live disa lumenj dalin nga shtrati akse te bllokuara e mungese energjie rreshqitja e dherave u afrohet banesave ne mirdite keto jane zonat me problematike 6963a8c33ab28

LIVE/ Disa lumenj dalin nga shtrati, akse të bllokuara e mungesë energjie. Rrëshqitja e dherave u afrohet banesave në Mirditë, këto janë zonat më problematike

January 11, 2026
min lexim

Vendi ynë ka hyrë në ditën e gjashtë të përmbytjeve, ku situata vijon të jetë e vështirë në disa zona.

Qarku i Durrësit, Fieri, Lezha, Gjirokastra e Vlora kanë ndër më të prekurit nga reshjet e shiut të ditëve të fundit.

11 Janar 2026

 13:19 Rreth 120 banesa të prekura nga përmbytjet në Ferras, grupet e verifikimit zbresin në terren për konstatimin e dëmeve

Katër grupe komisionesh verifikimi kanë dalë në terren paraditen e sotme në fshatin Ferras për të konstatuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit.

 12:26 Paralizohet prej dëborës aksi Librazhd-Peshkopi, dhjetëra qytetarë bllokohen me mjetet e tyre në kthesën e Lunikut

Për shkak të reshjeve me intensitet të lartë të dëborës, aksi Librazhd-peshkopi është bllokuar.

12:12 Reshjet e shiut dhe dëborës, dëmtohet banesa e familjes me 8 anëtarë në Vilë të Bushtricës

Reshjet e shiut e borës kanë shkaktuar dëme në një banesë dykatëshe, që i përket familjes së Naim Dragjoshit.

12:10 Reshjet e dendura të dëborës në qarkun e Kukësit, dhjetëra fshatra të bllokuara

Reshjet e dendura të borës kanë sjellë vështirësi të shumta për banorët e zonave të thella malore në qarkun e Kukësit.

 12:06 Rrëshqitja e dherave dhe gurëve në shpatin e malit, prej 4 ditësh 250 banorë të fshatit Bashaj të izoluar

Prej 4 ditësh 250 banorë të fshatit Bashaj vijojnë të jenë të izoluar.

12:02 Dalja e lumit Seman nga shtrati, përmbyten stallat e bagëtive dhe pularive, fermerët apel për ndihmë

Lumi Seman ka dalë nga shtrati në fshatin Mbrostar Ura, duke shkaktuar përmbytje të konsiderueshme.

11:56 Prurjet e lumit Vjosë, banorët të frikësuar ‘monitorojnë’ urën e Mifolit: Kërkojmë ndihmë, të hapen kanalet kulluese

Banorët e fshatrave të njësisë administrative Novoselë, kryesisht ata të fshatit Bishan, janë të frikësuar nga prurjet e lumit Vjosë.

10:05 Rrëzohen përsëri shtyllat elektrike në Mirditë prej rrëshqitjes së dherave, avancimi i gërryerjes po shkon drejt banesave, kërkohet ndërhyrje urgjente

Si pasojë e vazhdimit të gërryerjes së tokës bujqësore në Zall – Donaj nga Lumi Fan i Vogël, rreth orës 00:00 janë rrëzuar përsëri shtyllat elektrike të TM, të spostuara një ditë më parë nga OSHEE, pasi gërryerja ka avancuar duke kaluar vendin e spostimit, duke lënë pa energji fshatin Ndërfanë, Gëziq, Kalanjan, Cekaj. Avancimi i gërryerjes po shkon drejt rrugës së fshatit dhe banesave.

09:46 Lumi Seman dhe Shkumbin dalin nga shtrati, preken rreth 20 banesa

Prurjet në lumenjtë Seman janë kuota të larta, ndërsa ky lum ka dalë nga shtrati në fshatin Murriz, Njësia Administrative Fiershegan, Bashkia Lushnje dhe ka prezencë uji në oborret e banesave.

09:37 Reshje dëbore me intensitet të lartë në qarkun e Elbasan, aksi Librazhd-Peshkopi i pakalueshëm, pa energji elektrike disa zona

Në qarkun e Elbasanit gjatë gjithë natës ka pasur reshje dëbore me intensitet të lartë në zonat malore.

