Artistja dhe mësuesja Arta Ramadani ka reaguar me dhimbje pas ndarjes nga jeta të 18-vjeçarit Shpejtim Sylën, i cili humbi jetën në Shëngjin.
Përmes një dedikimi prekës, ajo ka kujtuar të riun, pasionin e tij për artin dhe talentin që kishte shfaqur në pikturë.
Ramadani e ka përshkruar Shpejtimin si një djalosh që e donte artin me gjithë zemër dhe që krijonte me pasion, duke theksuar se mungesa e tij do të ndihet në atelie.
Duke kujtuar bisedat e tyre për pikturën, ajo ka ndarë edhe një moment të veçantë me nxënësin e saj, kur ai i thoshte: “Për mua, kjo pikturë është e përfunduar, por prapë vendose ti, mësuese!”.
Postim i plotë:
Lamtumirë, artist! I more me vete të gjitha ngjyrat e jetës… Është kaq e vështirë të shkruaj për ty.
Atelieja do të jetë ndryshe pa praninë tënde. Shokët dhe shoqet e ateliesë janë në lot për humbjen tënde.
Djaloshi që shfaqi dijen e tij, që e deshi artin me gjithë zemër, që krijoi me aq shumë pasion. Na mësove se si është të punosh me zemër dhe ta duash jetën nëpërmjet artit.
Shpejtim, ti më ke mësuar të besoj edhe më shumë tek nxënësit e mi. Kemi biseduar gjithmonë për pikturën. Ende më jehojnë në mendje fjalët e tua kur më thoje: Për mua, kjo pikturë është e përfunduar, por prapë vendose ti, mësuese!
Mësuam shumë së bashku. Mësuese e mirë ,këtë titull ma dhe pikërisht ti!
Ngushëllime familjes së Shpejtimit, profesorëve dhe arsimtarëve që punuan me të, shokëve e shoqeve, dhe të gjithë atyre që e deshën fort djalin më të mirë të qytetit.
Artistin tonë. Shpejtimin tonë.
Lamtumirë, artist… por arti yt do të mbetet gjithmonë me ne.
Burimi: botasot.info


