Lufta çlirimtare e Kosovës, viktimat shqiptare dhe Gjykata Speciale e Hagës

Çdo luftë në botë, ka sjellur vetëm të këqija, deportime, masakra, shkatërrime, në të cilat viktimë kryesore kanë qenë fëmijët, gratë, pleqtë, d.m.th. civilët e paarmatosur. Kështu edhe lufta për çlirimin e Kosovës nga agresioni serb, prodhoi një tragjedi të vërtetë ku viktima ishin civilët.

Mirëpo lufta çlirimtare e Kosovës, u karakterizua me një fenomen tjetër specifik, që nuk është shembull i luftërave tjera çlirimtare, respektivisht në Kosovë u paraqit dukuria e vrasjeve dhe likuidimeve ndër shqiptare. Bëhet fjalë për likuidimin e kundërshtarëve politik, respektivisht  të gjithë ata që ishin pjesë e LDK-ës dhe përkrahës të Ibrahim Rugovës, si dhe ekzekutimin e ushtarakëve që ishin pjesë e strukturave të organizuara institucionale, respektivisht formacioneve të strukturuara nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, konform Kushtetutës së Kaçanikut.

Këto vrasje, siç dihet botërisht, kanë ndodhur para, gjatë dhe pas luftës, jo nga policët, strukturat paramilitare apo ushtria serbe, por nga vet shqiptarët.  Ekzekutimet janë kryer nga njerëz me uniforma të zeza, të maskuar… në rrugë, para shtëpie, para banese, në kurthe të ndryshme, në mënyra tinëzare dhe të liga.

Po ashtu gjatë kësaj periudhe, ka patur burgosje arbitrare të shqiptarëve, me ç’rast ata kanë qenë brutalisht dhe mizorisht të maltretuar dhe rrahur në mënyrë ç’njerëzore.

Prandaj për të gjitha këto, dikush duhet të përgjigjet, sepse nuk bëhet fjalë për vrasje të tradhtarëve, por vrasje për interesa dhe përfitime të grupeve të caktuara për realizimin e qëllimeve të tyre finale.

« Aktorët e luftës » sigurisht se kanë qenë në dijeni për të gjitha vrasjet, sepse këto personazhe ishin pjesë e të gjitha zhvillimeve të kësaj periudhe. Kur kësaj i shtohet se, krahu i luftës por edhe LDK-ja, kanë patur shërbimet e tyre informative, atëherë është e qartë se ata duhet të dijnë gjëra konkrete për këto vrasje. Njohuritë e tyre, shpesh herë ata vet i kanë përfolur në publik, por edhe në sallën e Kuvendit të Kosovës pa dhënë detaje.

Meqenëse gjykatat vendore, të kapura nga politika, nuk patën guximin t’i gjykojnë këto vrasje, prandaj u themelua  Gjykata Speciale në Hagë, në të cilën tani gjinden në paraburgim disa nga ish krerët e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe udhëheqës të UÇK-ës, në cilësinë e të akuzuarve.

Mirëpo edhe pse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, kjo nuk do të thotë se  këta duhet të heshtin, përkundrazi duhet të flasin për të gjitha që ata dijnë, e në realitet ata duhet të dijnë shumë çka, sepse ishin pjesë e të gjitha zhvillimeve para, gjatë si dhe pas luftës kur ata ishin në pushtet. Edhe nëse këta janë të pafajshëm dhe nuk janë ekzekutuesit, këta përmes informacioneve dhe të dhënave që disponojnë, mund të kontribuojnë në zbulimin e ekzekutuesve, por eventualisht edhe porositësit e këtyre vrasjeve.

Në veçanti, PDK-ja dhe LDK-ja, duke patur shërbimet e tyre informative, ata  janë informuar sistematikisht për ngjarjet dhe zhvillimet në terren, dhe AAK-ja në përgjithësi, janë minierat kryesore të informacioneve, që mund t’a ndihmojnë këtë proces të dhimbshëm, sidomos për familjarët e viktimave që presin drejtësi. Personazhet e këtyre tre partive, mbase janë të vetmit që disponojnë me informacionet e nevojshme për zbardhjen e të gjitha vrasjeve politike në Kosovë, nëse nuk e ndihmojnë këtë proces, ata do të shkelin mbi gjakun e viktimave të pafajshëm.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja për dy dekada ishin në pushtet, qeverisën dhe bashkëqeverisjen dhe nuk bënë asgjë për nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë, a mos do të thotë kjo se, vet ata janë të implikuar ?!

Prandaj, jo vetëm të akuzuarit e tanishëm, por edhe të akuzuarit e tjerë që do të pasojnë,  duhet t’a flasin të vërtetën, sepse vetëm kështu mund të ndriçohen vrasjet enigmatike, që nuk gjetën zgjidhje edhe pas dy dekadave.

Të gjithë të akuzuarit e këtij procesi gjyqësor, sipas Prokurorisë Speciale të Hagës, akuzohen sepse supozohet se janë në dijeni dhe kanë informacione për vrasjet, dhe nëse këta nuk tregojnë të vërtetën, së paku, ata mund të jenë bashkëfajtor dhe pjesë e këtyre falangave ndëshkuese.

Prandaj të akuzuarit duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, të jenë në nivelin e pritshmërive të qytetarëve të Kosovës, t’a flasin të vërtetën, sepse kjo është e vetmja mënyrë për t’a pastruar  UÇK-ën dhe Luftën Çlirimtare të Kosovës nga të inkriminuarit, drejtësia të del në shesh e sidomos familjarët t’a dinë fatin e më të dashurve.

Dhe krejt në fund, nëse ndonjë nga të akuzuarit që ka përfituar nga buxheti i shtetit mbrojtje juridike, shpallet fajtor me Aktgjykim të formës së prerë, ato mjete t’ia kthejë buxhetit të shtetit.                                           

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ekspertët: Motivi i Putinit, t’i rikthejë Rusisë lavdinë e dikurshme

Story i radhës

Presidenti amerikan dënon ‘mizorinë e tmerrshme’

Të fundit nga