09:35 Moti i keq/ 525 hektarë tokë bujqësore në qarkun e Shkodrës me prezencë uji, cilat janë zonat më problematike

Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm, me nivele uji nën kuotat kritike dhe pa banesa me prezencë uji në brendësi të tyre.

09:21 Pa energji elektrike dhe me disa akse dhe rrugë të bllokuara, situatë problematike në qarkun e Dibrës

Moti gjatë natës në qarkun e Dibrës është shoqëruar me reshje dëbore, të cilat në Preshkopi kanë arritur nga 13-25-40 cm, ndërsa vijojnë aktualisht reshje të pakta dëbore.

 09:00 Rreth 600 familje në fshatrat e qarkut Korçë pa energji elektrike, si paraqitet situata me akset rrugore

Rreth 600 abonentë ruralë në qarkun e Korçës aktualisht janë pa energji elektrike pasi 6 fidera janë të stakuar, ndërsa nuk ka mungesë energjie në zonat urbane.

 08:47 Lumi Erzen në monitorim pas rritjes së nivelit të ujit, si paraqitet situata këtë të diel në qarkun e Durrësit

Gjatë natës ka pasur prani të reshjeve të shiut me intensitet shumë të ulët.  Strukturat operacionale dhe ato të emergjencave ndodhen në terren dhe po e ndjekin situatën në mënyrë të pandërprerë, në koordinim me Shtabin e Emergjencave Civile.

08:00 Vjosa del sërish nga shtrati pranë Urës së Mifolit, rrezik rritjeje deri në 9 metra

Lumi Vjosa ka dalë sërish nga shtrati pranë Urës së Mifolit. Niveli i ujit ka shkuar në 7.45 metra, duke sjellë përsëri përmbytjen e tregut te kafshëve poshtë urës së Mifolit.

10 Janar 2026

21:30 Rritet intensiteti i reshjeve të dëborës në Qafë Thanë, temperaturat ulen në 0 gradë celsius

Reshjet e dëborës me intensitet të lartë kanë rinisur në zonën e Qafë Thanës, në territorin e Pogradecit. Aktualisht, lëvizja e mjeteve kryhet pa përdorimin e zinxhirëve, ndërsa kontraktorët janë në terren duke kryer kriposjen dhe pastrimin e vazhdueshëm të aksit rrugor.

21:26 Reshje shiu dhe dëbore në Elbasan/ Prurjet e mëdha të lumit Devoll përmbytin tokat në Belsh, probleme edhe me energjinë elektrike

Në qarkun Elbasan orët e paradites janë karakterizuar nga kohë me reshje shiu me intensitet të ulët e mesatar. Në lartësi mbi 700 m kanë filluar reshjet e dëborës, ndërsa akset rrugore nacionale janë të hapura për qarkullimin e mjeteve.

20:24 “Do bëjmë vetëgjyqësi”/ Banorët e përmbytur të fshatit Çiflik dalin në protestë: Na mbyti bashkia, ka mbyllur kanalin kullues

Banorët e fshatit Çiflik janë ngritur mbrëmjen e sotme në protestë për shkak të përmbytjeve, që sipas tyre shkaktohen nga bllokimi i kanalit kullues. Prej me shumë se një muaji kanali është i bllokuar dhe kjo ka çuar në përmbytjen e tokave dhe banesave të tyre, dy herë brenda këtyre dy muajve.

19:39 1200 hektarë tokë e përmbytur në Lushnjë dhe Divjakë/ Dëme të konsiderueshme në bujqësi, kërcënohet blegtoria

Fusha e Tërbufit është përmbytur. Gjithsej janë përmbytur 700 ha sipërfaqe bujqësore në territorin e bashkisë Divjakë dhe 500 ha në bashkinë Lushnjë. Uji ka arritur nivelin ne një metër thellësi nëpër fusha. I bllokuar prej katër ditësh nga uji ka mbetur ky blegtor i cili është i vetmi në Tërbuf që zhytet për të parë tufën e të imtave qe janë brenda stanit.

