LISTA/ Kush janë kandidatët për president të Serbisë dhe cili është qëndrimi i tyre për Kosovën

March 29, 2022
min lexim

Ndër kandidatët për presidencën e shtetit janë edhe tri gra.

Presidenti i shtetit është zyrtari më i lartë shtetëror, të cilin qytetarët e votojnë drejtpërdrejt në zgjedhje.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (KRZ), përmes shortit, ka përcaktuar radhitjen e kandidatëve për president të Serbisë në fletën e votimit, për zgjedhjet e 3 prillit. Po i paraqesim ata sipas asaj radhitjeje.

Misha Vaciq, kandidat për president nga grupi i qytetarëve “Patrioti serb – Misha Vaciq”

Misha Vaciq propagandon ideologjinë e ekstremit të djathtë, duke thënë se ai është nacionalist serb dhe se “ia kushtoi jetën luftës për serbizimin”.

Listën me nënshkrimet e kandidaturën për president e dorëzoi me një kortezh me pishtarë. Shërbimi informativ i së Djathtës serbe bëri të ditur se në KRZ ka arritur me një “Jeep të blinduar me targa ruse”.

Në kolonën e automjeteve me flamur serb dhe rus, disa automjete kishin shenjën “Z”, simbol i pushtimit rus në Ukrainë.

“Jam i vetmi kandidat që nuk avokon neutralitetin, por mbështetjen e plotë për Rusinë në lidhje me operacionin aktual special në Ukrainë”, tha Vaciq.

Për agresionin kundër Ukrainës ai e përdorë termin e zyrtarëve rusë “operacioni special”.

Gjithashtu, ka thënë se ai ishte i vetmi kandidat me një ideologji të fortë patriotike, e cila ka për qëllim fuqizimin ekonomik dhe ushtarak të vendit, në mënyrë që të krijohen kushtet për “rikthimin e sovranitetit mbi territoret e okupuara serbe dhe bashkimin me vendet e tjera serbe”.

E Djathta serbe, e udhëhequr nga ai, mbron integrimin euro-aziatik dhe një aleancë ushtarake me forcat e Lindjes.

Ai thotë se Rusia është aleate e përjetshme e popullit serb, mohon pavarësinë e Kosovës dhe thotë se Serbia nuk do të jetë koloni e NATO-s.

Mori pjesë në tubimin mbështetës për Radovan Karaxhiqin, pas arrestimit të tij më 2008, ndërsa një vit më herët në një tubim në mbështetje të Ratko Mlladiq. Në vitet në vijim, të dy u dënuan për krime lufte në Tribunalin e Hagës.

Për një kohë të shkurtër, në fund të vitit 2016 dhe në fillim të vitit 2017, ai u punësua në të ashtuquajturën Zyrë e Qeverisë për Kosovën, derisa në krye të saj ishte Marko Gjuriq, i cili tani është ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai pranon se nuk është entuziast për të fituar, por kandidaturën presidenciale e përdorë për të paraqitur politikën e tij.

Biljana Stojkoviq, kandidate për presidente nga koalicioni “Ne duhet”

Përgjegjësia individuale, solidariteti, shpërbërja e shtetit partiak, janë ndër synimet e përfaqësuara nga Biljana Stojkoviq.

Ajo thotë se arsyeja kryesore pse vendosi të jetë kandidate është mbrojtja e mjedisit.

“Theksi më i madh do të vendoset në mbrojtjen e mjedisit dhe ndaj këtij shkatërrimi të pakuptimtë të jetës për hir të kapitalit të huaj dhe kompanive ndërkombëtare”, tha ajo. (Nova.rs, 27 shkurt 2022).

Në fushatë ajo deklaroi se koalicioni “Ne duhet”, angazhohet për rrugën më të shpejtë për në Evropë.

Ajo konsideron se çështja e qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës duhet të zgjidhet me referendum. Gjithashtu, mendon se referendumi është i nevojshëm për hyrjen eventuale të Serbisë në NATO, ndonëse ajo personalisht është kundër anëtarësimit në aleanca ushtarake.

Sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës e ka quajtur agresion që çoi në një katastrofë humanitare.

Kur bëhet fjalë për sanksionet ndaj Rusisë, ajo konsideron se Serbia duhet të ndjekë interesat e saj, sikurse shumica e vendeve evropiane që energjetikën e kanë të varur nga Rusia. Gjithashtu, vë në dukje se Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme në rrugën e anëtarësimit në BE.

Ajo avokon për pranimin e bashkësive të së njëjtës gjini, për “të drejta absolutisht të barabarta, duke përfshirë të drejtën e pronës, martesës dhe fëmijëve”. (Novi magzin, 17 mars 2022)

Ajo tha, gjithashtu, se si presidente do të respektojë laicitetin e shtetit dhe do të shkojë te patriarku vetëm për arsye personale.

Biljana Stojkoviq nuk ka qenë anëtare e asnjë partie politike. Është deputete e Kuvendit të Serbisë së Lirë, e cila është formuar nga një grup profesorësh, akademikësh dhe intelektualësh të Beogradit. Kjo organizatë është e përkushtuar që të vazhdojë procesin e anëtarësimit në BE, “por mbi parimet e reciprocitetit dhe respektimit të interesave kombëtare të Serbisë”.

Biljana Stojkoviq është profesoreshë e rregullt në Fakultetin e Biologjisë në Universitetin e Beogradit.

Branka Stamenkoviq, kandidate për presidente e koalicionit “Sovranët”

Ajo e përshkruan veten si “një grua nga populli që jeton si një banore mesatare e Serbisë”.

Thotë se mbështetja për politikën e sovranitetit është një “jo” me zë të lartë për hyrjen e Serbisë në NATO dhe “jo” për Bashkimin Evropian. “Të bashkëpunojmë me të gjithë, por të mos heqim dorë nga sovraniteti ynë”, tha ajo në fushatën zgjedhore. “Konsideron se ruajtja e Kosovës si pjesë e Serbisë dhe ruajtja e Republikës Sërpska (entiteti i Bosnje e Hercegovinës) duhet të jenë prioritete të çdo presidenti”.

Ajo beson se pranimi i Serbisë në BE, “siç është BE-ja, aktualisht, nuk është në interesin e vendit”. (N1, 17 mars 2022). Konsideron se Serbia duhet të ketë një qëndrim neutral dhe të mos mbajë anë kur është fjala për Ukrainën dhe se ky nuk është një konflikt ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, por Rusisë dhe NATO-s, pavarësisht se NATO-ja nuk merr pjesë në atë konflikt.

Lidhur me vendimin e autoriteteve për të votuar Rezolutën për dënimin e Rusisë në OKB, ajo thotë se mund të jetë një gabim që do të kushtojë.

“Shpresoj se Federata Ruse do të kuptojë se kjo është bërë nën presion, ne nuk duhet të lejojmë që të mbesim pa mbështetjen e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha ajo. (N1, 17 mars 2022).

Branka Stamenkoviq ka qenë deputete e Kuvendit të Serbisë nga qershori i vitit 2016 deri në gusht të vitit 2020, në listën e lëvizjes së djathtë “Mjaft ishte”.

Është ndër themelueset e nismës qytetare “Nëna guxim” për përmirësimin e kushteve në maternitetet serbe. Me profesion është përkthyese.

Zdravko Ponosh, kandidat për president i grupit të qytetarëve “Për Serbinë e bashkuar, të drejtë dhe të qëndrueshme”

Angazhohet për, siç thotë ai, respektimin e Kushtetutës së Serbisë dhe rinovimin dhe respektimin e institucioneve shtetërore.

Ai e përshkruan veten si centrist, jo se ka një pozicion të tillë për çdo gjë, por sepse ka “përafërsisht një grup qëndrimesh që janë afër qendrës politike”. (Danas, 15 Mars 2022).

Ponosh thotë se Serbia duhet të ketë një shtyllë të politikës së jashtme, e ajo është “interesi kombëtar serb”. (Fonet, 13 mars 2022).

