Kriza në Ukrainë/ Eksperti britanik tregon a guxon Serbia të ndërhyjë në veri të Kosovës – Ky është ankthi i Qeverisë Kurti

February 22, 2022
min lexim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, nuk do ta braktisin idenë e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përkundër refuzimit nga Qeveria e Kosovës dhe partive politike në vend.

Kështu ka deklaruar eksperti i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit Richard Caplan, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”. Ai thotë se asociacioni me kompetenca ekzekutive, është shkak për ankth për Qeverinë e Kosovës.

Profesori ka folur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi, duke thënë se ajo rrezikon ta hapë Kutinë e Pandorës dhe të shkaktojë presione diku tjetër në Evropë për t’i rivizatuar hartat përgjatë vijave etnike.

Image

Richard Caplan

Caplan në këtë intervistë e ka komentuar edhe situatën në Ukrainë dhe qëllimin e vërtetë të presidentit rus Vladimir Putinit.

Ndërsa, i pyetur nëse një konflikt i mundshëm në Ukrainë, do të rriste apetitet serbe ndaj veriut të Kosovës, eksperti britanik parasheh që Serbia nuk guxon ta afirmojë veten ushtarakisht në territorin e Kosovës, pasi i rrezikon raportet me BE-në.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e shihni udhëheqjen e procesit të dialogut nga kryeministri Kurti përballë një presidenti serb (Aleksandar Vuçiqit), i cili jo rrallë e përdor retorikën luftënxitëse ndaj Kosovës?

Richard Caplan: Kurti dhe Vuçiqi, që të dy po bëjnë atë që bëjnë politikanët – ata po u bëjnë thirrje bazave të tyre të mbështetjes me gjuhë që don ta ruajë mbështetjen e vet. Megjithatë, ata duhet ta gjejnë një mënyrë për të dalë nga ngërçi i vazhdueshëm. Udhëheqja e vërtetë do të kërkonte krijimin e një narrative të re për zonat e tyre përkatëse bazuar në një kompromis që do t’i lejonte Serbisë dhe Kosovës të ecnin përpara së bashku.

“Bota sot”: Presioni ndaj Kosovës për asociacioninin, duket se po shtohet dhe kjo u pa edhe në vizitën e fundit të emisarëve, të SHBA-së dhe të BE-së në Kosovë. A mendoni se Kosova do të dorëzohet përball kompromisit të dhimbshëm?

Richard Caplan: Nuk shoh asnjë dëshmi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Bashkimi Evropian do ta braktisin idenë e asociacionit/bashkësisë së komunave me shumicë serbe, e cila ishte paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar nga Serbia dhe Kosova në vitin 2013. Qeveria e Kosovës dhe partitë politike të Kosovës mund të vazhdojnë ta refuzojnë këtë veçori të Marrëveshjes së Brukselit, por mendoj se nuk ka gjasa që SHBA-ja dhe BE-ja të tërhiqen.

“Bota sot”: Si të gjendet një model (jo me kompetenca ekzekutive) për asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin do ta pranonte edhe Beogradi?

Richard Caplan: Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka bërë thirrje për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive. Ky është një zgjerim i pajustifikuar dhe i paligjshëm i kompetencave të asociacionit të propozuar. Kuptohet se është shkak për ankth nga Qeveria e Kosovës.

“Bota sot”: Politikanë opozitarë në Kosovë nga PDK-ja e kanë përmendur kohëve të fundit idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. A po rikthehet kjo ide në tryezën e diskutimeve?

Richard Caplan: Ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – nganjëherë referuar si “korrigjim kufiri” – është transmetuar shumë herë gjatë viteve. Ajo është kundërshtuar nga liderët evropianë, të cilët argumentojnë se ajo minon parimin e multikulturalizmit. Ata janë gjithashtu të shqetësuar se kjo ide mund ta hapë Kutinë e Pandorës dhe të shkaktojë presione diku tjetër në Evropë për të rivizatuar hartat përgjatë vijave etnike.

“Bota sot”: Si e komentoni situatën në Ukrainë, ndërsa Putini ka urdhëruar hyrjen e forcave ruse në krahinat seperatiste? A do të ketë vërtetë luftë Rusi-Ukrainë?

Richard Caplan: Ne nuk mund ta dimë se çfarë do të sjellë e ardhmja për Ukrainën. Çdo ditë që kalon, duket se po i afrohemi luftës, por është ende e mundur që të arrihet një përfundim paqësor i krizës aktuale.

