Kush janë ideatorët për kufijtë të cenueshëm, kush e inspiroi ketë ide të frikshme serbe me argat shqiptarë, kush janë njerëzit që duan serish ti venë ‘thikat’ dhe ‘gërshërët’ mbi harta, pse tani përsëri flitet për këmbim tokash, kur menduam se kjo i takonte të shkuarës.
Kush i inspiroi gazetarët, Goranin, e Haxhiun, PDK-sitët, Çitakun dhe Bujën, Molliqajn e PSD-së dhe Hazirin e LDK-së për kembim tokash. Kush i tha Ramës të heshti kur flitet për këmbim territoresh. Pse Qosjes i pëlqen ideja e ndarjes, një ide e propozuar për herë të parë nga akademiku serb Dobrica Qosiq, për një ndarje të keqe si me thikë përgjysmë.
Ky kor i frikshëm politikanësh, gazetarësh, analistësh, krijon një precedent të ri, duke u dhënë sinjale frenimi atyre vendeve që s’e kanë njoh Kosovën, të presin deri në pafundësi. A janë këta ‘lajmëtarët’ e Thaçit që po bëjnë tentimin e fundit për ndarje, për anulim të speciales, për nxitim të dialogut, për kompromise të dhimbshme, për amnestim të Serbisë nga krimet, vetëm që të vijnë në pushtet, sepse, gjoja vetëm me këta arrihen kompromiset dhe finalja e madhe.
A është ky një ‘timing’ i keq, një koincidencë, apo një qëllim tinëzar, pse këta ‘lajmëtarë’ zgjodhën çastin tani që sërish të ngritet çështja e këmbimit të territoreve, kur Rusia kërcënon paqen dhe përgatitet për okupim, mu në mes pandemisë e krizës energjetike. Ku e gjejnë guximin këta njerëz, në emër të kujt flasin për ndarje, kur ky s’është interes i Kosovës.
Çuditërisht, shqiptarët në vend se të jenë pararojë e pavarësisë, por na ndodh e kundërta, fatmirësisht, përsëri ishin miqtë tanë ata që na e tërhoqën vëmendjen, se dikush punon fort për ndarje të Kosovës. Ky ishte miku ynë amerikan David Phillips, keshilltar i Qeverisë së Kosovës që në formë proteste e lëshoi pozitën e këshilltarit, lëshoi privilegjet materiale, sepse si tha, ai nuk dëshironte të ishte pjesë e pazareve për ndarje të Kosovës. Ai në mënyrë profetike më 22 tetor, 2018 tha : “Unë ia dorëzova dorëheqjen qeverisë së Kosovës, unë nuk mund të marrë pjesë në negociata që punojnë për ndarjen e vendit”, dhe më në fund ia shton atë fjalinë profetike: “Asnjë vend tjetër nuk do e njoh Kosovën, sa kohë që diskutimi për ndarje nuk merr fund”, dhe kjo vazhdon edhe sot.
Atëbotë, shumica e partive që bashkëpunonin me Thaçin heshtën. Asnjëri nga PDK-ja s’ia prishi planin Thaçit, derisa ai me zell vazhdonte të lobojë me para të shtetit për ndryshim kufijsh. Ai e tha haptas nëpër samite nga Parisi deri në DC, se e donte këmbimin në emër të paqes, dhe veproi kështu deri në fluturimin e tij të fundit të abortuar.
Edhe një tjetër amerikan, ambasadori ri në Prishtinë Hovenier, me deklaratën e tij të fundit sikur ua shkëputi shpresën përfundimisht aventurierëve për këmbim territoresh, demonëve, duke thënë: “Kosova është një shtet i pavarur. Disa njerëz mund të zgjedhin ta kontestojnë atë, por kjo është çfarë është. Kosova është shtet sovran. Dhe, njerëzit mund të argumentojnë sa të duan, por realiteti, faktet në terren flasin vetë.”
Carlton F.W.Larson, një studiues amerikan i ligjit kushtetues, përkufizimin e tradhtisë e definon sipas kushtetutës si “më i tmerrshëm se vrasja”. Derisa, praktika kosovare tradhtinë definon si një akt të rëndomtë dhe të përsëritshëm, që kryhet nga hajdute të pasur të skenës politike që kanë kryer një seri tradhtish e vjedhjesh, por që mbeten të lirë e të pandëshkuar.
Ky marsh i bezdisshëm i ‘demonëve’ tanë, duke u rënë daulleve kërcënuese të Vuçiqit, për ndërrim kufijsh me tone ulëritëse nëpër TV studio, të bëjnë të ndjehesh sikur ankthi më i keq vjen nga vetë shqiptarët. Aventura për këmbim tokash është një eksperiment i djallit dhe një refuzim i shtetit tonë të ri.
Derisa, këmbimi mbetet një tentim dhe një histori e trishtë e Kosovës që shkakton makth kolektiv, Zajednica vazhdon të mbetet një pritë dhe një kurthe e vënë nga Serbia dhe e nënshkruar nga politikanë tradhtar shqipfolës. Vetëm me këmbëngulësi dhe unitet Zajednica mund të zhvishet nga kompetencat e frikshme disa të propozuara por ende të pa analizuara, dhe, për këtë akt duhet uniteti.