Tuchel që u pushua thuajse para se të fillonte. Allegri e Inzaghi në prag të shkarkimit, dhe ndërkohë as Klopp dhe Nagelsmann nuk është se po ia kalojnë mirë. Bëhet fjalë për trajnerë të niveleve më të larta, kampionë apo nënkampionë të Europës. Koincidenca e rrallë është se vjeshta e tyre, edhe pse me paga me shumë zero pas është shumë e nxehtë, madje djeg.
Ndoshta edhe me pauzën e gjatë të Botërorit të Katar, që mund ti bëjë pronarët të paduruar duke marrë vendime për ti shkarkuar. Edhe te Bayern, klubi europian me më shumë stabilitet, Oliver Kahn ju desh të përgënjeshtronte zërat për pushimin e trajnerit. Një shkarkim te Bajerni në shtator nuk ishte parë kurrë. Nuk janë më gjermanët e një kohe…
Tani është shpejt për të folur për fundin e një cikli apo të një shkolle, por sinjalet që vijnë nga Premier League, Serie A apo Bundesliga imponojnë një reflektim mbi dinamikat e futbollit, që në dekadën e fundit e ka ngritur drejtuesin e stolit në statusin që dikur ju njihej vetëm fenomenëve më të mëdhenj të fushës.
Kohë të vështira për disa prej trajnerëve më të mëdhenj sot, por me situata të ndryshme. Ajo e Tuchel, dy herë finalist i Champions me dy skuadra të ndryshme, (PSG dhe Chelsea), ishte një arritje e bujshme. Pas shkarkimit të tij përtej zgjedhjeve taktike, apo edhe tensionit të shfaqur si në rastin me Conten, duket se kanë të bëjnë edhe marrëdhëniet personale.
Tjetër histori për Klopp, më pak akademik por më motivues në shpirtin që i imponon Liverpulit. Egziston përshtypja se ka rënë në gabimin njerëzor duke mos u ndërgjegjësuar se një cikël mund të mbyllet që në vitin e tetë, më keq se një martesë. Sidomos nëse lojtarët e mëdhenj janë paksa të plakur për të ruajtur ritmin dhe të rinjtë nuk janë në lartësinë e tyre. Interesante është se në këtë krizë të fundit të verës, kanë rënë të gjithë mitet modernë të shkollës gjermane, nxënës të Ragnik, profesorit të kundër-presingut.
Në telashe është edhe Nagelsmann, 35-vjeçar, i brezit të playstation. Dy suksese me Barcën dhe Interin në Champions, i pesti në Bundesliga, një absurd i vërtetë. I akuzuar si një gjeni, doktor i cmendur, apo thjesht eksesiv, me siguri Nagelsmann nuk është një tip i zakonshëm. Mbetet për tu parë nëse do ti rezistojë kundërpresingut me të cilin nuk është mësuar.
E njëjta çështje shtrohet edhe për Allegrin dhe Inzaghin. Para nisjes së sezonit ishin në podin virtual të Serisë A bashkë me Piolin, sot janë të padëshiruar nga tifozët respektivë. Pak bindës në zgjedhjet e tyre, në menaxhimin dhe komunikimin, ndoshta dhe pak të pafat. Ndoshta ajo që po mungon sot është kurajoja e një herë e një kohe. Duke qenë se dikur e kanë patur, duhet ta nxjerin në pah sërish. Pasi Tuchel nuk do të vonojë të gjejë sërish një skuadër, dicka që për ta nuk është dhe aq e sigurt.