Krimet e tmerrshme të Rusisë do të ndalen – Izraeli me rol kyç/ Shqiptarët e kanë shansin historik të faktorizohen në regjion

March 14, 2022
min lexim

Njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të ministrit të vrarë të Mbrojtjes Ahmet Krasniqit, prof.Dr.Rifat Haxhiaj, flet për herë të parë për ndikimet e luftës në Ukrainë, dhe rrezikut nga përhapja e saj eventuale.

Ish drejtori i Drejtorisë Informative të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, gjatë luftës, është i bindur se Kosova de fakto është në NATO, dhe se kjo i jep vendit një siguri të madhe ushtarake. “Sa i përket ndonjë inkursioni serb, për momentin dhe në këtë fazë, nuk mendoj se një gjë e tillë mund të ndodhë”, thotë ai.

Sipas Haxhiajt si pasojë e luftës në Ukrainë, në një fazë tjetër, mund të kyçen në konflikt përpos Gjeorgjisë dhe Moldavisë, edhe shtete të tjera të ish BRSS-së. “Si pasojë e këtij konflikti mund edhe të ketë përshkallëzim të situatës në Siri, në Palestinë, por edhe në Irak e Afganistan”.

Po ashtu duke qenë një profesor i sociologjisë, me të diskutuam nëse kjo luftë, brenda vetes fsheh përplasjet mes civilizimeve, atij Perëndimor dhe Rusisë, lindore. Kulturës trenare perëndimore, dhe asaj binare ruse.

“Bota sot”: Pas shumë kërcënimesh, dhe fshehje të qëllimit Rusia dhe presidenti i saj Putini, vendosën në zbatim planin sekret, që siç rezulton tani nga burimet amerikane ai ishte përgatitur prej vitesh, për pushtimin e Ukrainës. Cilat mendoni se ishin shkaqet e vërteta të këtij pushtimi?

Rifat Haxhiaj: Situata aktuale po dëshmon se “Lufta e ftohtë” nuk ka përfunduar asnjëherë, por ajo vetëm ka marrë forma të ndryshme, varësisht prej zhvillimit të raporteve të fuqive të mëdha. Në realitet, gjatë viteve të ‘90-ta, ish-BRSS-ja ishte në gjendje të vështirë ekonomike dhe atë kohë me shpërbërjen e saj, plotësisht e humbi garën në raport me fuqitë e mëdha, në veçanti atë përballë SHBA-ve. Për këtë, gjatë dy dekadave të fundit, kryetari i Rusisë, përpos në ringritjen e fuqisë ekonomike, ka punuar edhe në forcimin ushtarak të shtetit tij. Ai në të njëjtën kohë, ka punuar paralelisht edhe në ngritjen edhe përforcimin e aleancave të reja. Si rezultat i gjithë kësaj, kryetari i Rusisë ka menduar se është koha e duhur që Rusia të rikthehet si faktor kyç ushtarak dhe ekonomik në botë; këtë duke e demonstruar me fuqinë e shtetit rus dhe duke rikthyer apo marrë nën kontroll disa territore të interesit të tyre strategjik.

“Bota sot”: A është për ju thjesht një pushtim, siç Klauzeviçi -teoricieni i luftës, arrinte në përfundimin, se ajo ndodhë kur shterohen mjetet politike, që nënkupton se ato zëvendësohen me mjete të luftës, apo jemi përtej kësaj teorie dhe përcaktimi?

Rifat Haxhiaj: Këtë që Rusia po e bën tash e gati 3 javë nuk është asgjë tjetër veçse një pushtim klasik i një shteti me sovranitet të njohur ndërkombëtar. Mendoj se Rusia në të vërtetë nuk e kishte për qëllim ta rregulloj situatën me mjete diplomatike, sepse kushtet të cilat ia vuri Ukrainës, preknin direkt sovranitetin e saj dhe si të tilla, ishin të papranueshme. Pra, Rusia përcaktonte kushte duke dëshiruar që ato të refuzohen, për të pasur kështu pretekst të mjaftueshëm për ta sulmuar dhe pushtuar Ukrainën.