Ai mbështet rrugën e Serbisë drejt BE-së, por beson se marrëdhëniet speciale me Moskën dhe Pekinin nuk duhet të sakrifikohen. Gjatë fushatës zgjedhore, ai deklaroi se ishte “për një Serbi të madhe, por jo për Serbinë në gjerësi, por në lartësi, ku qielli është kufiri i saj”.

Për të “Kosova është pjesë e Serbisë”. Ai mendon se “njohjen e ish-krahinës së Kosovës nuk mund ta pranojë asnjë qeveri demokratike në Serbi”.

“Por, ajo u takon edhe të gjithë atyre që jetojnë atje, që kanë jetuar, që do të jetojnë dhe që e duan Kosovën dhe Metohinë”, ka shkruar ai në Twitter gjatë fushatës presidenciale.

Ai konsideron se për Banja Llukën, adresa për zgjidhjen e problemit të Bosnje e Hercegovinës është në Sarajevë, e jo në Beograd. (Fonet, 13 mars 2022).

Është angazhuar për respektimin e integritetit territorial të anëtarëve të OKB-së dhe e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës. Ai është kundër vendosjes “apriori” të sanksioneve, sepse ato “kurrë nuk janë përshtatur që në mënyrë kirurgjike t’i prekin vetëm majat e regjimit”. (RTV, 22 mars 2022).

“Nëse koha do të mund të kthehej prapa, unë dua të besoj se Ukraina do të zgjidhte neutralitetin ushtarak dhe Rusia do të mirëpriste rrugën evropiane të Ukrainës”, tha ai. (Danas, 15 Mars 2022).

Ata që e kritikojnë e quajnë “Gjenerali i NATO-s”. Këtë etiketë e ka “fituar” për shkak të shkollimit një-vjeçar në në Kolegjin Mbretëror në Londër.

Në vitin 2017, ai shprehu mendimin se hyrja e Serbisë në NATO do të ishte irracionale dhe se Serbia duhet të qëndrojë ushtarakisht neutrale.

Zdravko Ponosh është ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe (2006-2008).

Deri vonë, ai ishte një zyrtar i lartë i Partisë Popullore opozitare, lider i së cilës është ish-ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq.

Koalicioni që propozoi Ponoshin për kandidat – Serbia e Bashkuar – i bashkon subjektet opozitare, Partinë për Liri dhe Drejtësi, Partinë Demokratike dhe Partinë Popullore, si dhe Lëvizjen e qytetarëve të lirë.

Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski, kandidate për presidente nga “Partia Serbe ‘Zavetnici’ (Të betuarit)”

Ajo thotë për veten se që kur ishte vajzë kishte shfaqur afinitete ndaj politikës dhe veprimtarisë kombëtare.

Është në krye të partisë së ekstremit të djathtë serb “Zavetnici”, emri i së cilës u zgjodh, siç thuhet në faqen e tyre të internetit, bazuar në përvojën historike, në të cilën pikë qendrore zë “betimi për Kosovën”.

Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski, në fushatën zgjedhore thotë se “Zavetnici kurrë nuk do të lejojë dorëzimin e Kosovës”.

Ajo konsideron se nuk duhet negociuar për sovranitetin dhe se duhet të dihen se ku janë kufijtë e shtetit.

“Zavetnici” e udhëhequr nga Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski, është e njohur me demonstratat në Beograd kundër Festivalit të artistëve bashkëkohor nga Kosova “Mirëdita, dobar dan”, i cili mbahet një herë në vit.

Ky festival, i cili promovon pajtimin dhe afirmon artin, për Gjurgjeviq -Stamenkovskin, është “provokim dhe propagandë shqiptaro-madhe në zemër të Beogradit”.

“Asnjëherë në Beograd nuk është mbajtur një protestë kundër shqiptarëve të Kosovës. Ka pasur protesta për shkak të uzurpimit të territorit tonë”, thekson ajo. (Danas, 7 Mars 2022).

