Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit kanë shënuar një rënie të ndjeshme të pjesëmarrjes së qytetarëve në votime, krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave preliminare, në zgjedhjet e fundit kanë votuar rreth 725 mijë qytetarë, përballë 906 mijë votuesve në procesin e mëparshëm, që përbën një rënie prej rreth 20 për qind.
Komunat me tkurrjen më të madhe të pjesëmarrjes në votime rezultojnë Prizreni, Prishtina dhe Malisheva.
Në Prizren është regjistruar rënia më e madhe në numër absolut të votuesve, me 17.523 qytetarë më pak. Në Prishtinë janë shënuar 14.187 votues më pak, ndërsa në Malishevë 11.370 më pak.
Në përqindje, Malisheva prin me rënien më të theksuar prej 41.60 për qind, e ndjekur nga Rahoveci me 36.97 për qind dhe Mamusha me 33.20 për qind.
Rënia e pjesëmarrjes ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rezultatin e partive kryesore në këto komuna.
Në Prizren, Lëvizja Vetëvendosje ka regjistruar 12.481 vota më pak, PDK 3.530 më pak, ndërsa AAK 432 vota më pak. E vetmja parti që ka shënuar rritje është LDK me 568 vota më shumë.
Në Prishtinë, Vetëvendosje ka humbur 11.536 vota, PDK 2.906, ndërsa LDK 582 vota më pak. AAK në këtë komunë ka shënuar rritje prej 941 votash.
Në Malishevë, Vetëvendosje është e vetmja nga katër partitë kryesore që ka pësuar rënie, duke humbur 4.630 vota, ndërsa PDK është rritur për 1.379 vota, AAK për 352 vota dhe LDK për 321 vota.
Sipas Eugen Cakollit nga Demokracia në Veprim, rënia e pjesëmarrjes lidhet me uljen e motivimit të qytetarëve për të votuar.
Ndërkohë, ndonëse diaspora ka qenë më pak e pranishme fizikisht në Kosovë krahasuar me zgjedhjet e kaluara, është raportuar një rritje e regjistrimeve për votim nga jashtë përmes postës dhe përfaqësive diplomatike, me mbi 131 mijë mërgimtarë të regjistruar për të votuar.
Burimi: botasot.info