“Bota sot”: Në vlerësimin tonë, në disa raste kam shkruar, se kjo është një përballje Lindje-Perëndim, kultura binare ruse (sipas estonezit Lotman 1922-1993) përballë kulturës Perëndimore trenare, si e vlerësoni ju, a është një përballje e tillë qytetërimesh nëse mund të themi?

Rifat Haxhiaj: Sot jetojmë në një realitet ku individualizmi ka marrë përmasa të mëdha. Kultura (normat dhe vlerat) të cilat kryesisht determinohen nga institucionet përkatëse të shteteve, janë gjithashtu të ndikuara edhe nga aspekti i globalizmit dhe i mobilitetit. Këtu një rol të veçantë e ka edhe teknologjia e avancuar, në veçanti ajo e komunikimit. Gjithashtu, në aspektin botëror, është e qartë se ka përballje të theksuar, jo vetëm të kulturave, por edhe të koncepteve të ndryshme rreth vizioneve, perceptimeve sociale, ekonomike, politike, por edhe të atyre ushtarake. Në rastin konkret mund të jetë një tentativë për të rikthyer imazhin e një Rusie të fuqishme, e një shteti, i cili dëshiron ta demonstrojë fuqinë dhe aftësinë për të ridefinuar sferat e interesit në nivelin global.

“Bota sot”: A ishte dhe a është i pashmangshëm një ballafaqim armësh, në një kohë të përparimit të madh, ku kulturat e pamjaftueshme, në përpjekje për t’mos u dorëzuar shkojnë drejt një përplasje të pashmangshme, siç po ndodhë tani, ndonëse mund të jemi para një përshpejtimi të saj nga Putini, që ka shfaqur jostabilitet dhe pasiguri?

Rifat Haxhiaj: Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Rusia është një shtet i fuqishëm. Kryetari i saj ka punuar një kohë të gjatë në stabilizimin, përforcimin dhe faktorizimin e shtetit të tij. Sigurisht, i këshilluar edhe nga personat që i ka përreth, ai ka menduar se janë krijuar kushtet për rikthimin e tij të madh, pra, edhe për rikthimin e madh të Rusisë. Mendoj se analizat e tij dhe të stafit të tij nuk kanë qenë objektive. Kryetari Putin nuk ka menduar se populli i Ukrainës që të rezistoj në këtë formë, si dhe nuk ka llogaritur se do të ketë një reagim shumë të shpejtë dhe të qartë nga bashkësia ndërkombëtare, nga bota demokratike.

“Bota sot”: A po dëshmon Rusia dhe Putini, se nuk e kanë problem jo vetëm përplasjen me luftë, por që të provojnë nëpërmjet ‘revolucionit’ ta shkatërrojnë në themelet e saj demokracinë perëndimore, dhe me këtë vetë civilizimin e arritur, siç po bën në Ukrainë?

Rifat Haxhiaj: Këtë çka Rusia po bën në Ukrainë nuk ka asnjë lidhje me revolucionin. Në pyetje është një pushtim klasik i territorit të një shteti sovran dhe të njohur ndërkombëtarisht. Është logjike se ky pushtim do të ndryshojë shumëçka jo vetëm në Rusi, por edhe në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Gjithashtu, ky agresion siç po shihni po rezulton dhe do të rezultojë secilën herë e më shumë, në mënyrë edhe më të theksuar në kualitetin e jetës edhe të atyre shteteve, të cilat në mënyrë direkte nuk janë të përfshira në konflikt.

“Bota sot”: Putini dhe me mbështetje jo të hapur krejt nga Kina, a po tenton të imponojë një rend të ri, një rindarje të botës, ushtarake, politike e kulturore?

