Kryetari Haki Rugova u shua, fizikisht, kësaj bote. Amshimi i tij lëndoi jo vetëm zemrat e Familjes Rugova, por, edhe të qytetarëve të Istogut dhe më gjerë në Kosovë dhe Shqiptari.
Dëshmi e kësaj dhimbje masive ishte edhe ceremonia mortore, shumësia e komunitetit pjesëmarrës dhe nderimi i bërë, nga institucionet shtetërore e partiake, që nga homazhet, mbledhja komemorative e deri tek varrimi.
Me këtë rast, në emër të kryetarit të Degës të LDK-së, Osman Ferizi dhe të anëtarësisë të LDK-së, në Gjermani, dhe timin personal, shprehim ngushëllimet e thella Familjes së madhe dhe të zëshme Rugova, për humbjen e njeriut Tuaj të shumëdashur, Haki Rugova.
Kemi bindjen se Familja fisnike Rugova, duke filluar nga bashkëshortja Fitorja, fëmijtë: djali Iliri, vajzat Zana dhe Nora; vëllezërit: Ibishi, Ganiu, Naimi, Ismeti; motrat: Sanija, Fahrija, Violeta, me familjet tyre, dhe e gjithë vëllazëria tjetër- Rugova në Cercë e gjetiu, do të arrijnë ta menaxhojnë këtë humbje domëthënëse, ndonëse prania e madhe pjesëmarrëse në këtë dhimbje, do ta lehtësojë gjëmën enorme familjare.
Kryetari Haki Rugova, për dekada me radhë, ishte në shërbim të qytetarëve të Istogut: si arsimtar, inxhinier, shef i Ekzekutivit komunal, nënkryetar i Komunës. Dhe, pas shkuarjes në amshim të kryetarit Fadil Fereati, Haki Rugova e pasoi atë – kryetar i Komunës të Istogut, për tri mandate radhazi.
Kryetari Haki Rugova, duke qenë në cilësinë e Nënkryetarit të LDK-së, ishte përgjegjës për kujdestarinë monitoruese të LDK-së në Mërgatë, veçanërisht, për Degën e LDK-së në Gjermani.
Jeta, vepra dhe profesionalizmi drejtues i kryetarit Haki Rugova, do të kujtohen ndër mote e përjetësisht.
Me këtë rast e falenderojmë, çiltërisht, Redaksinë e RTV – FONTANA -, ekipin simpatik menaxhues dhe drejtorin Zeqir Mehmetaj, që na mundësuan, neve, si Mërgatë, të bëhemi pjesë e përcjelljes vizive të transmetimit profesional, të drejtëpërdrejtë, e të gjithë ceremonisë mortore të kryetarit të nderuar Haki Rugova!
Lavdi jetës dhe veprës të kryetarit Haki Rugova!
Në emër të Degës të LDK-së në Gjermani
Idriz Zeqiraj
Delegat në Kuvendin Qendror të LDK-së dhe Zëdhënës i Degës të LDK-së në Gjermani