BE-ja vendos sanksione ndaj Rusisë

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në mënyrë unanime kanë miratuar vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve rusë lidhur me veprimet e tyre në Ukrainë, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se pakoja e sanksioneve e miratuar të martën “do ta dëmtojë Rusinë dhe do ta dëmtojë shumë”.

Sipas tij, sanksionet do të prekin anëtarët e Dhomës së Ulët të Parlamentit rus dhe të individëve të përfshirë në miratimin e dislokimit të trupave ruse në rajonet separatiste në lindje të Ukrainës.

Borrell tha se sanksionet po ashtu do të afektojnë politikat financiare të Rusisë të lidhura me Ukrainën, duke kufizuar qasjen në tregjet financiare të BE-së.

“Kjo punë nuk ka përfunduar”, tha Borrell duke iu referuar veprimeve ruse në Ukrainë.

Parlamenti rus miraton përdorimin e forcës ushtarake jashtë shtetit

Më herët gjatë të martës, krerët e Këshillit dhe Komisionit Evropian thanë se sanksionet e bllokut 27 anëtarësh do të përfshinin:

Ata thanë se sanksionet, që pritet të miratohen në përgjigje të vendimit të Rusisë për të njohur dy rajonet lindore të Ukrainës, janë:

Shënjestrimi i të përfshirëve në këtë vendim joligjor

Shënjestrimi i bankave që financojnë ushtrinë ruse dhe operacionet e tjera në këto territore

Shënjestrimi i aftësisë së shtetit rus dhe Qeverisë në qasjen në kapitalin e BE-së, tregjet financiare dhe shërbimet, për të kufizuar financimin e politikave shkallëzuese dhe agresive.

Shënjestrimi i tregtisë nga dy rajonet lindore me BE-në, që të sigurohet që personat përgjegjës të kenë pasoja ekonomike për veprimet e tyre joligjore dhe agresive.

Po ashtu, Gjermania dhe Britania kanë ndërmarrë veprime ndaj Rusisë në përgjigje të vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin për të njohur dy rajone në lindje të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se shteti i tij do të pezullojë procesin e certifikimit të gazsjellësit kontrovers, Rrjedha Veriore 2, pas veprimeve të fundit të Moskës në Ukrainë.

Ky projekt synon dërgimin e gazit rus në Gjermani.

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur këtë vendim të Berlinit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se Uashingtoni “ka pasur konsultime gjatë natës me Gjermaninë dhe mirëpret njoftimin”.

Ndërkaq, kryeministri i Britanisë, Boris Johnson tha më 22 shkurt se do të sanksionojë pesë banka ruse dhe tre individë të pasur, përfshirë edhe Gennady Timchenko, pas vendimit të Putinit për rajonet lindore të Ukrainës.

“Sot, Mbretëria e Bashkuar po sanksionon pesë bankat ruse: Rossiya, IS Bank, General Bank, Promsvyazbank dhe Black Sea Bank. Ne po ashtu po sanksionojmë tre individë me të ardhura të larta”, tha Johnson para Parlamentit britanik.

Kombet e Perëndimit dhe vende tjera kanë dënuar vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të njohur pavarësinë e separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonet lindore ukrainase, Donjeck dhe Luhansk.

Dy dhomat e Parlamentit rus më 22 shkurt ratifikuan traktatet e miqësisë që Putin nënshkroi me këto dy territore në lindje të Ukrainsë, që kontrollohen nga separatistët.

Shtëpia e Bardhë më 22 shkurt iu referua dislokimeve të trupave ruse në lindje të Ukrainës si “pushtim”, duke lënë të kuptohet se është kaluar vija e kuqe që do të çojnë në sanksione të ashpra ndaj Moskës.

“Ne mendojmë se kjo është nisja e pushtimit, pushtimi i fundit i Rusisë në Ukrainë”, tha Jon Finer, këshilltar në Shtëpinë e Bardhë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë zotuar se do të vendosin sanksione të reja kundër Moskës./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Tjetër skandal te Manchester United

Story i radhës

Kriza në Ukrainë/ Eksperti britanik tregon a guxon Serbia të ndërhyjë në veri të Kosovës – Ky është ankthi i Qeverisë Kurti

Të fundit nga