Analisti Shkëlzen Gashi ka kritikuar mungesën e dënimeve në Serbi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Sipas tij, nga 105 masakra të kryera në Kosovë më 1998–1999, në Beograd janë dënuar përfundimisht pjesëtarë të forcave serbe vetëm për tri raste: në Tërnje, Suharekë dhe Podujevë.
Gashi ka kërkuar që BE-ja të shqyrtojë themelimin e një Gjykate Speciale në Hagë për krimet e forcave serbe-jugosllave në Kosovë.
Postimi i plotë:
105 masakra, vetëm 3 dënime
Ku është Gjykata Speciale me seli në Hagë për Serbinë?
Në Kosovë janë kry 105 masakra, ndërsa Gjykata për Krime Lufte në Beograd ka dënu përfundimisht pjesëtarë të forcave policore e ushtarake serbe e jugosllave vetëm për 3 prej 105 masakrave të kryera në Kosovë më 1998–1999: Tërnje, Suharekë dhe Podujevë.
Për dy masakra të tjera, në Lubeniq dhe Qyshk, Gjykata e Apelit në Beograd i ka rrëzu vendimet dhe të dy rastet vazhdojnë me u zvarritë nëpër gjykata qysh prej vitit 2014.
Pra, për 100 prej 105 masakrave të kryeme në Kosovë, në Beograd nuk është dënu askush. Kjo do të thotë se Gjykata për Krime Lufte në Beograd ka dështu.
Prandaj, Bashkimi Europian është dashtë me vepru ndaj Serbisë agresore e jo vetëm ndaj Kosovës viktimë: me themelu një Gjykatë Speciale për krimet e forcave serbe-jugosllave, me seli në Hagë për kryesit e këtyne masakrave.
Pse vetëm Kosova e ka një Gjykatë Speciale në Hagë, kurse Serbia, që i ka krye 105 masakra në Kosovë, e i ka dënu kryesit e vetëm 3 masakrave, nuk e ka një Gjykatë Speciale në Hagë?
P.S.
Në Gjykatën për Krime Lufte në Beograd janë shqiptuar dënime vetëm për 3 prej 105 masakrave:
Masakra në Tërnje
Më 2019 u dënua Rajko Kozlina me 15 vjet burg.
Masakra ndaj familjes Berisha Suharekë
Më 2009 u dënua Radojko Repanović, me 20 vjet burg, si dhe Slađan Čukarić, Miroslav Petković dhe Milorad Nišavić me 20, 15 dhe 13 vjet burg.
Masakra ndaj familjes Bogujevci Podujevë
Më 2004 u dënua Saša Cvjetan me 20 vjet burg e më 2010, Željko Đukić, Dragan Medić dhe Dragan Borojević u dënuan me nga 20 vjet burg, kurse Miodrag Šolaja me 15 vjet.
Burimi: botasot.info