Rifat Haxhiaj: Përkrahja më e madhe e pritshme për Rusinë nga ana e Kinës, është heshtja e saj. Deri tani Kina nuk ka qenë aktive në kuadër të diplomacisë ndërkombëtare, dhe ky është një indikator i mjaftueshëm, i cili tregon se edhe Kina mund t’i bëjë llogaritë e saja, në përpjekje për të nxjerrë profit sa më të mirë nga situata e krijuar. Kjo do të thotë se lufta në Ukrainë, e cila e armiqësoi Rusinë me shumicën e shteteve si dhe bllokadat e vazhdueshme që ju bën asaj, mund t’i sjellë përfitime Kinës. Pra, Rusia e bllokuar dhe e izoluar si kurrë më parë, ka gjasa të mëdha të orientohet drejt Kinës, duke tentuar zhvillim dhe zgjerim të bashkëpunimit ekonomik. Një zhvillim i tillë do të jetë në dobi të dy shteteve, por në aspektin global ekonomik, domosdoshmërisht mund të ketë pasoja negative në ekonominë e të gjitha shteteve që aktualisht janë të radhitura kundër Rusisë. Kjo do të thotë, izolimi ekonomik nga ana e botës demokratike nuk do të jetë i dëmshëm vetëm për Rusinë, por ai do ta dëmtoj dukshëm edhe gjendjen ekonomike të të gjitha shteteve, me përjashtim të Kinës dhe të disa shteteve të tjera, të rreshtuara si aleate të Rusisë. Por, të mos keqkuptohem, edhe këto shtete aleate të Rusisë, ndoshta me përjashtim të Kinës, shkaku i izolimeve dhe bllokadave që do t’ju bëhen nga bota demokratike, do të ndeshen me probleme të mëdha ekonomike. Pra, do të gjendemi në një realitet të ndarë në tri grupacione; botën demokratike në njërën anë, Rusinë me disa aleat të sajë në anën tjetër, si dhe Kinën, e cila është në pozitën më të mirë strategjike. Ajo duke mos qenë e prekur direkt nga konflikti, mund të diktoj kushtet e bashkëpunimit me të dyja palët ndaras, por gjithmonë në harmoni të plotë me interesat strategjike kineze. Kuptohet, kriza të niveleve të ndryshme do të ketë për të gjithë, gjatë tërë kohës së konfliktit.

“Bota sot”: Cili është roli i Kinës në këtë mes, ajo është vlerësuar si armiku më i madh strategjik i SHBA-ve, vlerësime këto të publikuara para luftës në Ukrainë? A ka rrezik që ajo ta ndryshojë rrjedhën e gjërave në rast të rritjes së përplasjes apo të përhapjes së luftës jashtë Ukrainës?

Rifat Haxhiaj: Siç e theksova, Kina është në pozitën më të mirë në këtë konflikt. Mendoj se ajo mund të shihet si fituesi i vetëm potencial i kësaj situate të zymtë nëpër të cilën po kalon bota. Fakti që Kina kishte një rivalitet të theksuar me SHBA-të, por edhe një rivalitet paksa të heshtur me Rusinë, është në situatë të volitshme për tu përafruar me Rusinë, duke përfituar më së shumti nga ky përafrim. Kuptohet se Rusia është në gjendje të vështirë, sepse lufta është shumë e kushtueshme, por edhe fakti se izolimi do ta dobësoj atë. Në këto rrethana, Kina mund të propozoj rritje të këmbimeve ekonomike, por me kushtet e veta, gjithnjë në dobi të saj. Pra, duke qenë në një situatë më stabile ekonomike dhe komode, Kina është në pozitë të përfitoj më shumë nga këmbimet e ardhshme me Rusinë.

“Bota sot”: T’i kthehemi edhe njëherë agresionit të ashpër rus. Ka vlerësime se Rusia mund të përdorë edhe armë kimike, ndoshta edhe biologjike, sa mund të jenë këto vendimtare për luftën në Ukrainë apo mund të ndodhë skenari më negativ, nëse përfshihet NATO-ja dhe Rusia të përdor bombat taktike-bërthamore?

