Është një listë që do duhej t’i shqetësonte thellë vendet evropiane anëtare të NATO-s – kjo është e qartë: gazeta gjermane “Welt” raportoi se dokumenti e bën të qartë gjithashtu: amerikanët synojnë t’i zbatojnë këto reduktime “sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Reduktimi i angazhimit amerikan godet veçanërisht të ashtuquajturin “Model i Forcave të NATO-s”. Ky model përcakton se cilat trupa NATO mund t’i dislokojë relativisht shpejt, për shembull brenda rreth dhjetë ditësh, në një front. Më pas, modeli bën dallime deri në një periudhë prej gjashtë muajsh për zhvendosjen. Të gjitha shtetet e NATO-s përcaktojnë në mënyrë të detyrueshme se çfarë mund të kontribuojnë për secilën periudhë kohore.
Më pak avionë, dronë dhe anije luftarake
Pikërisht këtu SHBA-ja, sipas raportit të gazetës, po bën shkurtime: ato duan të reduktojnë numrin e avionëve më të vjetër mbushës dhe t’i tërheqin plotësisht nga NATO tipet moderne. Edhe numri i avionëve luftarakë pritet të ulet, ndërkohë që ka reduktime të konsiderueshme edhe në numrin e dronëve, të cilët shtetet evropiane sapo i kanë siguruar me vështirësi. Veçanërisht drastike tingëllojnë planet e SHBA-së për forcat detare të NATO-s: një numër i madh njësish me kryqëzorë dhe shkatërrues nuk do të vihet më në dispozicion.
Qeveria federale reagoi relativisht e qetë të premten ndaj këtij raporti mediatik. Megjithatë, nga deklaratat e zëdhënësit të ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD), kolonelit Mitko Müller, në konferencën federale të shtypit në Berlin, u kuptua se publikimi i dokumentit kishte irrituar edhe ushtrinë gjermane. Sipas Müller “planet mbrojtëse të NATO‑s dhe strukturat e forcave janë të klasifikuara – dhe jo thjesht pak, por si sekrete, për arsye të mira.” Përndryshe, sipas Müllerit, prej kohësh është e qartë se SHBA-të do ta ulin angazhimin e tyre në NATO: “Që vendet evropiane duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim, kjo nuk është më sekret prej më shumë se tre vitesh.”
Dhe i pyetur për shifrat konkrete në këtë listë të shkurtër, Mülleri shtoi: “Për shifra dhe përmbajtje flitet vetëm në kuadër të NATO‑s, në një kontekst sekret. Prandaj këtu nuk mund të konfirmoj as të mohoj asgjë.”
Schmid: “Vendimtare është koha që na jepet”
Edhe eksperti i mbrojtjes nga radhët e socialdemokratëve në pushtet në Bundestag, , nuk dëshiron të shprehet për shifrat konkrete të dokumentit. Por në një intervistë për DW ai thotë se lista nuk e ka alarmuar vërtet. Sipas tij, vendimtare nuk është vetëm shkalla reale e reduktimit të aftësive ushtarake, por mbi të gjitha koha në të cilën SHBA-të kërkojnë nga evropianët të reagojnë:
“Nuk po flasim vetëm për boshllëqe të mundshme, por për afatin kohor në të cilin kjo duhet të ndodhë. Nëse na japin më shumë se një, dy apo tre vjet, ose i ulin aftësitë dhe sistemet e tyre gjatë pesë viteve të ardhshme, kjo do të jetë për ne shumë më e lehtë për t’u përballuar, sesa nëse pritet që ta realizojmë këtë brenda një viti.”
Trump vjen në samitin e NATO-s, sipas Rubios
Sidoqoftë, një gjë është e sigurt: çështja e reduktimit të angazhimit të SHBA-së në NATO do të jetë tema kryesore e samitit të aleancës në Turqi, i cili fillon më 7 korrik. Dhe gjithashtu koha që do t’u mbetet evropianëve pas kësaj.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi në një seancë të Dhomës së Përfaqësuesve në Uashington se presidenti Trump do të udhëtojë personalisht në Turqi. Vetë samiti, sipas tij, do të jetë “pa dyshim më i rëndësishmi në historinë e organizatës”.
Dhe më pas Rubio tha fjalinë që që atëherë është cituar shumë: “Ne vazhdojmë të jemi anëtarë të NATO-s, por NATO-s i duhen ndryshime të thella.” Ka “disa çështje që duhet të sqarohen dhe të rregullohen.” Se bëhet fjalë për reduktimin e pranisë ushtarake amerikane brenda NATO-s, kjo mund të konsiderohet e sigurt. / DW
Burimi: botasot.info