19:04 Situatë e rëndë në fshatin Malëshovë të Këlcyrës, çarja e dheut rrezikon jetën e tre familjeve

Paraqitet e rëndë situate nga moti i keq në fshatin Malshovë të Këlcyrës. Korrespondentja e Top Channel Entjola Budo raporton se rrezikohet jeta e tre familjeve, pasi çarja e dheut fare pranë shtëpisë së tyre rrezikon fundosjen e masivit.

18:29 Reshje të dendura dëbore në Bogë – Qafë Thore – Theth, policia: Nuk do lejohet qarkullimi i mjeteve deri në…

Për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, do të bllokohet gjatë natës segmenti rrugor Bogë, Qafë Thore- Theth. Policia e Shkodrës njofton se rruga do të bllokohet për shkak të rrezikshmërisë së lartë nga ortekët e dëborës si pasojë e kushteve të përkeqësuara atmosferike.

17:43 Reshjet e dëborës në vend, Rama njofton: Autoriteti Rrugor Shqiptar i angazhuar në gjithë territorin, apel qytetarëve të kenë kujdes

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar me anë të një postimi në rrjetet sociale se në kushtet e motit të vështirë që ka përfshirë vendin, ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar janë angazhuar pa ndërprerje në të gjithë territorin, duke punuar ditë e natë për të mbajtur akset rrugore të hapura dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve në qarkullim.

17:39 Nisin reshjet e dëborës në Qafën e Llogarasë, vështirësohet qarkullimi nga Dukati në Palasë

Në Qafën e Llogarasë kanë rinisur reshjet e dëborës, të cilat kanë shkaktuar disa probleme në qarkullimin rrugor në këtë aks, nga fshati Dukat deri në zonën e Palasës. Menjëherë është njoftuar Policia Rrugore se bashku me mjetet borëpastruese.

17:18 Reshjet e dëborës “zbardhin” rrugën e Arbrit, bllokohet qarkullimi i automjeteve nga makinat pa zinxhir

Reshjet e dendura të dëborës bllokojnë rrugën e Arbrit. Shkak janë bërë makinat pa zinxhir dhe makinat pa goma dimërore. Bllokimi i rrugës vijon nga Ura e Vashës deri në hyrje të tunelit të Murrizit.

17:10 Moti i keq në vend, policia e shtetit i bën thirrje drejtuesve të automjeteve: Shmangni parakalimet e gabuara dhe moderoni shpejtësinë

Reshjet e shiut, breshërit dhe dëborës që kanë përfshirë disa zona të vendit kanë shtuar rrezikun për aksidente rrugore.
Në këto kushte, Policia e Shtetit u bën thirrje drejtuesve të automjeteve dhe motomjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve aksidentale.

17:06 Përmbytjet në qarkun e Lezhës/ Izolohen disa fshatra, rrëshqitjet e tokës bllokojnë qarkullimin

Territori i Qarkut Lezhë vijon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të dobët. Strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile ndodhen në terren për monitorimin dhe menaxhimin e situatës.

16:21 Moti i keq në vend/ Bllokohen akset rrugore në Kukës, disa fshatra probleme me energjinë elektrike

Situata në Qarkun Kukës përgjithësisht e qëndrueshme. Sipas raportimeve, moti është karakterizuar nga reshje të dobëta deri mesatare shiu, ndërsa në zonën e Valbonës janë shënuar reshje bore.

16:18 Rrëshqitje masive në Bashaj e Matogjin/ 500 metra tokë e shkëputur, dhjetëra familje të izoluara prej ditësh

Rreth 500 metra rrugë tokësore janë shkëputur, së bashku me një masiv mali, në fshatrat Bashaj dhe Matogjin. Si pasojë, dhjetëra familje të fshatit Bashaj kanë mbetur të izoluara dhe ndodhen në kushte të vështira.

