Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se rezultatet e regjistrimit me karakteristikat e tyre që përfshijnë shtrirjen gjeografike të popullsisë, kushtet sociale, ekonomike, madhësinë e përbërjen e ekonomive familjare, nivelin e edukimit e të tjera, edhe për zonat e vogla ose nëngrupet e popullsisë, janë shumë të nevojshme për hartuesit e politikave, si dhe për institucionet qendrore, ashtu edhe ato lokale me qëllim ofrimin e shërbimeve duke u bazuar në të dhëna.
Kuri tha në tryezën me temë “Regjistrimin e Popullsisë”, të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, theksoi se Qeveria e Kosovës që nga kalimi i Agjencisë së Statistikave në Zyrën e Kryeministrit në qershor të këtij viti, i ka kushtuar rëndësi të veçantë projektit të regjistrimit të popullsisë dhe në përgjithësi statistikave.
Ai shtoi se është angazhuar drejtpërdrejt si dhe ka kërkuar nga stafi i Zyrës së Kryeministrit që të kenë një koordinim të ngushtë dhe bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës për një regjistrim të suksesshëm.
“Jam i njoftuar për shumë detaje dhe sfida që ka projekti i regjistrimit dhe kam shprehur gatishmërinë për të gjetur një rrugë e cila ndihmon projektin e regjistrimit dhe që regjistrimi si i tillë të jetë i suksesshëm”, u shpreh kryeministri.
Po ashtu, kryeministri Kurti vlerësoi se përfshirja e institucioneve lokale dhe atyre ndërkombëtare dhe rrugëtimi i përbashkët në një projekt të tillë të rëndësishëm garanton një regjistrim të suksesshëm, cilësor dhe gjithëpërfshirës dhe që do ta bënte regjistrimin të ishte storie e suksesit.
Me këtë rast, kryeministri tha se Qeveria e Kosovës, ka ndarë rreth 12 milionë euro për projektin e regjistrimit.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Faleminderit i nderuari z. Ilir Berisha, ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës,
I nderuari z. Tomáš Szunyog, Udhëheqës i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,
I nderuari Ambasador i Turqisë, z. Çağrı Sakar,
Të nderuar Zëvendës Ambasadorë të Mbretërisë së Norvegjisë, dhe të Suedisë,
Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike dhe zyrave ndërkombëtare në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të UNECE dhe të Bankës Botërore (të cilët janë në lidhje virtuale poashtu) dhe të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Pothuajse të gjithë e kuptojmë rëndësinë e të dhënave që dalin nga regjistrimi i popullsisë dhe në përgjithësi të statistikave. Në nivelin ndërkombëtar ekzistojnë rekomandime, standarde dhe nomenklatura me qëllim që ato të jenë të krahasueshme dhe Regjistrimi në Kosovë do të jetë në linjë me praktikat më të mira ndërkombëtare mbi regjistrimet – rekomandimet nga UNECE dhe EUROSTAT-i.
Rezultatet e regjistrimit me karakteristikat e tyre që përfshijnë shtrirjen gjeografike të popullsisë, kushtet sociale, ekonomike, madhësinë e përbërjen e ekonomive familjare, nivelin e edukimit e të tjera, edhe për zonat e vogla ose nëngrupet e popullsisë janë shumë të nevojshme për hartuesit e politikave si dhe për institucionet qendrore ashtu edhe ato lokale me qëllim ofrimin e shërbimeve duke u bazuar në të dhëna.
Duke e ditur rëndësinë e të dhënave statistikore, Qeveria e Kosovës që nga kalimi i Agjencisë së Statistikave në Zyrën e Kryeministrit në qershor të këtij viti, i kemi kushtuar rëndësi të veçantë projektit të regjistrimit të popullsisë dhe në përgjithësi statistikave.
Siç e dini, tani me ligjin për regjistrimin është aprovuar edhe nga Qeveria e Parlamenti, është data e Regjistrimit ajo dhe është formuar Komisioni Qendror i Regjistrimit të Popullsisë. E kemi edhe organin përkatës edhe intervalin apo periudhën kohore. Për këtë jam angazhuar drejtpërdrejt si dhe kam kërkuar nga stafi i Zyrës së Kryeministrit që të kenë një koordinim të ngushtë dhe bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës për një regjistrim të suksesshëm. Jam i njoftuar për shumë detaje dhe sfida që ka projekti i regjistrimit dhe kam shprehur gatishmërinë për të gjetur një rrugë e cila ndihmon projektin e regjistrimit dhe që regjistrimi si i tillë të jetë i suksesshëm.
Gjatë këtyre muajve e javëve janë zhvilluar shumë takime me Agjencinë e Statistikave duke e përfshirë tani edhe Komisionin Qendror të Regjistrimit ku janë analizuar sfidat e mundshme që do të paraqiten në regjistrimin e popullsisë marrë parasysh edhe përvojën e kaluar si dhe regjistrimet nga vendet e rajonit që kanë realizuar regjistrimin.