Pjesëtarët e “Zavetnici” e konsiderojnë të papranueshme pjesëmarrjen e Serbisë në “përndjekjen politike kundër shtetit (Rusisë), i cili, si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, është garantuesi më i fortë i Rezolutës 1244 dhe i ruajtjes së sovranitetit të saj në Kosovë e Metohi”. Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski vlerësoi se Serbia me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë do të rrezikonte interesat shtetërore, kombëtare dhe ekonomike.

Në maj të vitit 2018, Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut (YUKOM) ngriti një kallëzim penal kundër saj në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd “në lidhje me aktivitetet dhe qëndrimet që ajo shprehte për aktivitetet e organizatave joqeveritare”. Rezultati i atij kallëzimi nuk dihet publikisht.

“Zavetnici” deri më tani ka marrë pjesë tri herë në zgjedhjet parlamentare, por asnjëherë nuk ka arritur të kalojë pragun për të hyrë në parlament.

Aleksandar Vuçiq, kandidat për president i koalicionit “Aleksandar Vuçiq – Së bashku mund të bëjmë gjithçka (SNS, SPS, SVM)

Aleksandar Vuçiq, lideri i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, i cili ka qenë president i Serbisë në pesë vjetët e fundit, premton përgjegjësi dhe seriozitet.

Vuçiqi në fushatën zgjedhore ka thënë se “Serbia nuk është ulur në dy karrige, por në një – të sajën”.

“Serbia është pjesë e botës, është në rrugën evropiane, por vetëm Serbia nuk është në listën e bërë nga rusët, në listën e armiqve të saj”, tha ai në një tubim në Leskovc, në jug të Serbisë, më 7 mars.

Atë ditë, Rusia publikoi një listë të “shteteve armike”, në të cilën u përfshinë, ndër të tjera, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia.

Vuçiqi është kundër vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe konsideron se Serbia duhet të udhëhiqet nga interesat e saj jetike politike dhe ekonomike. Ka përsëritur disa herë se e respekton integritetin territorial të Ukrainës.

Vuçiqi nuk i përdorë termat agresion dhe pushtim kur flet për Ukrainën, por Serbia iu bashkua dënimit të Rusisë duke votuar për Rezolutën e OKB-së. Partia Progresive Serbe e Vuçiqit është dominuese në Qeverinë e Serbisë, e cila drejton zyrtarisht politikën e jashtme të vendit.

Ai angazhohet për anëtarësimin e Serbisë në BE, por ruan marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Kinën.

Ka porositur se Serbia nuk do të hyjë në NATO.

Vuçiqi ka thënë vazhdimisht se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, të cilën ajo e shpalli në vitin 2008.

Ai insiston për një zgjidhje kompromisi për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, me të cilën, siç thekson, të dyja palët do të jenë të kënaqura. Megjithatë, ai kurrë nuk tha se cili mund të ishte kompromisi.

Në emër të Serbisë ai po udhëheq dialogun politik për normalizimin e marrëdhënieve me liderët e Kosovës, i cili po zhvillohet nën patronazhin e BE-së.

Vuçiqi ka shprehur disa herë qëndrimin se Serbia do të jetë gjithmonë me entitetin e Bosnje e Hercegovinës, Republikën Sërpska, duke respektuar integritetin e Bosnje e Hercegovinës.

Si kryeministër i Serbisë, ai vizitoi Qendrën përkujtimore të Potoçarit, në vitin 2015, ku bëri homazhe për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës gjatë vitit 1995. Megjithatë, ai refuzon ta quajë gjenocid, duke thënë se në Srebrenicë ka ndodhur një krim i tmerrshëm.

Opozita dhe një pjesë e publikut në Serbi e kritikojnë atë për mënyrën e tij autokratike të qeverisjes. Raportet e organizatave ndërkombëtare vlerësojnë rënien e demokracisë në Serbi, si dhe kërcënimin ndaj lirisë së medias. Ai dhe partia e tij hedhin poshtë pretendimet e tilla.