16:16 Rritet niveli i lumit Vjosë duke shkuar në 6 metra, rrezikohet sërish dalja e tij nga shtrati

Niveli i lumit Vjosë është rritur sërish mesditën e kësaj të shtune. Gjatë ditës së djeshme, por edhe në orët e para të ditës së sotme, niveli i Vjosës ka arritur kuotat 5.1–5.2 metra. Ndërkohë, në mbrëmjen e së shtunës, niveli i lumit ka shkuar në 6.0 metra.

16:00 Përmbytjet në vend, reagon Ministria e Mbrojtjes: Ja cilat janë qarqet që rrezikojnë më shumë

Si pasojë e reshjeve intensive të shiut gjatë orëve të fundit, disa qarqe të vendit përballen me përmbytje, rritje prurjesh në lumenj, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullimin rrugor, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Situata paraqitet më kritike në Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera problematika është e kufizuar ose situata është e qëndrueshme.

15:50 Bllokohet rruga në Sukth, forcat e ushtrisë në terren për të ndihmuar banorët e bllokuar

Aksi rrugor te kthesa e Perlatit në njësinë administrative Sukth vazhdon të jetë nën ujë. Dalja e lumit Erzen nga shtrati dhe mostërheqja e ujit kanë bllokuar rrugën duke izoluar banorët në zonë. Forcat e ushtrisë që ndodhen në terren po ndihmojnë banorët e bllokuar duke u siguruar transportin drejt zonave të sigurta.

15:38 Vjosa del nga shtrati, banesat përfshihen nga uji/ Qytetarët: Jemi të ngujuar, kaq shumë s’kemi parë ndonjëherë

Gjatë ditës së sotme, niveli i Vjosës ka zbritur në rreth 5.5 metra mbi nivelin e detit dhe lumi është rikthyer në shtratin e tij, duke mos përbërë më rrezik për zonën. Megjithatë, pasojat e përmbytjeve janë ende evidente në disa banesa. Në njësinë administrative Novosele janë prekur rreth 13 banesa, ndërsa në fshatin Bishan janë raportuar rreth 15 banesa te cilat kane pasur prezencë uji ne oborre dhe disa ka hyre uji brenda.

14:28 Uji “pushton” aksin nacional Pogradec–Qafë Thanë, vështirësohet qarkullimi i automjeteve

Vijon problematika e vërshimit të ujërave dhe inerteve në aksin nacional Pogradec–Qafë Thanë, pranë zonës së Gurit të Kuq. Situata lidhet me daljen nga shtrati të përroit pranë fshatit Gur i Kuq, një problematikë e evidentuar edhe dy ditë më parë.

14:21 Rritje e shpejtë e nivelit të ujit në Liqenin e Kukësit, parashikohet arritja e kuotës maksimale brenda dy ditëve

Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë veriun e vendit kanë shkaktuar një rritje të shpejtë të nivelit të ujit në Liqenin e Kukësit. Brenda vetëm katër ditësh, niveli i ujit është rritur me rreth 11 metra, një zhvillim që normalisht do të kërkonte të paktën dy muaj për akumulimin e rezervave hidrike.

13:55 “Tallje cinike e Ramës”, Berisha për përmbytjet: Si mund të mos shpallësh gjendjen e emergjencës kur në Durrës janë 4 mijë banesa nën ujë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar mbledhjen e kryesisë së PD-së në seli. Berisha u ndal edhe te situata e përmbytjeve në vend, duke bërë thirrje që të shpallet gjendja e emergjencës dhe duke sulmuar kryeministrin Edi Rama për këtë gjë.

12:51 Dalja e lumit Osum nga shtrati, përmbyten serat në Dimal/ Fermerët: Kemi shpenzuar dy milionë lekë vetëm për fidanët, duam ndihmë nga shteti

Serat në fshatin Arrëz të bashkisë Dimal janë përmbytur pas daljes nga shtrati të lumit Osum, duke shkaktuar dëme të mëdha për fermerët e zonës. Një prej tyre shprehet në “Ti Raporton” se vetëm për fidanët ka shpenzuar rreth 2 milionë lekë dhe kërkon ndihmë nga shteti për të paktën të kompensohet për këtë humbje.