Duhet të zhvillohen shumë aktivitete të prokurimit, (rreth 80 aktivitete të prokurimit) brenda 6 muajve të ardhshëm e ku, shtyrja apo mos realizimi i ndonjë aktiviteti më madhor mund të ketë ndikim në shtyrjen e gjithë procesit. Pra, nuk shtyhet një aktivitet, shtyhet i gjithë procesi i cili është zinxhir i aktiviteteve.
* Andaj, duhet të sigurohen tabletët me kohë që të ketë regjistrim;
* Duhet të sigurohen në kohë serverët e fuqishëm që të mos rrezikohet rënia e sistemit dhe siguria e të dhënave;
* Nevojiten shërbime mbi fushatën informuese që të ndikojnë në pjesëmarrjen e të gjithëve;
* Për një menaxhim dhe monitorim të projektit duhet të zhvillohen në kohë aplikacionet e veçanta;
* Dhe për analiza të sakta duhet të kemi programe softuerike të avancuara.
Këto vlerësime janë bërë gjatë diskutimeve mbi sfidat e regjistrimit midis stafit të ASK-së, Komisionit Qendror të Regjistrimit, si dhe institucioneve ndërkombëtare.
Duke parë sfidat dhe rreziqet e mundshme, Agjencia e Statistikave të Kosovës iu është drejtuar Zyrës së Kryeministrit duke propozuar që buxheti si ai nga Qeveria e Kosovës dhe donatorët të jetë i menaxhuar nga UNOPS si institucion i cili është i specializuar për këtë fushë.
Menaxhimi i buxhetit nga UNOPS-i ishte një përvojë e mirë që ka pasur më parë ASK (Regjistrimi i popullsisë 2011 dhe ai i Bujqësisë 2014) ku sipas ASK do të lehtësohen procedurat e blerjes se pajisjeve në kohë, të jenë cilësore, pastaj çështja e shërbimeve, programeve, aspektet tjera logjistike duke përfshirë edhe shpërndarjen e grumbullimin e pajisjeve në tëre territorin e Kosovës, përgatitjen e sallave te trajnimeve si dhe angazhimin e ekspertizës lokale, ndërkombëtare e atë të mbikëqyrjes.
Është për t’u vlerësuar gatishmëria e UNOPS-it që përkundër sfidave dhe kohëzgjatjes së projektit (2 vite) ata kanë vlerësuar se tarifa e tyre do të jetë vetëm 3.5% e shumës së përgjithshme të buxhetit. Sipas informatave që kemi, zyrtarët e UNOPS-it janë deklaruar se sigurimi i pajisjeve, programeve, shërbimeve dhe materialeve do të realizohen në kohë.
Pra ata janë në dijeni të kalendarit tonë dhe thonë që kjo është e realizueshme.
Në ekspertizën e vitit 2011 ishte formuar TRUST FONDI për regjistrimin e menaxhuar nga UNOPS dhe kishte Komitetin Drejtues të Trust Fondit i përbërë nga donatoret qe pritet të jetë po ashtu funksional.
Përfshirja e institucioneve lokale dhe atyre ndërkombëtare dhe rrugëtimi i përbashkët në një projekt të tillë të rëndësishëm garanton një regjistrim të suksesshëm, cilësor dhe gjithëpërfshirës dhe që do ta bënte regjistrimin të ishte storie e suksesit.
Meqenëse ASK-ja kishte vlerësuar në fillim të këtij viti se kostoja e përgjithshme do të jetë diku rreth 12 milionë euro, me rritjen e kostos së jetesës do të ketë nevojë që ky buxhet mbase edhe të rishikohet, dhe sipas ASK-së do të rritet ndoshta edhe për 15% apo rreth 1.8 milionë euro shtesë të nevojshme. Nëse kësaj i shtojmë edhe tarifën për UNOPS-in dhe ekspertizës ndërkombëtare kostoja e përgjithshme e Regjistrimit mund të jetë diku rreth 15 milionë euro.
Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete të caktuara për projektin e regjistrimit rreth 12 milionë euro, pra na mungojnë rreth 3 milionë euro.
Kosova ka nevojë për një regjistrim gjithëpërfshirës dhe cilësor dhe ndihma e juaj do të jetë vitale në këtë proces si dhe do të mundësojë arritjen e një marrëveshje me UNOPS-in.
Ne kemi parë që vendet e rajonit janë mbështetur fuqishëm edhe kësaj here (përveç 2011) me disa miliona euro nga institucionet ndërkombëtare, p.sh. Shqipëria është mbështet me rreth 4 milionë euro; Maqedonia e Veriut me rreth 3 milionë euro; Serbia diku me rreth 6 milionë euro; dhe Mali i Zi është në proces të marrjes së fondeve pasi ende nuk e kanë përcaktuar datën e regjistrimit.
Andaj, kërkojmë edhe ana e juaj që të jeni pjesë e regjistrimit duke na mbështetur financiarisht në këtë projekt të regjistrimit të popullsisë apo edhe përmes formave të tjera.
Ju faleminderit edhe njëherë për vëmendjen tuaj dhe pjesëmarrjen tuaj!