Lufta në Ukrainë, 360 vetë kaluan 26 ditë të mbyllur në bodrum

Rusët pushtuan fshatin ukrainas Yahidne në ditët e para të luftës. Pas largimit të tyre nga kjo zonë në fund të marsit, banorët që qëndruan në shtëpitë e tyre gjatë pushtimit filluan të rrëfenin historitë e tyre. Korrepondentja e Zërit të Amerikës, Anna Kostutschenko bisedoi me dy banorë të rajonit të Chernihivit në Ukrainë. 

Fshati Yahidne ndodhet rreth 20 kilometra në jug të Chernihivit, në Ukrainën veriore. Më 5 mars, trupat ruse e pushtuan atë. 

Taisiya Petrivna thotë se trupat ruse arritën atje papritmas. 

Ushtarët e armatosur rusë urdhëruan zonjën Petrivna dhe burrin e saj me aftësi të kufizuara të transferoheshin në bodrumin e një shkolle lokale. 

“Rreth orës 16:00, tre ushtarë të armatosur hynë brenda dhe thanë ‘largojeni plakun tuaj menjëherë!’” 

Ushtarët rusë i detyruan të gjithë fshatarët të hynin në bodrumin e shkollës. 360 persona, duke përfshirë 77 fëmijë, u vendosën në një hapësirë prej 200 metrash katrorë. 

Fshatarët nuk e dinin se do të qëndronin gati një muaj atje. 

Të rriturit detyroheshin të flinin ulur, sepse nuk kishte hapësirë për t’u shtrirë. 

Mes tyre ishte edhe punonjësi i shkollës Ivan Polgui. 

“Këtu ka patur stola. Një person me aftësi të kufizuara ishte shtrirë këtu. Tre persona vdiqën në këtë hapësirë”, thotë ai. 

Disa nga të moshuarit vdiqën nga mungesa e oksigjenit. 

Emrat e tyre u shkruajtën në mure për t’u mbajtur mend. 

Shumë shpejt, gjashtë emra të fshatarëve të rinj të pushkatuar nga ushtarët rusë iu shtuan kësaj liste. 

“Yaniuku u ekzekutua. Gryshenko u ekzekutua. Radchenko vdiq nga një shpërthim. Victor Shevchenko dhe vëllai i tij Toliku u ekzekutuan”, thotë ai. 

Ushtarët rusë lejonin vendasit të dilnin nga bodrumi një herë në ditë për të shkuar në toalet. 

Trupat ukrainase e çliruan fshatin më 31 mars. Zonja Petrivna u kthye në apartamentin e saj dhe mësoi se dikush kishte qëndruar aty ndërsa ajo ishte larguar. 

“Në shtëpinë time jetonin pesë persona me origjinë nga Buriati”, thotë ajo. 

Ushtarët rusë e lanë zonën në një gjendje të rëndë, thotë ajo. 

Rusët morën pajisje shtëpiake, vegla, çarçafë krevati dhe rroba, thotë zonja Petrivna. Në fillim të pushtimit, ata i detyruan fshatarët të dorëzonin telefonat e tyre, duke i kërcënuar me ekzekutim. 

“Nëse nuk na jepni mjetet e komunikimit, thanë ata, ne do t’i marrim të rinjtë dhe do t’i ekzekutojmë të tjerët”, thotë ajo. 

Apartamenti i zonjës Petrivna u plaçkit, por të paktën shtëpia e saj nuk është shkatërruar, thotë ajo. 

Rreth një e treta e shtëpive në Yahidne u shkatërruan dhe ende ka municione të pashpërthyera në disa pjesë të fshatit./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Lojtari grek: Kosova po kërcënon…

Story i radhës

Ceremoni solemne në UEJL! U promovua gjenerata e 18-të

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish