Lirimi i Pandiçit rrit “trimërinë dhe oreksinë” e Vuqiçit…!

min lexim

i tejzgjatur i Milosheviçit, me bllokim rrugësh e pikash kufitare e doganore si dhe me ofrim repartesh ushtarake dhe armatimesh në Mitrovicën e veriut e me “bubullima e rrrufe” me deklarata e kërcënime nga Beogradi, gjithçka çuditërisht apo jo rastësisht “nën hundën” e KFOR- it, SHBA- së, BE- së, për fatin e keq jo vetëm të Kosovës, po ecën përpara drejt suksesit final! Domethënë drejt lëshimeve të reja nga qeveria e Albin Kurtit…Pas shtyrjes së zbatimit të vendimit për targat më 28 dhjetor u njoftua dhe u krye lirimi nga paraburgimi i policit serb, autor veprash destabilizuese e të dënueshme, Dejan Pantiç. E para, Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe më pas, kryeministri Albin Kurti, pa na bindur se janë surprizuar nga ky vendim, kanë shprehur kundërshtime për lirimin e tij nga paraburgimi dhe kalimin në arrest shtëpiak.

Sipas gjykimit tim, edhe pse përbën një vendim të diskutueshëm dhe privilegjim përtej ligjor, përsëri, referuar situatës së tensionuar në atë zonë dhe rrjedhojave të paparashikueshme e me rrezikun e përshkallëzimit të krizës në konflikt, mund të pranohet si zgjidhja më e arsyeshme. Me aq ditë sa bëri burg Pantiç, shokët dhe shefat e tij, morën një përgjigje dhe mësim të mirë se qeveria e Kosovës ka kurajon të ndëshkojë cilindo qytetar, shqiptar apo serb, që guxon të veprojë në kundërshtim me ligjet. Nga ana tjetër, në kushtet kur kishte presione nga jashtë, nga Beogradi, Moska, Uashingtoni, Brukseli, Parisi si dhe nga Prishtina e “heshtje” nga Tirana, çfarë mund të bënte më shumë e si mund të rezistonte më gjatë Albin Kurti pa bërë lëshimin e dytë, lirimin me arrest shtëpie të Pantiçit??? Si do të vepronin po të ishin vetë në kushtet e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ata ish kryeministra, ish presidentë, ish ministra e ish-a të tjerë, që i kritikojnë për dobësi, paaftësi, amatorllëk…dhe për gabime e të meta të tjera, më shumë të sajuara dhe të fantazuara? Në shenjë kompromisi, diplomacie, bindjeje ndaj presioneve nga Uashingtoni dhe Brukseli, presidenti serb, Aleksander Vuçiç shprehu dëshirën(më saktë urdhërin) që pas kësaj tërheqjeje juridike nga qeveria Kurti rebelët serbë dhe rusë të fillojnë heqjen e barrikadave nga rrugët e bllokuara… Por, nuk mund të përjashtohet prerazi dhe shumë gjatë në kohë mundësia e rivënies së tyre pas 2-3 javësh, për të marrë një lëshim të ri nga qeveria e Kosovës! Është e logjikshme të pritet nga Vuçiçi, Brnabiçi, Daçiçi…

Përderi sa u ka ecur dhe dalë mirë me herët e tjera të barrikadave, përse të mos vazhdohet kjo praktikë apo taktikë e suksesshme, aq më tepër e toleruar tejet gjatë nga Policia e Kosovës e nga KFOR-i? Merret me mend se lëshimi i radhës apo “fitorja e re” për Vuçiçin dhe ata që e mbështesin dhe nxisin, pas ripërdorimit të “taktikës së suksesshme të barrikadave”, mund të jetë miratimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nëpërmjet tij, rrëmbimi nga Serbia i veriut të Mitrovicës, me objektiv parësor Minierën e Trepçës me pasuri minerare e financiare kolosale! Në një intervistë në “Al Jazeera” kushtuar tensioneve në veri të Kosovës, publikuar më 28.12.2022 edhe në “BOTA SOT”, profesori i njohur amerikan, Daniel Serwer, shprehet me shqetësim të sinqertë dhe dashamirës ndaj Kosovës: “ Në kërkesën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilën e mbron Beogradi, eksperti amerikan thotë se “çrregullimi ekzistues dëshmon pa dyshim se lëshimi për këtë çështje në kushtet aktuale do të ishte katastrofike për shtetin e Kosovës…Pushteti që tani është pas barrikadave do të bëhej pastaj pushteti që do të udhëhiqte institucionin që shteti i Kosovës e njohu dhe e pranoi. Do të ishte më se marrëzi ta bësh këtë, jo vetëm sepse ato autoritete janë kriminale dhe të lidhura me shërbimet sekrete serbe…”

Ka edhe zëra shqiptarë që, krahas dëshirës së mirë për ta kapërcyer këtë krizë dhe për paqëtim përfundimtar me Serbinë, për t’u reklamuar edhe si “pëllumba të paqes”, si politikanë të moderuar, modernë, partizanë të lëshimeve dhe kompromisit, nuk ia kursejnë kritikat as qeverisë së Kosovës. Natyrisht, nuk do të ishte as e drejtë, as e saktë, as e logjikshme të mendohet se qeveria Kurti është “e virgjër” për gabime, të cilët sipas meje, janë më me shumicë ndaj qytetarëve shqiptarë. Sipas këtyre opozitarëve apo oponentëve të pavarur qeveria dhe individualisht Albin Kurti(shënjestra kryesore) kanë gabuar në trajtimin e popullsisë serbe, se nuk kanë qenë ndaj serbëve aq sa duhej të të përkushtuar, të kujdesshëm, racionalë apo humanë…! Jam i bindur se këta, ashtu si dhe Borrelli, Lajçaku, Blinkeni, Escobari… si dhe ambasadorët amerikanë e të BE në Prishtinë dhe në Beograd, e dinë më mirë se unë që kam jetuar vetëm 4 vjet në Kosovë( 2006- 2010) se serbët, duke filluar me 10 deputetë ekskluzivisht apo falas për çdo zgjedhje të pushtetit qendror, gëzojnë të drejta e liri më të shumta, ligjore e ekstraligjore(apo SHQIP fare të jashtëligjshme) se sa qytetarët shqiptarë. Është lehtësisht e kuptueshme se deri më sot, shumica e serbëve në Mitrovicën e Veriut, nëpër qytezat, fshatrat dhe lagjet e tyre, njohin dhe zbatojnë vetëm ligjet e Serbisë së tyre e nuk duan t’u nënshtrohen edhe atyre të shtetit të Kosovës!

Kjo shkon deri në kurajon absurde, agresive, antishqiptare, antideomokratike, antiligjore…për t’ua nxirë jetën, mbijetesën, punët, bisneset, shkollat, spitalet… atyre pak shqiptarëve, që nuk janë larguar nga shtëpitë dhe pronat e tyre në këto zona. E keqja e lashtë e popullsisë serbe në përgjithësi dhe e asaj në Kosovë, njëlloj si në Republikën Serpska, në Banja Luka, gjendet vetëm mes tyre, tek trashëgimia historike e nacionaliste, edhe sot e kësaj dite tejet e fortë dhe vepruese, deri në shovinizëm histerik apo të çmendur, vetëmohues dhe vetëdëmtues, deri në manipulimin masiv të popullit serb nga shteti dhe kisha serbe, nëpërmjet përrallave dhe miteve të sajuara nga Akademia e Shkencave të Serbisë, sidomos nga ideologu i shovinizmit serbomadh, Vaso Cubriloviç! Me këtë dëshirë për t’u mashtruar dhe manipuluar edhe nga Vuçiçi me çiça të tjerë, shpjegohet edhe mbështetja masive për skenarët e tyre të vjetër e të rinj; për të mos njohur shtetin e pavarur të Kosovës e për të mos bashkëjetuar paqësisht me shqiptarët e Kosovës. Serbët në Kosovë i dinë shumë mirë, por nuk duan t’i pranojnë dhe zbatojnë ato që kanë bërë 77 vjet më parë francezët e mbetur në Gjermani; gjermanët e mbetur në Francë, Poloni, Çeki; polakët e mbetur në Gjermani, si hungarezët e mbetur në Rumani…dhe anasjelltas. Apo si popullsi të tjera në zona kufitare mes vendeve të tjerë të Europës, që pas luftës së dytë Botërore, edhe pse jo me dëshirë e jo pa kundërshtime, kanë pranuar paqësisht vendimet e konferencave të fuqive të mëdha fitimtare, përfaqësuar nga Ruzvelti, Çurçilli dhe Stalini, duke u shkëputur përgjithmonë nga hartat e shteteve amtare! Është tejet shprehëse deklarata për “Danas” nga kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, më 23 dhjetor 2022, e cila është afërsisht në një linjë interpretimi dhe qëndrimi me Rada Trajkoviç, një politikane e hershme e serbëve të Kosovës, e cila këto javë, ka kapërcyer, jo pa vështirësi dhe dramë të brendshme, të shkuarën dhe qëndrimet e saj të dikurshme e ka bërë kritika publike ndaj presidentit Vuçiç, duke e akuzuar si ideatorin, shkaktarin dhe drejtuesin kryesor të krizës në Mitrovicën e veriut. Sipas gjykimit të Biserkos“situatën në kufirin me Kosovën e komplikon edhe prania e paraushtarakëve rusë Wagner dhe Ujqërit e Natës, si dhe grupeve ekstremiste vendase, që po bëjnë gjithçka për të provokuar një konflikt dhe më pas të gjejnë justifikim për të pushtuar veriun…