Rifat Haxhiaj: Ne secilën luftë mund të ketë shumë skenarë dhe shumë koncepte e strategji. Në secilën luftë ka një lloj përdorimi të armëve, të cilat nuk janë të lejuara me konventat ndërkombëtare. Për fat të keq, mendoj se aktualisht në Ukrainë ka dhe do të ketë përdorim të armëve kimike dhe biologjike, por sinqerisht shpresoj se përdorimet e tilla të jenë të përmasave të vogla. Gjithashtu, shpresoj të mos arrij konflikti në situatën kritike, atë të përdorimit të armëve bërthamore. Dua thellësisht të shpresoj se përmasat e çmendurisë së liderëve kyç botëror nuk do të arrijnë në atë nivel, për të prodhuar një konflikt me përmasa shkatërruese të planetit tonë. Në situatën konkrete barra më e madhe e evitimit të çmendurisë i bie palës ruse, këshilltarëve të kryetarit Putin si dhe gjeneralëve kryesor të ushtrisë ruse. Ata në një formë, edhe pse duket paradoksale, duhet të përkujdesen që konflikti aktual të mos arrij nivelin e “çmendurisë institucionale” dhe të evitohet katastrofa planetare.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga bisedimet e filluara në Turqi, që po bëhen edhe në nivel të shefave të diplomacive respektive, si do të rrjedhin?

Rifat Haxhiaj: Secili konflikt fillon si dështim i bisedimeve, por edhe përfundon me bisedime. Një element i rëndësishëm i bisedimeve është vendi ku ato ndodhin, kushtet në të cilat ndodhin si dhe cila është pala, e cila ndërmjetëson. Mendoj se Ukraina dhe Rusia kanë dëshirë ta përcaktojnë një vend, i cili mund të kishte ndikim psikologjik në rrjedhën e bisedimeve. Gjithashtu, situata ushtarake në terren do ta definojë dinamikën e bisedimeve. Varësisht se cila do të jetë fuqia reale e palëve të konfrontuara në front, edhe dëshira për bisedime mund të jetë më e theksuar apo më e zbehtë. Përfundimisht, roli i ndërmjetësit të paanshëm do të jetë shumë i rëndësishëm. Në situatën aktuale, roli i Izraelit në bisedimet e ardhshme po qartësohet dhe profilizohet secilën herë e më shumë. Por, është e vështirë për palën e tretë me qenë objektive, ndërkohë që janë dëshmitarë të krimeve të tmerrshme që rezultojnë si pasojë e sulmeve të ushtrisë ruse.

“Bota sot”: Nga autoritete të NATO-s dhe BE-së pohohet se nga përhapja e luftës në Ukrainë janë të rrezikuara Gjeorgjia, Moldavia dhe Ballkani Perëndimor? Çfarë premisash dhe gjasash ka që të ndikojë në Kosovë dhe ta nxisë ndonjë inkursion serb në veri dhe në ndonjë pjesë tjetër kufitare, në ndonjë moment të zhvillimit të ngjarjeve më dramatike, nëse ndodhin nga përhapja e luftës jashtë Ukrainës?

Rifat Haxhiaj: Konflikti ka gjasa të përhapet përreth Ukrainës, në veçanti në ato shtete ku Rusia tash e sa vite prodhon destabilitet. Pra, në konflikt, në një fazë tjetër, mund të kyçen përpos Gjeorgjisë dhe Moldavisë, edhe shtete të tjera të ish BRSS-së. Si pasojë e këtij konflikti mund edhe të ketë përshkallëzim të situatës në Siri, në Palestinë, por edhe në Irak e Afganistan. Sa i përket ndonjë inkursioni serb, për momentin dhe në këtë fazë, nuk mendoj se një gjë e tillë mund të ndodhë. Ne si shtet kemi zhvilluar kapacitete të mjaftueshme mbrojtëse, por edhe kemi fat të madh ta kemi KFOR-in, i cili gjithashtu përkujdeset për sigurinë dhe sovranitetin tonë. Gjithashtu, kryesisht fal një politike largpamëse të presidentit historik Rugova gjatë viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar, jemi shumë me fat të gjendemi në anën e aleatëve shumë të fuqishëm; pikësëpari të SHBA-ve, pastaj të Gjermanisë, Francës dhe Anglisë. Aleancat me këto shtete duhet t’i ruajmë dhe t’i kultivojmë më shumë se çdo gjë tjetër. SHBA-të dhe aleatet tanë strategjik janë garanca më e mirë e ekzistencës tonë.

