Kampionia e Evropës në atletikë Luiza Gega u prit sot me një ceremoni në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë.
Në ceremoninë e pritjes ishte e pranishme ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ministrja për Fëmijët dhe Rininë, Bora Muzhaqi, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli etj.
Në fjalën e saj, ministrja Kushi tha se “Luiza përfaqëson shumë më tepër sesa një kampione Evrope në atletikë. Ajo është modeli i shkëlqyer jo vetëm në sport por në çdo fushe te jetës. Luiza është modeli që duhet të frymëzojë çdo të ri shqiptar, sepse vetëm me këmbëngulje mund t’ia dalësh. Ky vit ka qenë plot ngjarje të rëndësishme për sportin”.
“Kupa e Botës, Finalja e “Conference League”, Kampionati Evropian i Peshëngritjes. Ngjarje këto që kontribuojnë edhe në promovimin e Shqipërisë, në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë shqiptare. Po ashtu, domethënëse ka qenë edhe pjesëmarrja e sportistëve tanë në ngjarjet e rëndësishme sportive në botë. Kampionate, lojëra olimpike, mesdhetare. Dhe rezultatet kanë qenë si asnjëherë tjetër, Shqipëria po ngrihet në një nivel të ri në arenën ndërkombëtare”,- theksoi Kushi.
Ministrja Kushi tha se kjo e rrit akoma më shumë përgjegjësinë për më shumë mbështetje për sportin në përgjithësi dhe sportistët elitare në veçanti.
“Përveç Ligjit të ri për Sportin, unë jam krenare veçanërisht për ndryshimet e fundit në VKM, ku kemi parashikuar që të shpërblejmë edhe sportistët e sporteve individuale, të kategorive “të rritur” dhe “të rinj”, që arrijnë rezultate në veprimtaritë ndërkombëtare. Ishte një vendim për t’i dhënë vlerësimin dhe dinjitetin e merituar sportistëve tanë elitare, duke motivuar kështu jo vetëm ata por edhe gjithë të rinjtë e të rejat që merren me sport”, shtoi Kushi.
Kushi theksoi se, zhvillimi i infrastrukturës sportive vazhdon të jetë një sfidë, për t’u krijuar sportistëve kushte sa më të përshtatshme.
“Dy aktivitetet e mëdha dhe të rëndësishme, “Conference League” dhe “Kampionati i 100-të Evropian i Peshëngritjes” dëshmuan që investimet në infrastrukturë janë një potencial për të mirëpritur aktivitete prestigjioze ndërkombëtare, të cilat përkthehen edhe në benefite ekonomike për vendin”, tha Kushi.
“E dashur Luiza, Ndër emocionet më të veçanta që kam përjetuar gjatë punës sime si ministre Sportesh ka qenë momenti kur ti dhe Brikeni valëvitet flamurin tonë kuqezi në Stadiumin Olimpik të Tokios 1 vit më parë. E momenti i dytë më emocionues ka qene këtë të shtunë teksa ti, me lot në sy, valëvite përsëri flamurin shqiptar, duke e sjellë për herë të parë në Shqipëri medaljen e artë në atletike. Nuk ka emocion më të bukur sesa lotët e gëzimit”, – u shpreh ministrja Kushi.
Kampionia Luiza Gega tha se “ju falënderoj shumë për këtë pritje, ndihem shumë e vlerësuar. Ndoshta jam lodhur shumë për të qenë këtu sot, kam shumë vite që sakrifikoj për të qenë këtu jo me detyrim por me dëshirë, zgjodha të përfaqësoj qoftë veten time, por edhe ngjyrat e flamurit tim, dhe do mundohesha çdo ditë ti përfaqësoja denjësisht”.
“Sot jam më krenare se kurrë për ato ngjyra, kjo ishte edhe arsyeja pse ndoshta derdha lot në vijën e finishit, pasi mu kthye e gjithë koha mbrapsht për mundin e sakrificën e bërë. I tregova Evropës se edhe ne mund t’ia dalim edhe pse jemi një vend i vogël dhe me shumë gjëra për të përmirësuar, por përsëri nëse punojmë fort dhe e duam këtë vend dhe atë që bëjmë, ne mund t’ia dalim”.
Sipas saj, vitet e fundit gjërat kanë ndryshuar për sportin.
“Këtë e kam ndjerë dhe e tregojnë rezultatet e mia, qoftë edhe ligji për sportin, shpërblimet më kanë dhënë një shtysë për të qenë edhe këtu sepse mbrapa ka edhe një shpërblim që merret, por qoftë edhe për gjithë mbështetjen nga Komitetit Olimpik apo Ministria e Arsimit dhe Sportit, qoftë edhe e Mbrojtjes ku unë bej pjesë, apo edhe bashkia e Tiranës. Kanë bërë të gjithë këtë që të vijë edhe kjo medalje që i kishte munguar atletikës. Uroj që të rinjtë shqiptarë të motivohen se mund t’ia dalin”, tha Gega.
Ajo falënderoi gjithashtu trajnerin e saj për rezultatin e arritur.
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli u shpreh se “Luiza Gega bëri krenarë të gjithë shqiptarët në mbarë botën. Luiza është modeli më i mirë që duhet të ndjekin të rinjtë shqiptarë. Sportistët janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë dhe kështu duhet ti presim të gjithë si sot”.
Ndërsa ministrja Buzhaqi përgëzoi Luiza Gegën për rezultatin e arritur si dhe për të gjithë mundin dhe përpjekjet e saj.
Luiza Gega u shpall kampione e Evropës në garën e 3 000 metrave me pengesa. Ajo arriti të thyejë edhe rekordin e kampionatit evropian, me kohën 9 minuta, 11 sekonda dhe 31 të qindtat. Kampionia shqiptare shkoi në finale me kohën më të mirë në fazën kualifikuese dhe ishte pretendentja kryesore për të fituar këtë garë.