Është gjithashtu e rëndësishme të kuptohet se Rusia nuk është e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të bëjë gjithçka për ta parandaluar këtë..”. Prania në rritje e forcave paraushtarake apo civile ruse në zonën kufitare veriore Kosovë-Serbi mund të interpretohet edhe si synim dhe përpjekje konkrete nga Vuçiçi për të ndihmuar mikun e tij të madh Aleksander Putin e “Rusinë motër”, për t’ia lehtësuar sadopak shqetësimet nga humbjet e vazhdueshme në Ukrainë, duke u hapur pabesisht apo sllavisht SHBA-së dhe BE-së një front të ri shqetësimesh, angazhimi dhe konsumimi shumëdrejtimësh në veri të Kosovës. Ecuria e suksesshme e skenarit Vuçiç-Putin mund të shpjegohet edhe nga mungesa e qëndrimit dhe kundërvënies së unifikuar, e përbashkimit të ndërgjegjshëm e të sinqertë të forcave, pozitë- opozitë në Kosovë! Një arsye apo avantazh tjetër mund të gjendet në faktin se SHBA dhe BE nuk janë më aq të qartë, të vendosur dhe me vepra konkrete të ndjeshme në mbështetje të Kosovës si më 1999 e 2008! Po kështu, pa apo me paramendim, pa apo me dashje, skenari serbo-rus është ndihmuar për sukses edhe nga fakti se shteti shqiptar nuk është ai i duhuri dhe i pritshmi, në krah të qeverisë së Kosovës, në këtë krizë të provokuar dhe investuar pa kursim financiarisht, politikisht, mediatikisht nga Vuçiçi dhe Putini!

Për sukseset apo fitoret e deritanishme në zbatimin e skenarit të tyre të hershëm antiKosovë, Vuçiç dhe Brnabiç kanë të drejtë të thonë me zë të lartë, sa kanë fuqi: Хвала Путину и Русији!!Хвала, АМЕРИКО! Хвала, Европска Yнија! Хвала Еди Рама и Албанија! Megjithatë, Kosova mund t’ia dalë të mos humbë më asnjë metër katror tokë ose liqen nëse palët politike shqiptare bashkohen, mendojnë, veprojnë… si SHQIPTARË e jo ngushtësisht si partiakë, të përflakur nga padurimi për të rrëzuar qeverinë Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani e për t’i zënë, ngrohur dhe “vjelur” ata kolltukët e tyre!

Story i mëparshëm

E rëndë/ Fëmija i goditi me top makinën, dy persona godasin brutalisht nënën e tij në derë të shtëpisë

Story i radhës

Mariçiq: Fillimisht ndryshimet kushtetuese, pastaj zgjedhjet

Të fundit nga