“Bota sot”: Serbia ka intensifikuar luftën speciale në Kosovë, ajo po e mobilizon mbrojtjen territoriale, duke përfshirë edhe serbët e Kosovës, megjithëse incidente të rënda haptazi nuk ka për momentin, çfarë skenarësh apo veprimesh nga lufta speciale do të mund të ndërmerrte Serbia, e shtyrë edhe nga Rusia?

Rifat Haxhiaj: Është krejt e logjikshme se Serbia nuk do të rrijë duarkryq. Ajo mund të tentoj të përfitoj nga këto rrethana të reja, sa më shumë që është e mundur. Për këtë, edhe organet e shtetit të Kosovës duhet të jenë në një situatë të vigjilencës së vazhdueshme, në çdo provokim të mundshëm të veprojnë me mençuri dhe me maturi. Në raste të tilla, mendoj se bartësit kyç të institucioneve të Kosovës, duhet të koordinohen dhe këshillohen në mënyrë të vazhdueshme me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-të.

“Bota sot”: I dërguari i Putinit për Serbinë, këshilltar për inteligjencë, Patrushev ka deklaruar se e kuptojnë situatën momentale të Serbisë, por njëkohësisht ka folur për marrëveshje (të fshehta) Putin-Vuçiq. A nuk nënkupton kjo një rrezik për bashkëveprim serbo-rus ndaj Kosovës duke pasur parasysh edhe nevojën strategjike të Rusisë për ta shpërqendruar Perëndimin dhe forcat e saja?

Rifat Haxhiaj: Është shumë e qartë se interesi i Rusisë është përhapja e konflikteve sa më gjerë të jetë e mundur. Në atë situatë, edhe bota demokratike do të shpërqendrohej nga ajo që ndodhë në Ukrainë. Pra, në një situatë të krizave të ndryshme dhe në vende të ndryshme, qofshin ato edhe të përmasave më të vogla, do të krijonin efekt pozitiv dhe të favorshëm për Rusinë.

“Bota sot”: Sa mund të jetë e kërcënuar edhe Shqipëria, edhe pse anëtare e NATO-s, pasi Rusia e pat dërguar një qarkore, përfshirë Shqipërisë, që të mos shkelte disa marrëveshje ndërkombëtare, dhe e kërcënonte se bashkëveprimi i Shqipërisë me NATO-n mund të ketë pasoja, duke nënkuptuar me gjasë një përfshirë në një luftë Rusi-NATO. Të hënën (7 mars) Rusia e ka futur edhe në vendet ‘jomiqësore’ për shkak të sanksioneve të vendosura, çka nënkuptojnë edhe këto?

Rifat Haxhiaj: Fakti se Shqipëria është anëtare e NATO-s, nuk do të duhej të ndihej e rrezikuar. Reagimi i Rusisë karshi shteteve, të cilat ishin në nismë të bllokadës ekonomike ndaj tyre, ose edhe të shteteve që janë të zëshme kundër agresionit në Ukrainë, janë të pritshme. Tani duhet të jetë e qartë se në situata lufte apo në situata konfliktesh të mëdha siç është rasti në Ukrainë, lufta klasike me armë mund të merr përmasa edhe të luftës ekonomike, psikologjike etj.

“Bota sot”: A mund të kemi ndonjë befasi, që hapat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe BE të përshpejtohen. Për anëtarësim në BE, sigurisht se procesi do të jetë shumë i vështirë, por për në NATO ka edhe deklarime nga SHBA-të sidomos, DASH-i, nga kongresmenë etj., që të përshpejtohet integrimi i Kosovës në NATO. A mund të ndodhë kjo sidomos në rast të përhapjes së luftës jashtë Ukrainës?

