Leari, saga fundore e një vuajtje pa kthim…!

October 26, 2022
min lexim

Prej disa ditësh, opinioni publik shqiptar është përfshirë në një debat mjaft të nxehtë, që në mënyrë legjitime ka patur një ndjeshmëri të lartë dhe përmes një reagimi të fortë qytetar ka prekur çdo familje shqiptare.

Ky debat tepër sensitiv, ka përshirë thuajse të gjithë shoqërinë dhe për këtë arsye, nëse do të kishim të bënim me një shtet normal, me institucione funksionale normale, do të ishte imperative që përtej interesave të ngushta politike e meskine të ditës, shteti dhe institucionet e tij ligjzbatuese që në fillim të herës duhet të ngriheshin në lartësinë e përgjegjësisë së detyrës për të vepruar dhe për të vënë pikat mbi (i) në një ngjarje kaq tronditëse e domethënëse, për të evidentuar jo vetëm shkaqet, por edhe përgjegjësit e vërtetë të saj.

Ngjarja tragjike e humbjes së jetës në duart e Policisë së Shtetit e të riut 32 vjeçar Lear Kurti, tashmë është kthyer në kryefjalën e debateve pafund në rrjete sociale, në të gjitha edicionet e lajmeve dhe në studiot televizive.

Në këtë debat, janë përfshirë mjaft aktorë të medias, politikës dhe të Shoqërisë Civile, me hipoteza dhe hamendësime, thënie dhe kundërthënie, që me gjasa, nuk i shërbejnë domsdoshmërisht zbardhjes të së vërtetës dhe rrethanave të ngjarjes.

Në fakt, kjo ngjarje nuk do të kishte marrë një vëmendje kaq të madhe, nëse humbja e jetës e të ndjerit Lear do të kishte ndodhur në rrethana krej natyrale, ndryshe nga ajo që në fakt ka ndodhur. 

Sepse, Lear Kurti e humbi jetën në rrethana krejt të veçanta dhe ende të paqarta.

Jeta e tij u shua në duart e atyre individëve me uniformën e policisë së shtetit, që, në çdo rrethanë  dhe për çdo arsye, duhet të kujdeseshin dhe të merrnin përsipër në bazë të ligjit dhe protokollit rutinë të ushtrimit të detyrës, të garantonin edhe sigurinë e jetës së tij.

Sikur e gjitha kjo të mos mjaftonte, autoritetet shtetërore, (Policia e Shtetit, spitali dhe qeveria), nxituan në mënyrë të çuditshme dhe të pa shpjegueshme të përsëritnin refrenin e precedentëve të mëparshëm, përmes kakofonisë së justifikimeve, (kujtojmë rastin e të rijnve Klodian Rasha, Ilvi Meta, vogëlushes 7 vjeçare Jonada Avdia, etj, viktima të policisë), duke u përfshirë në deklarata publike të ndryshme e kontradiktore, me synimin e vetëm për të mbajtur sekush sa më larg vetes përgjegjësinë dhe pasojat ligjore që ka sjell kjo ngjarje aspak e zakontë.

Hapat e mëtejshme të organeve ligjzbatuese, (procedura kaq  e nxituar e ekspertizës Mjeko – Ligjore për të realizuar autopsinë e viktimës në mesnatë, në shkelje të hapur me afatet ligjore të parashikuar në ligj),  mungesa e pjesëmarrjes në këtë procedurë e një ekipi ekspertesh  Anatomo – Patologjik, refuzimi i familjes dhe i përfaqësuesit ligjor të familjes nga morgu i spitalit, e bëjnë edhe më të mistershme këtë ngjarje dhe ngrejnë shumë pikëpyetje të cilat padyshim kërkojnë jo vetëm kurajo, por më së shumti nevojitet një integritet i lartë moral, human dhe professional për të zbardhur deri në fund të vërtetën dhe rrethanat e ngjarjes.  

Ditë pas dite, orë pas ore, të gjitha dëshmitë dhe pamjet e kamerave që kanë mundur të kapin fragmente me sekuenca të trajektores dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje, si transporti i gabuar i viktimës nga uniformat blu në mjediset e komisariatit, më pas, imazhet e të ndjerit në agoni e me pranga në mjediset e urgjencës, me vigon në krah duke marrë serum, të gjitha argumentet profesionale që kanë sjellë përmes debateve pafund ekspertët e fushës, deklaratat e shokut të ngushtë të viktimës i ndodhur në vendngjarje, konvergojnë në një pikë të përbashkët.