Aleksandar Vuçiq kaloi rrugën nga një nacionalist i vijës së ashpër – i cili, si një zyrtar i lartë i Partisë Radikale Serbe (SRS), partia e kriminelit të dënuar të luftës Vojisllav Sheshel, mbrojti kufijtë e “Serbisë së Madhe” – në një evropian.

“Vetëm gomari nuk ndryshon”, ka thënë ai disa herë.

Ai e braktisi Partinë Radikale Serbe në vitin 2008 dhe iu bashkua Tomislav Nikoliqit për të krijuar Partinë Progresive Serbe. Nikoliqi i kishte braktisur radikalët para Vuçiqit.

Vuçiqi, ashtu si Sheshelit, ia ktheu shpinën “babait tjetër politik” Nikoliqit, në vitin 2017. Asokohe, me gjithë synimin e Nikolliqit që të jetë kandidat për mandatin e dytë të presidentit të Serbisë, Vuçiq kandidoi vetë për atë post.

Që nga viti 2012, prej kur ai drejtoi Partinë Progresive Serbe, i solli fitoret partisë së tij me një shumicë të konsiderueshme në zgjedhje.

Millosh Jovanoviq, kandidat për president nga Koalicioni për Mbretërinë e Serbisë – DSS

Millosh Jovanoviq përfaqëson idenë që “bashkon kombëtaren dhe demokratiken”.

Ai është presidenti i Partisë Demokratike të Serbisë (DSS), e cila formon koalicion NADA (Shpresa) me një pjesë të Lëvizjes për ripërtëritjen e Mbretërisë së Serbisë.

Ai thotë se është fakt që kurora është pjesë e pandashme e historisë serbe.

Në një nga tubimet parazgjedhore, ai tha se fitorja në zgjedhjet presidenciale është një fazë kalimtare drejt ripërtëritjes së monarkisë parlamentare.

Ai konsideron se kërcënimi për interesat kombëtare të Serbisë vjen nga Perëndimi dhe nga NATO-ja kur është fjalë për Kosovën, Republikën Sërpska në Bosnje e Hercegovinë dhe për pozitën e popullit serb në Mal të Zi.

Ai thotë se Rusia mban anën Serbisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Serbia nuk duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë me nxitjen e BE-së dhe të dënojë lëvizjet e saj, e as të njohë pavarësinë e Luhanskut dhe Donjeckut”, tha Jovanoviq.

Përpara agresionit ndaj Ukrainës, Rusia njohu pavarësinë e rajoneve ukrainase të Luhanskut dhe Donjeckut.

Jovanoviq vlerësoi se Serbia “e ndoti faqen e saj” duke votuar në Kombet e Bashkuara për të dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Ai është kundër pavarësisë së Kosovës, konsideron se duhet respektuar ekskluzivisht Kushtetuta, “sipas së cilës Kosova është krahina jugore e Serbisë”, si dhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në dhjetor 2021, ai tha se problemet në funksionimin e Bosnje e Hercegovinës nuk mund të zgjidheshin duke e dobësuar Republikën Sërpska. “Të gjithë duhet ta kenë të qartë se populli serb nuk do të lejojë që Republika Sërpska të zhvlerësohet”, tha ai në atë kohë.

Ai mendon që Serbia duhet të mbetet neutrale në aspektin ushtarak.

Jovanoviq mbrojti tezën e doktoraturës në Sorbonë me temën “Justifikimi dhe arsyetimi i përdorimit të forcës në periudhën e pas Luftës së Ftohtë. Rasti studimor: Ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë në vitin 1999”.

Millosh Jovanoviq është në krye të partisë, lideri i së cilës ishte Vojisllav Koshtunica, i cili mundi Sllobodan Millosheviqin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 në RF të Jugosllavisë.

Është ligjërues në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit.

Boshko Obradoviq, kandidat për president nga Koalicioni “Dveri” dhe POKS (Blloku patriotik për ripërtëritjen e Mbretërisë së Serbisë)

Boshko Obradoviq angazhohet për patriotizmin ekonomik dhe mjedisor, kthimin në monarki dhe politikën familjare. Dveri, udhëheqësi i të cilit është Obradoviq, angazhohet për qëndrime të forta të krahut të djathtë.