12:37 Rrëshqitje të masivit shkëmbor në aksin Kuç-Qeparo, bllokohet për disa orë qarkullimi i automjeteve

Në aksin rrugor Kuç–Qeparo ka pasur rrëshqitje të masivit shkëmbor, e cila ka bllokuar këtë aks për disa ore. Ndërkohë, punonjësit e Bashkisë me mjetet e tyre kanë bërë të mundur hapjen e një krahu të rrugës, duke lejuar qarkullimin e pjesshëm.

12:18 Rrëshqitje toke në Rrëshen, vërshimi i lumenjve ka shkaktuar dëme, në disa zona uji po pushton edhe tokat

Prurjet e rrëmbyeshme të lumenjve Fan i Vogël dhe Zmeja në Mirditë kanë shkaktuar probleme të shumta ditët e fundit, duke sjellë gërryerje të tokës dhe rrezik për infrastrukturën.

12:02 Viktima e parë e përmbytjeve, familjarët e 54-vjeçarit hedhin poshtë versionin e Bashkisë Durrës: Humbi jetën ndërsa po punonte, kemi video dhe fakte

Pesë ditë pas ngjarjes tragjike të së martës, ku humbi jetën gjatë përmbytjeve në Durrës, familjarët e Astrit Hysenajt, 54 vjeç, kundërshtojnë pretendimet e Bashkisë së Durrësit se viktima kishte lënë punën herët për shkak të motit të keq dhe po kthehej në banesë në momentin kur u mor nga rrjedha e ujit dhe ra në kanal.

11:55 48 orë nën ujë, banorët e fshatit Ferras në Fier fillojnë pastrimin e banesave pas tërheqjes së ujit

Dhjetëra banorë të fshatit Ferras, në Fier, e kanë nisur mëngjesin e sotëm duke pastruar banesat nga uji dhe llumi i mbetur pas përmbytjeve të shkaktuara nga dalja nga shtrati i lumit Vjosë, dy ditë më parë.

11:19 Moti i keq në vend/ Disa fshatra në Korçë pa energji elektrike, vijojnë problematikat pas çarjes së argjinaturës së Devollit

Në Qarkun e Korçës vijojnë problematikat e lidhura kryesisht me furnizimin me energji elektrike dhe infrastrukturën rrugore si pasojë e kushteve atmosferike. Sipas OSHEE-së, fideri 9 në NST Lozhan është pjesërisht pa energji, duke prekur rreth 400 abonentë ruralë, ndërsa jashtë funksionit janë 5 kabina në zonat Leshec dhe Maliq–Opar si dhe 3 abonentë ruralë. Fideri 14 në NST Petrushë ka lënë pa energji zonat Dardhas, Prenisht dhe Grunjaz, me rreth 400 abonentë ruralë të prekur.

11:15 Përmbytjet në qarkun e Vlorës, ende ka prani uji në disa banesa në Novoselë e Bishan

Sot kemi hyrë në ditën e gjashte të prurjeve të lumit Vjosë, i cili mbrëmjen e djeshme ka nisur të tërhiqet si pasojë e rënies së reshjeve të shiut. Gjatë ditës së sotme, niveli i Vjosës ka zbritur në rreth 5.5 metra mbi nivelin e detit dhe lumi është rikthyer në shtratin e tij, duke mos përbërë më rrezik për zonën

11:10 Rrezik nga rrëshqitja e tokës në Bashaj dhe Matogjin, kërkohet ndërhyrje urgjente e institucioneve

Fenomeni i rrëshqitjes së tokës vijon të përkeqësohet në fshatrat Bashaj dhe Matogjin, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e banorëve dhe infrastrukturës. Pas dëmtimeve të rrugës lidhëse, situata mbetet e paqëndrueshme, ndërsa lëvizja në zonë është bërë e vështirë dhe e rrezikshme.