Ato synojnë për të demontuar alibinë e stisur dhe manipulimin e provave nga ana e autoriteteve shtetërore dhe rreken ta sjellin këtë ngjarje sa më pranë të vërtetës.

Pikërisht, të gjitha këto prova dhe argumenta të arsyeshme, e veshin me një tis të mjergullt dhe e bëjnë edhe më të paqartë e të mistershme narrativën e kësaj ngjarje tragjike, që me të drejtë ka kulmuar me një  revoltë dhe zemëratë të përgjithshme të reagimit qytetar dhe jo vetëm.

Gjthsesi, nën presionin e një opinioni kaq të gjerë publik dhe atij mediatik, tashmë, duket se institucionet ligjzbatuese kanë nisur të lëvizin për zbardhjen sa më shpejtë të kësaj  kësaj ngjarjeje.

Kjo zbardhje, në fund të fundit, ka të bëjë jo vetëm me rikthimin e besimit të publikut, por edhe me dinjitetin e seriozitetin e pacënueshëm që duhet të kenë institucionet e pavarura ligjzbatuese, të cilat mbajnë në këmbë të gjithë arkitetkturën e një shteti ligjor, kushtetues dhe demokratik, ku çdokush është dhe duhet të jetë i barabartë përpara ligjit.

Në një dalje të vetme në media, Fatmira Mustafaj, nëna e Learit, përmes një interviste të dhënë gazetares Klodiana Lala,  ka sqaruar qartë dhe pastër gjithçka dinte rreth ngjarjes së kobshme për të birin fatkeq. 

Përmes lotësh, dhimbjes dhe ofshamave të saj, veç të tjerash, ajo pati guximin dhe kurajon të fliste hapur dhe pa doreza se kush ishte i biri i saj, me të mirat dhe dobësitë që kishte, por edhe për të shuar njëherë e mirë atë tymnajë të ngritur me pa të drejtë nga Homo Loquax, (njeriut llafazan), apo fjalamanët bosh të ekraneve, që, sipas tyre, Leari vuante nga sëmundja e epilepsisë dhe se ai ishte një fëmijë i birësuar, etj, etj.

Dhimbje më të madhe nuk mund të ketë për një nënë, tek dëgjon në ditën më të vështirë të jetës së saj sajesa të tilla, që gjithsesi, me shumë dinjitet ajo mundi të përballoj një opinion edhe me simptoma nekrofilie, që dashur pa dashur e ndeshim jo rrallë në mjedisin tonë social edhe në ato raste kur në fakt, të gjithë duhet duhet të heshtim dhe të respektojmë së paku Kodin e Vdekjes.

Nëna e Learit rrëfeu si biri i saj gëzonte një shëndet të plotë dhe se ai kishte një fizik të fuqishëm, dhe shtatëlartë. 

Ajo apelonte institucionet e shtetit për të zbardhur sa më parë ngjarjen, pasi me sytë e saj e kishte parë trupin e të birit që dergjej në arkëmort, ku dalloheshin qartë hematoma dhe dëmtime të cilat ishin shkaktuar prej grushtimeve dhe goditjeve me shqelma që i ishin bërë gjatë ndalimit nga trupa policore. 

Ajo rrëfeu se si Leari shpesh i thoshte se përndiqej padrejtësisht nga policët dhe si kishte fobi prej tyre, ndaj edhe nuk i pëlqente më kjo botë ku jetojmë…Gjithsesi, nëna e Learit u tregua mjaft e mençur, e shtruar dhe e kujdesshme…

Ajo foli pa mllefe, pa inate, nuk kërkonte shpagim për shkaktarët që i sollën vdekjen e djalit të vetëm. Apelonte dhe kërkonte vetëm drejtësi, jo vetëm në emër të saj, por në emër të të gjitha nënave fatkeqe që sot ndodhen në të njëjtën situatë.

Sepse, sipas saj, Laeri ishte bir i të gjithëve, ishte djalë i lagjes, ndaj edhe të gjithë e donin dhe e respektonin. 

Ajo lutet që të mësoj vetëm të vërtetën për ikjen e të birit, të mund ta shërbej edhe atje ku është, sa të ketë frymën gjallë…, tha ajo në fund të intervistës.

 Po kush ishte i riu Lear Kurti që tashmë ka zënë vend aq bujshëm në faqet e para të kronikave të zeza në mediat dhe portalet shqiptare dhe atyre të huaja…!? 