Rifat Haxhiaj: Do të dëshiroja që një gjë e tillë të ndodhë shumë shpejt. Mirëpo, duhet ta kemi të qartë se procedurat administrative për bashkim në aleanca të tilla janë paksa të gjata, pa marrë parasysh situatën në të cilën ndodhemi. Gjithashtu, për të qenë zyrtarisht pjesë e NATO-s edhe FSK-ja do të duhej të përmbushte edhe shumë kritere shtesë, dhe për këtë duhet edhe pak kohë. Një gjë duket e qartë, duke u nisë nga prezenca ushtarake e SHBA-ve dhe aleatëve, Kosova de facto është pjesë e NATO-s. Se kur do të ndodhë edhe ajo që e quajmë de jure, mbetet të shihet.

“Bota sot”: Nga rrethanat që po krijohen, me trend pozitiv për shqiptarët, vëmendja e shtuar e Perëndimit për Kosovën, pozicionimi i Serbisë pro Rusisë (refuzoi të vendosë sanksione në kundërshtim me partneritetin me BE-në) është një moment, në të cilin shqiptarët kanë shansin që me një strategji të duhur, ta ndryshojnë pozicionin e tyre, dhe të përfitojnë nga zhvillimet në pritshmëri?

Rifat Haxhiaj: Mendoj se shqiptaret kudo që janë, në veçanti Kosova dhe Shqipëria, duhet të gjejnë forma sa më të mira të koordinimit të ndërsjellë, duke ndikuar në rritjen ekonomike të dy shteteve, por duke përfshirë këtu edhe Maqedoninë dhe Malin e Zi, për të ndikuar direkt në faktorizimin e këtyre shteteve, por edhe të shqiptarëve si komb. Dhe kur je faktor në regjion, atëherë edhe mundësia e imponimit dhe e ndikimit është më e madhe. Në veçanti, në mes të Kosovës dhe Shqipërisë ka shumë hapësirë të pashfrytëzuar, por dhe mundësi të bashkëpunimit dhe komunikimit të ndërsjellë. Thellimi i këtij bashkëpunimi, në rrafshin e shkollimit dhe edukimit, në rrafshin ekonomik dhe turistik, në atë administrativ, ose edhe ushtarak, do të ndikojë në mënyrë direkte, në atë si të tjerët na perceptojnë. Një situatë e tillë, patjetër se do të kishte ndikim direkt dhe shumë pozitiv edhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të dy shteteve.

Fundja, në botë konfliktet janë të shpeshta dhe të përmasave të ndryshme. Ne si popull i vogël duhet përqendrohemi esencialisht në ruajtjen e aleatëve tanë si dhe në zhvillimin tonë ekonomik. Aleatët do të na shërbejnë si garancion i vazhdimësisë dhe të jetëgjatësisë së shtetit tonë, por edhe të Shqipërisë, të cilën ne e kemi inspirim dhe synim. Zhvillimi ekonomik, i menduar dhe afatgjatë do të ndikojë drejtpërsëdrejti në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë, si dhe do ta zbehë dëshirën e tyre për t’u larguar nga vendi. E potencoj këtë sepse duke u përqendruar në luftëra që janë larg prej nesh, ne si shoqëri, kemi tendencë ta harrojmë “luftën” që e kemi afër, dhe e cila po reflekton negativisht në të gjitha projeksionet e të ardhmes tonë. Nuk duhet të harrojmë se “lufta” me varfërinë, kryesisht shkaktoi migracion viteve të fundit; gjë e cila po ndikon negativisht dhe po rrit në mënyrë drastike moshën mesatare të popullsisë në Kosovë dhe Shqipëri. Shteti i fortë nuk mund të bëhet pa idenë e qartë për të ardhmen e tij. Shteti i fortë nuk mund të bëhet pa popullin, e në veçanti nuk mund të bëhet pa rininë e arsimuar, të ditur dhe të fortë, të përcaktuar për punë të mëdha dhe përplot energji pozitive.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ministria ruse: 20 të vrarë në Donetsk

Story i radhës

Bekim Sali: Shifrat aktuale nuk lejojnë lehtësimin e masave

Të fundit nga

ShkoLartë