10:36 Sërish probleme në aksin Gjirokastër-Tepelene, inertet bllokojnë rrugën te Shkalla e Zezë

Aksi Gjirokastër-Tepelenë është bllokuar sërish për shkak të rrëshqitjes së dheut si pasoje e reshjeve të shumta të shiut gjatë gjitha javës. Intertet kanë bllokuar aksin në afërsi të kthesës së fshatit Hormovë. Në vendngjarje punonjësit e firmës konçensionare po punojnë për largimin e baltës nga rruga.
10:32 Moti i keq në vend, bllokohet rruga Elbasan-Gjinar për shkak të rrëshqitjeve të dheut

Rruga Elbasan-Gjinar është bllokuar për shkak te rrëshqitjeve të dherave si pasojë e shirave të shumta të kësaj jave. Në terren kërkohet ndërhyrje e ekipeve të ARRSH për hapjen e aksit që lidh disa fshatra të zonës së Shpatit. Rruga u bllokua rreth orës 10 pranë fshatit Lleshan.

10:15 Përmbytjet në Gjirokastër, reshjet e shiut vijuan edhe gjatë natës, disa njësi të qarkut ende pa energji elektrike

Në Qarkun e Gjirokastrës reshjet e shiut kanë qenë me intensitet. Aksi nacional Gjirokastër- Tepelenë, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë vazhdon të jetë i kalueshëm me një sens dhe lëvizja e automjeteve menaxhohet nga efektivët e policisë.

09:55 Situata me përmbytjet në qarkun e Lezhës, probleme në disa zona të Kurbinit, riparohet pjesërisht ura që sillte ujin në anën veriore të fshatit Adriatik

Qarku i Lezhës ka qenë një ndër më të prekurit në reshjet intensive të shiut të kësaj jave. Pas 5 ditësh në “pushtetin” e ujit zona më problematike në qark vazhdon të jetë ajo e Kurbinit, ku konkretisht fshati Adriatik vijon të ketë probleme edhe pse një pjesë e urës së dëmtuar, e cila sillte prurje të mëdha uji në anën veriore të fshatit është riparuar përkohësisht.

09:44 Fier/ Tokat bujqësore ende nën ujë, prurjet në lumenjtë Seman dhe Shkumbin në tendence rritjeje

Informacion i ores 08:00, date 10.01.2026 mbi situaten ne qarkun Fier: Gjate nates dhe ne vazhdum ne qarkun Fier ka patur reshje shiu me intesitet te ulet. Deri në këto momente situata paraqitet si meposhte.

09:22 Situata e reshjeve në qarkun e Durrësit, 848 banorë të evakuuar gjithsej, 2800 ha në Sukth ende të përmbytura

Qarku i Durrësit ka qenë një ndër më të prekurit nga reshjet e shiut të ditëve të fundit. Sipas njoftimit të autoriteteve në Bashkinë Durrës janë evakuuar 848 banorë dhe vazhdon puna për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga uji nëpër banesa. Sakaq, në Sukth 2800 ha tokë ndodhen ende nën “pushtetin e ujit”.

09:17 Moti i keq në Shkodër, 266 hektarë ende nën ujë, rruga për në fshatin Obot e kalueshme vetëm me mjete të larta

Situata në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme, me nivele të ujit nën kuotat kritike dhe pa problematika të evidentuara. Nga monitorimi periodik në terren diten e sotme datë 10.01.2021,ora 8.00.


Top Channel

Burimi: top-channel.tv

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

vedat muriqi serish cmend spanjollet 6963a7f641975
Lajmi i mëparshëm

Vedat Muriqi sërish, çmend spanjollët

adem salihaj enver maloku kolos i lirise se kosoves 6963a8fe06f28
Lajmi i radhës

Adem Salihaj: Enver Maloku, kolos i lirisë së Kosovës

Të fundit nga

Trepça shpërthen në Mitrovicë

Trepça shpërthen në Mitrovicë, fitore e madhe ndaj Sigal Prishtinës 95:69! Vendasit e kontrolluan ndeshjen me ritëm të lartë dhe tranzicion të shpejtë, duke krijuar diferencë të madhe dhe duke e menaxhuar
ShkoLartë