Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur sot në organizimin e Konventës Programore të Gruas Demokratike të Kosovës.
Ai tha se beson gruan autonome dhe në fuqinë e saj, duke thënë se kjo fuqi shpeshherë është me e madhe se e burrave.
“Unë besoj në gruan autonome dhe në fuqinë e saj, e shumë herë kjo fuqi është më e madhe sesa ajo e burrave. Këtë jo vetëm që e besoj, por edhe e kam parë në vepër dhe e jetojë me vite të tëra për çdo ditë”, u shpreh ai.
Krasniqi tutje u shpreh se edhe gruaja e tij ia ka dëshmuar se vullneti i grave është më i fortë se rolet gjinore që u vendosen.
“Është Meliza bashkëshortja ime ajo që gjithmonë ma ka dëshmuar se vullneti i grave për t’u realizuar në profesionet që ato zgjedhin është më i fortë se rolet gjinore që ua vendos shoqëria, qoftë si nëna, si kujdestare e çfarëdo tjetër, sidomos kur nuk kanë paragjykime shtesë. Pengesat për gratë janë evidente, prandaj është detyrë e jona që t’i evitojmë ato”, u shpreh tutje ai.