Lojërat Dimërore, një tjetër lloj i Olimpiadës

February 2, 2022
min lexim

Olimpiada e parë – e ashtuquajtur moderne – u zhvillua në Athinë në vitin 1896. Por, Lojërat Olimpike Dimërore nuk u mbajtën deri në vitin 1924 në Shamoni të Francës.

Atë kohë, president i SHBA-së ishte Calvin Coolidge dhe, po atë vit, në Bashkimin e sapokrijuar Sovjetik vdiq Vladimir Lenin.

Një veturë e re në Shtetet e Bashkuara kushtonte vetëm 300 dollarë.

Nga viti 1924 deri në vitin 1992, Lojërat Olimpike Dimërore dhe Verore u mbajtën në të njëjtin vit.

Në vitin 1992, Lojërat Dimërore u mbajtën në Albertvill të Francës dhe u pasuan nga Lojërat Verore në Barcelonë.

Pastaj, erdhi ndryshimi.

Që nga viti 1994, Olimpiadat mbahen çdo dy vjet. Lojërat Olimpike Dimërore të vitit ’94 u zhvilluan në Lillehammer të Norvegjisë dhe, dy vjet më vonë, më 1996, Lojërat Olimpike Verore u mbajtën në Atlanta të SHBA-së.

Pas dy vjetësh, në radhë ishte Nagano në Japoni, me Lojërat Olimpike Dimërore.

Ky model u thye nga shtyrja e Lojërave Olimpike Verore “Tokio 2020” për në vitin 2021, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Këtë vit, Lojërat Dimërore të Pekinit fillojnë të premten, më 4 shkurt, vetëm gjashtë muaj pas mbylljes së Lojërave Olimpike të Tokios.

Ato do të pasohen nga Lojërat Olimpike Verore më 2024 në Paris.

Pse Lojërat Olimpike mbahen çdo dy vjet?

Historiani olimpik, Bill Mallon, thotë se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar përpiqej të gjeneronte më shumë të ardhura.

Dhe, sipas tij, ai “mendoi se mund të sigurojë më shumë para nga sponsorizimi, duke e zgjatur më shumë kohën ndërmjet Lojërave Olimpike”.

Periudha dyvjeçare e mbajti Olimpiadën në syrin e publikut, duke ndikuar edhe në rritjen e komercializimit dhe profesionalizimit të Lojërave.

Pekini – qyteti i parë për Lojërat Dimërore dhe Verore

Vështirë besohej se Pekini do të ishte qyteti i parë që organizon Olimpiadën Verore dhe atë Dimërore.

Nga të gjithë organizatorët olimpikë dimërorë, Pekini ka më pak traditë në sportet dimërore.

Pekini triumfoi si nikoqir i Lojërave për vitin 2022, derisa gjashtë vende evropiane – përfshirë Norvegjinë dhe Suedinë – u larguan për arsye të kostos ose politike.

Gjermania dhe Zvicra thanë “jo” përmes referendumit.

Komitetit Olimpik Ndërkombëtar iu desh të zgjidhte ndërmjet Pekinit dhe qytetit Almati në Kazakistan.

Bill Mallon kujton se qyteti kanadez, Montreal – nikoqir i Lojërave Olimpike Verore të vitit 1976 – bëri përpjekje, por dështoi disa herë për t’u bërë nikoqir i Lojërave Olimpike Dimërore.

Montreali tentoi të merrte përsipër organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore më 1932, 1936, 1944 dhe 1956, por përfundoi i dyti më 1936, 1944 dhe 1956.

Përpjekje për organizimin e të dyja Lojërave bëri edhe më 1944 dhe 1956.

Edhe qyteti tjetër kanadez, Kuebec, jo shumë larg Montrealit, tentoi t’i organizonte Lojërat Olimpike Dimërore më 2002.

Lojëra shumë më të vogla

Në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit pritet të marrin pjesë rreth 2,900 atletë nga 90 shtete.

Në Lojërat Olimpike të Tokios, të mbajtura gjashtë muaj më parë, ishin 11,000 atletë.

Ashtu si në Tokio, organizatorët thonë se nuk do të ketë tifozë nga vendet e tjera dhe vetëm një pjesë e vogël e tifozëve “të zgjedhur” vendas do të jenë të pranishëm në vendet ku zhvillohen Lojërat. Kjo, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Edhe Lojërat Olimpike Dimërore, edhe ato Verore zgjasin mbi 17 ditë. Në vitin 1980, në Nju Jork, Lojërat Dimërore zgjatën vetëm 12 ditë.

Deri më tash, janë tri vende që i kanë mbajtur Lojërat Olimpike Dimërore nga dy herë: St. Moritz, Zvicër (1928, 1948), Insbruk, Austri (1964, 1976) dhe Nju Jork, SHBA (1932, 1980).

Resorti italian, Kortina d’Ampezo, i cili i organizoi Lojërat Olimpike Dimërore në vitin 1956, do t’i organizojë sërish ato më 2026.

Kurse, Saporo i Japonisë, që ishte nikoqir i Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 1972, është pretendent kryesor për vitin 2030.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk ka bërë të ditur se kur do ta shpallë organizatorin për vitin 2030./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Moderatorja turke paraqitet në gjyq me fustan nusërie

Story i radhës

Aksident në Lezhë, makina përplaset me shtyllën e energjisë elektrike dhe me pemën

Të fundit nga

Përse macet flenë dy të tretat e jetës?

Jeta e maceve shtëpiake përbëhet nga katër aktivitete – loja, gjuetia, ngrënia dhe gjumi. Pasi kanë prejardhjen nga macet e egra, kjo në ambient të hapur ka plotësisht kuptim, sepse janë grabitqare
ShkoLartë