrugaçëror. Të kursesh nga ndëshkimi meritor kriminelët potencialë, është krim kundër njerëzimit. Aq më parë, kur këto krime janë bërë me paramendim, nga banda zyrtare, e strukturuar në një organizatë supër-kriminale, përkatësisht, Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, me qëllimin e paracaktuar, për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit me dhunë e terror.

Është koha e korrigjimit, e zhvlërsimit të mandatit të kufizuar, të Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë. Sepse krimet e filluara më 1977 dhe deri në vitin 2020, janë vepra kriminale të së  njëjtës organizatë – Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale. Çdo përpjekje për të anashkaluar këtë korrigjim të ligjshëm, do të ishte një shkelje e rëndë, duke amnistuar krimet dhe kriminelët numerikë të Kosovës. 

Faktet janë kokëforta dhe as lukunia e avoketërve zhvatës të buxhetit të Kosovës, nuk mund të ndryshojnë realitetin dhe as ta  zëvendësojnë me gënjeshtrën. Koha për veprim, për ta sjellur drejtësinë e munguar në Kosovën tonë, të përdhosur nga banditër dhe banda.

Hetimi i korrupsionit, shtetëzimi i pasurive hajnore, domosdoshmëri!

Qeveria e Albin Kurtit nismoi ligjin, për verifikimin e pasurisë pa mbulesë ligjore. Edhe Kuvendi e pranoi në parim. Por, shumëçka nuk është përcaktuar, siç është datimi, nga cili vit do të fillojë hetimi i pasurisë të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe kategori të tjera më përgjegjësi pozitash, si dhe të njerëzve të afërt apo të lidhur me ata.

Ministrja e Drejtësisë, Albulenë Haxhiu, si datë të mundshme të fillim-hetimit, ka përmendur vitin e pavarësimit të Kosovës, përkatësisht, nga 2008! Një datim i tillë ka shokuar qytetarët e Kosovës, kur dihen uzurpimet, grabitjet, haraç i zyrtarizuar masiv, i ushtruar nga partitë-banda të PAN-it të sotëm. Dhe, duke e konsideruar si lapsus, pa menduar mirë, duhet ta korrigjojë, fillimisht, vet Ministrja, për ta marrë një vendim të duhur – kolektivisht.

Një ide shumë më realiste ka dhënë deputeti, Gjeneral Hisen Berisha, se llogaritja e pasurive pa mbulesë, duhet filluar nga viti i çlirimit, qershor 1999.

Ndërsa, unë mendoj se edhe më realiste është të fillojë llogaritja nga viti 1997, më shkoqur, 1998, kur Puçistët e LPK-së, të prirë nga Hashim Thaçi, morën me dhunë Fondin “Vendlindja thërret”. Dhe, disa muaj më vonë, filloi dhënia, pa mbulesë, e miliona markave nga Fondi Shtetëror i Republikës të Kosovës, të shprehur në 3 % obligativ, nga të ardhurat mujore, të qytetarëve të Kosovës, qofshin ata brenda apo jashtë Atdheut.

Nga faktet e rrjedhura, por, edhe të dëshmuara me shënime shkrimore e firma, vërtetohen shumat e dorëzuara dh e të pranuara, nga njerëzit e autorizuar, në emër të luftës. Por, në disa raste, me keqardhje, paratë janë abuzuar, duke u përdorur për biznese private. Dhe, kjo është praktikuar, pothuaj se, në të gjitha zonat e ndara të Kosovës, kryesisht, në xhepat e disa komandantëve me shokë.

Zakonisht, kudo në botë, ligjet parashikojnë dënime drastike, për profiterët e luftës. Dikur, litari ka qenë forma më e butë e ndëshkimit, për këto raste! Tani, kohërat kanë ndryshuar, format e ndëshkimit janë zbutur, por, kurrë nuk mund të amnistohen. Për çudë, Ministrja e zgjuar dhe trime e Drejtësisë, Albulenë Haxhiu, bëri një lapsus të papritur nga ajo, duke amnistuar korrupsionin, në shtrirje kohore për 10 vjetë radhazi! Urojmë të reflektojë, ta korrigjojë, ende pa u bërë vendim. Përndryshe, do të hynte në histori, si ortake në krimet numerike 10-vjeçare, të NPK!

Në Kosovë është bërë nami me zhvatje, hajni zyrtare. Privatizimet janë njollë e zezë, që shumë “komandantë” i zhveshë nga lavdia e luftës për çlirim, duke u dhënë epitetin neveritës “komandantë hajdutër zyrtarë”! Kthimi i pasurive brezave shqiptarë, si pendesë, për përvehtësimin e paligjshëm, do t`i rehabilitonte, në një masë.

Përndryshe, ngulmimi se “kemi luftuar për t`u pasuruar”,- siç deklaroi njëri nga kampionët e abuzimit me paratë e Kosovës, do të mbetën brez pas brezi të turpëruar, të përbaltur, të dhjerë!

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ushtarët rusë në Ukrainë pa radiolidhje

Story i radhës

Publikohen pamjet me dron: Shpërthime të fuqishme nga sulmet ruse në Mariupol

Të fundit nga