“Bota sot”: Cili është qëllimi i vërtetë i presidentit rus Vladimir Putin atje?

Richard Caplan: Është e mundur të dallosh të paktën një qëllim të Presidentit Putin; Mundem vetëm të spekuloj për të tjerat. Një synim është rritja e sigurisë së Rusisë. Putin kërkon ta arrijë këtë, duke marrë zotime nga vendet anëtare të NATO-s që mos ta shtrijë anëtarësimin në Ukrainë. Edhe pse anëtarësimi në NATO për Ukrainën nuk ka qenë kurrë gjë tjetër veçse një perspektivë shumë e largët, vendet anëtare të NATO-s nuk do të heqin dorë zyrtarisht nga e drejta e Ukrainës për t’u bashkuar me Aleancën.

Ka mënyra të tjera, përmes të cilave mund të rritet siguria e Rusisë – përmes masave të kontrollit të armëve, zonave të çmilitarizuara, transparencës më të madhe, ndër të tjera – por Rusia po këmbëngul në një angazhim zyrtar nga NATO-ja për të mos e pranuar Ukrainën.

Putini pa dyshim ka synime të tjera, por këtu vetëm mund të spekuloj. Ai mund të dëshirojë të nxjerrë në skenë Perëndimin dhe të demonstrojë forcën dhe epërsinë e Rusisë. Ai mund të dëshirojë ta rivendosë Rusinë si një fuqi të madhe rajonale dhe globale. Ai mund të jetë i shqetësuar për “efektin ngjitës” të një shteti të lirë dhe të hapur në kufirin e Rusisë. Ai gjithashtu mund të dëshirojë ta largojë vëmendjen nga problemet e brendshme. Ne duhet të pyesim psikiatrin e Putinit se çfarë ka në mendjen e tij, ai!

“Bota sot”: Një konflikt i mundshëm atje, si do të ndikonte në rendin botëror, pasi vende të shumta kanë paralajmëruar sanksione të rënda ndaj Rusisë?

Richard Caplan: Ne nuk e dimë saktësisht se çfarë masash mund të marrin vendet në përgjigje të agresionit të mëtejshëm rus kundër Ukrainës, kështu që është e vështirë të vlerësojmë se cilat do të jenë efektet. Nuk ka dyshim se ato do të përfshijnë sanksione. Rusia mund të zgjedhë të hakmerret kundër sanksioneve, duke reduktuar furnizimin me gaz natyror në Evropë (Rusia siguron 32% të kërkesës për gaz të BE-së). Çmimet më të larta të gazit do t’i shtonin presionet ekzistuese inflacioniste, por unë pres që rregullimet që do t’u kërkohet të bëjnë shtetet evropiane do të jenë të tolerueshme.

Më seriozisht, agresioni rus do të minonte rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, në veçanti në parimin e integritetit territorial dhe ndalimin e përdorimit të forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Tashmë aneksimi i Krimesë nga Putini dhe kërcënimi i tij i vazhdueshëm për të përdorur forcën kundër Ukrainës, përfaqëson një sulm ndaj këtyre normave themelore. Këto parime janë shkelur më parë – duke përfshirë luftën e udhëhequr nga NATO kundër Serbisë në vitin 1999 – por ato ende funksionojnë si një mburojë kundër përdorimit të pakufizuar të dhunës, si një instrument shtetformimi.

“Bota sot”: Konflikti në Ukrainë, a do të rriste apetitet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, e cila pretendon veriun e Republikës së pavarur të Kosovës, që nga 2008?

Richard Caplan: Serbia nuk është Rusi. Ajo nuk i ka burimet e Rusisë dhe është më e varur nga Evropa për të ardhmen e saj. Serbia nuk do të dojë të rrezikojë marrëdhëniet e saj me Evropën, duke kërkuar të afirmojë veten ushtarakisht në veriun e Kosovës.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

BE-ja vendos sanksione ndaj Rusisë

Story i radhës

Sindikatat ia bëjnë me dije Kurtit: Nuk pranojmë pagë minimale nën 350 euro

Të fundit nga

Zemra e Trump-it papritmas bën TikTok

„Sa i përket TikTok-ut, ne do ta ndalojmë atë në SHBA. Unë kam këtë fuqi. Mund ta bëj me një dekret presidencial.“ – Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Donald Trump (78), në
ShkoLartë