Duke shpallur kandidaturën e tij, Obradoviq tha se synimet e tjera të agjendës së vjetër politike janë: kundër anëtarësimit në NATO, në BE, kundër lejeve për COVID, vaksinimeve të detyrueshme, hyrjes së migrantëve të paligjshëm në territorin e Serbisë dhe kundër pavarësisë së Kosovës.

Ai thotë se Serbia nuk ka pse të jetë anëtare e BE-së, por se mund të bashkëpunojnë maksimalisht për përfitime reciproke.

Si president, ai nuk do të lejonte vendosjen e asnjë varianti sanksionesh kundër Rusisë, të cilën e sheh si garantuese “të ruajtjes së Kosovës si pjesë e Serbisë”, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Bashkëndiejmë me vëllezërit ortodoksë, ukrainasit dhe rusët, duke u dëshiruar paqe dhe përfundim të menjëhershëm të çdo konflikti. Nuk e kuptoj pse ukrainasit po vdesin për interesat e paktit të NATO-s që dëshiron të rrethojë Rusinë”, theksoi ai. (Danas, 8 mars 2022).

Obradoviq i dërgoi një “kërkim-falje Rusisë dhe popullit rus” për shkak se Serbia iu bashkua në OKB dënimit të agresionit ndaj Ukrainës.

Sipas tij, sfondi i krizës ukrainase janë “veprimet armiqësore të NATO-s në kufijtë e Rusisë”. Obradoviq mori pjesë në protestat në Beograd, në mbështetje të Rusisë.

Dikur, si deputet i Parlamentit serb, ai priti zyrtarin e Krimesë, Georgi Muradov dhe Natalia Vladimirovna Poklonskayan, deputete e Dumës ruse. Nga Poklonskaya mori një flamur të Krimesë, para të cilit pozuan të tre për gazetarët.

Beogradi zyrtar e trajton Krimenë si pjesë të Ukrainës dhe nuk e njeh aneksimin e gadishullit nga Rusia.

Në disa nga deklaratat e tij, Obradoviq përmendi gjithashtu “mbrojtjen dhe ruajtjen e Republikës Sërpska” si interesin më të rëndësishëm kombëtar dhe shtetëror.

Lëvizja Dveri, në krye të së cilës është Obradoviq, njihet edhe për organizimin e “Shëtitjeve familjare”, si kundërmanifestim ndaj “Paradës së Krenarisë”, ku komuniteti LGBT kërkon respektimin e të drejtave të tyre. Obradoviq tha se Parada e Krenarisë ishte një fyerje për moralin publik.

Kandidatura e tij mbështetet nga koalicioni Blloku Patriotik, i cili përbëhet nga Lëvizja Serbe Dveri dhe një pjesë e Lëvizjes për ripërtëritjen e Mbretërisë së Serbisë.

Para këtij koalicioni, Boshko Obradoviq dhe Dveri ishin pjesë e Aleancës për Serbinë (SzS), një grup opozitar i formuar në vitin 2018 nga nëntë parti dhe lëvizje, me iniciativën e Dragan Gjillasit, liderit të sotëm të Partisë opozitare Liria dhe Drejtësia.

Nga ajo periudhë është e njohur ndërhyrja e Obradoviqit në RTS (Radio Televizionin e Serbisë), në mars 2019, kur kërkoi që opozitës t’i mundësohej paraqitja në Shërbyesin Publik. Atij iu bashkuan edhe liderët tjerë të SzS-së dhe demonstruesit. E tëra përfundoi me nxjerrjen e tyre jashtë objektit të televizionit nga xhandarmëria serbe.

Një vit më pas, Obradoviqit i përfundoi bashkëpunimi me këtë bllok të partive dhe ai sërish iu kthye të djathtës./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ramazani 2022, BFI filloi karvanin himanitarë

Story i radhës

PD apel Ramës: Mos blloko kërkesën e SPAK për arrestimin e Bllakos

Të fundit nga

ShkoLartë