Metaforikisht, në pamje të parë, ai ishte një i ri  32 vjeçar krej i zakonshëm, vërsnik me moshën adulte të “demokracisë” 32 vjeçare të një Shqipërie të lodhur, të rraskapitur prej një tranzicioni të gjatë e të mundimshëm, rraskapitës e të pashpresë, të molepsur nga shumë fenomene e plagë sociale, shkaktuar prej krimit dhe drogës,  korrupsionit administrativ dhe shtetëror…

Leari jetoi jetën e tij të shkurtër në një Shqipëri e cila, për fat të keq, nuk e njohu kurrë si qytetarin e saj, nuk i dha kurrë një mundësi të vetme për tu ndjerë me shanse të barabarta mes bashkëmoshatarësh, ngase gjithmonë me nënën e tij e ndjente veten të përjashtuar nga e gjithë jeta sociale, ekonomike e shoqërore e vendit.

Në fakt, Lear Kurti nuk ishte një fëmijë krej i zakonshëm. Prej vuajtjeve dhe vështirësive të jetës, nga një fëmijë pa fëmijëri, ai u rrit shpejt dhe u bë burrë para kohe. 

Përmes zgjuarsisë që e kishte të lindur, ambicieve dhe veçorive të tij dalluese u bë një i ri i mirëshkolluar, i aftësuar për jetën, për të ardhmen. Zotëronte disa gjuhë të huaja dhe kishte pasion heroglifet dhe disa profesione…

Ai ishte një i ri me shumë imagjinatë, me pasione e dëshira për jetën, por mjerisht edhe me ëndrra të vrara, të parealizuara kurrë, ngase jetoi në një Shqipëri që nuk i dha asnjëherë të vetme mundësinë që të jetojnte një fëmijëri normale, si çdo fëmijë normal dhe i pafajshëm i kësaj bote.

Ai ishte bir i vetëm, i rritur me shumë vuajtje e mundime, me halle e sakrifica të mëdha, herë i ngrënë dhe herë i pangrënë,  pa baba që në lindje….

U rrit mes dhimbjesh e lotësh nga një nënë e vetme, e rritur edhe ajo jetime në Shtëpinë e Fëmijës, pa e njohur kurrë familjen e saj, pa e ditur kurrë se cilët ishin ata që e sollën në jetë. Lindi me një emër mjaft të bukur e shpresëplotë, por që jeta nuk e përkëdheli Fatmirën në fatin e saj tragjik…

Ah moj Fatmira, ti, shoqja ime e fëmijërisë, ti, vajza rëngëmadhe e qeshur dhe çapkëne që e shpërfille sa e sa herë fatin tënd prej jetimeje, me atë humorin e shpenguar dhe optimizmin tënd brilant….. 

Sot, e kam të vështirë të shkruaj në këto rradhë eulogjinë për Birin tënd të vetëm… Laeri ishte e vetmja arsye që të jepte një copëz buzëqeshje dhe të motivonte ekzistencën tënde në këtë jetë.

Ti që mbaje gjallë krenarinë dhe dinjitetin tënd në çdo situatë të vështirë që të solli kjo jetë rrenacake, sot, nuk mundesh të bësh qoftë edhe një grimasë që të shprehësh dhimbjen proverbiale, më të madhen dhimbje legjitime që e ndjejnë vetëm nënat në të njëjtën rrethanë në të cilën ndodhesh…

Nuk mundesh as të belbëzosh qoftë edhe një gjysmë fjale mes ofshamave dhe piskamave të dhimbjes që të mban të kapluar gjithë qënien tënde, sepse edhe shkëlqimi i bukur i syve të është venitur duke u shuar dalëngadalë…

E, tek dëgjon të flitet për kalvarin e mundimeve dhe sagën fundore të dhimbjes së kësaj gruaje të fortë, kupton se vuajtja e dinjitetshme e Fatmirës vjen si një leksion morali për të gjithë ne, indiferentët kronikë që shohim çdo ditë para syve tanë dramën njerëzore kolektive, pasqyra ku e gjithë shoqëria mund të shohë veten e saj….

Kishe të drejtë Fatmira kur shpeshherë dëgjoja të përsëritje me gojën tënde thënien e moçme: “…Jetimi s’ka fat…!!!”. 

Ndërsa unë, sot do të shtoja: 

“Mos e paç kurrë fatin e jetimit shqiptar…!”

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

8 gjërat për të parë dhe bërë në Amsterdam

Story i radhës

Gjykata urdhëron ndihmësin e ish presidentit Trump të dëshmojë në hetimin për zgjedhjet në Xhorxhia

Të fundit nga

ShkoLartë