Jurgen Klopp është i fokusuar te fundi i sezonit, që mund të kthehet i paharrueshëm për Liverpoolin, trajnerin gjerman dhe gjithë fansat e kuq.
Skuadra angleze fitoi EFL Cup, ndodhet në finalen e FA Cup, është një hap larg kalimit në finalen e Champions League po ndodhet vetëm një pikë larg Manchester City në kampionat.
Katër trofe brenda një sezoni nuk i ka fituar asnjë ekip anglez, dhe lojtarët e Liverpoolit po bëjnë maksimumin për të shkruar historinë.
Ndërkohë, drejtuesit e klubit vazhdojnë punën në lidhje me përforcimet në merkato. Objektivi kryesor i “The Reds” është Jude Bellingham.
18-vjeçari anglez po paraqitet shumë mirë me Borussia Dortmund në Gjermani, teksa këtë sezon numëron 6 gola dhe 13 asiste në të gjithë kompeticionet.
Klopp është i dashuruar pas cilësive të mesfushorit, që ka veshur 12 herë fanellën e kombëtares angleze pavarësisht moshës së re.
Anglezët po përgatisin një ofertë tunduese për lojtarin dhe Dortmundin, që gjithsesi nuk kërkon të privohet nga Haaland dhe Belligham në të njëjtën kohë.
Por, te Liverpooli janë të bindur që do arrijnë një marrëveshje për t’i dhuruar trajnerit Klopp një nga mesfushorët më të talentuar në qarkullim.