Më 2 qershor, Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore me rezultat 70:64 (22:18, 17:16, 13:16, 19:13) ndaj Trepça së Mitrovicës, finalja e katërt e Play-offit, që u zhvillua para 3 mijë shikuesve në palestrën e sportit “Minatori” në Mitrovicë. Në një ndeshje shumë interesante, therandasit fituan në fund 70:64, për të triumfuar 3:1 në finale dhe për të mbrojtur titullin e kampionit, ndërsa një edicion më herët kishte mundur Pejën në finale.
Kupën kapitenit të Yllit, Gëzim Morinës ia ndanë kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Ceku.
Djemtë dhe vashat dardane regjistrojnë nga një fitore në parakualifikimet e FIBA Europe Cup në 3×3
Kosova ka zhvilluar ndeshjet në kuadër të parakualifikimet për FIBA Europe Cup në 3×3 më 4 e 5 qershor në Larnaca të Qipros. Te femrat Kosova është përfaqësuar nga Saranda Daci, Arbnore Përquku, Irma Konjusha dhe Etna Rexhepi, kurse te meshkujt, Edmond Kryeziu, Arion Balluku, Visar Ejupi dhe Rron Dahsyla.
Djemtë dardanë këto gara i nisën me fitore duke mposhtur Shqipërinë me rezultat 13:10. Në ndeshjen e dytë dardanët u përballën me Irlandën, ku pësuan me rezultat 21:13. Edhe në ndeshjen e fundit Kosova ishte e pafat pasi që u mposht edhe nga Luksemburgu me rezultat 10:19. Kurse vashat nga Kosova kualifikimet për FIBA Europe Cup në 3×3 i filluan me humbje ndaj Irlandës me rezultat të ngushtë 16:13. Fitoren e parë dardanet e shënuan ndaj Andorrës, duke i mposhtur me rezultat 12:9. Kjo ishte fitorja e parë për Kosovën te femrat në pjesëmarrjen e dytë në 3×3. Ndërsa në ndeshjen e fundit vashat nga Kosova pësojnë humbje nga Malta me rezultat 14:12.
Krasniqi dhe Hasani pjesë e Konventës së Minibasketbollit në Hungari
Drejtori Teknik i Qendrës Nacionale Arben Krasniqi dhe Menaxherja e Eventeve dhe e Basketbollit 3×3, Artina Hasani kanë marrë pjesë në Konventën e Minibasketbollit e cila është organizuar në kuadër të FIBA Evropës. Konventa u mbajt në Pecs të Hungarisë nga datat 9 deri më 12 qershor 2022. Drejtori Krasniqi dhe Menaxherja Hasani u certifikuan si administrator të minibasketbollit në Kosovë.
Në këtë konventë morën pjesë 50 anëtarë përfshirë të gjithë Federatat që janë në Evropë, ky është viti i parë i kësaj konvente ndërsa konventa e radhës mbahet në vitin 2024.
Krasniqi dhe Hasani janë shprehur të lumtur që ishin pjesë në Konventën e Minibasketbollit ku do të përfaqësojnë Federatën e Basketbollit të Kosovës.
Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku, pjesë e programit prestigjioz – MESGO
Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku 30 qershor është pranuar në Programin Ekzekutiv për Mjeshtër në Qeverisjen Globale për Sport (The Executive Master in Global Sport Governance – MESGO).
MESGO është një program unik i krijuar për profesionistët e sektorit të sportit që dëshirojnë të zotërojnë dimensionet komplekse dhe diversitetin e praktikave ndërkombëtare që lidhen me sportin profesional në nivel ndërkombëtar.
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, krahas mbështetjes së fuqishme për pjesëmarrje në këtë program nga ana e krerëve të FBK-së, ka marr mbështetje edhe nga FIBA Bota, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Programi MESGO do të zgjasë dy (2) vjet 2022-2024 dhe i ka gjithsej 9 sesione, të cilat do të mbahen në vende të ndryshme të botës, derisa ceremonia e diplomimit do të organizohet në Nyon të Zvicrës në vjeshtën e vitit 2024.
Kosova me një fitore e tri humbje në Qipro
Vashat e Kosovës A për herë të dytë kanë marrë pjesë (28 qershor-3 korrik) në FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla, që sërish u organizua në Nicosia të Qipros.
Dardanet mposhtën thellë Andorrën me rezultat 77:56, ndërsa pësuan nga Qipro, Norvegjia dhe Malta.
Astera Tuhina, në Top 5 të Evropianit
Një sukses të jashtëzakonshëm ka arritur basketbollistja e talentuar kosovare, Astera Tuhina, që ka hyrë në Top 5 të FIBA Kampionatit Evropian për Shtete të Vogla që u mbajt prej 28 qershor deri më 3 korrik në Nicosia të Qipros. Kosova arriti një fitore e tri humbje, ndërsa Qipro siguroi titullin me katër fitore. Astera kishte mesatare prej 11 pikëve për ndeshje, shtatë kërcimeve dhe 5.3 asistimeve. Tuhina është 17-vjeçare dhe një nga shpresat e basketbollit të Kosovës.
Bardh Istrefi, shënuesi më i mirë i Evropianit
Kosova U18 te meshkujt mori pjesë në Rumani, në FIBA Kampionatin Evropian, Divizioni B (29 qeshor-7 korrik). Dardanët shënuan pesë humbje radhazi në dy fazat e grupeve, e më pas nga Irlanda 72:73, kurse fitorja e parë dhe e vetme erdhi ndaj Qipros me shifrat 90:74. Shënuesi më i mirë i këtij Evropiani ishte Bardh Istrefi me 156 pikë në total, apo me mesatare prej 22.3 pikëve për ndeshje.
Irma Konjusha dhe Agnesa Robaj pjesë e “Samitit Evropian të Basketbollit të Grave të FIBA-s”
Irma Konjusha dhe Agnesa Robaj (7-8 korrik) kanë marrë pjesë në projektin “Fuqizimi i gjeneratës së ardhshme të trajnereve dhe gjyqtareve femra”, duke përfaqësuar Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), në këtë ngjarje shumë të rëndësishme për basketbollin e femrave. Konjusha ka marrë pjesë si gjyqtare, ndërsa Robaj si trajnere. FBK i kushton shumë rëndësi basketbollit të femrave dhe pikërisht me pjesëmarrjen në këtë event synon ngritjen e profesionalizimit te femrat. FIBA Europe në partneritet me Bashkimin Evropian dhe disa Federata Kombëtare Evropiane, është duke zhvilluar një projekt: “Fuqizimi i gjeneratës së ardhshme të trajnereve dhe gjyqtareve femra”.
Evropiani në Prizren: Edhe një super organizim nga FBK
Nga 12 deri më 17 korrik u mbajt FIBA Kampionati Evropian, Divizioni C për meshkuj U16. Në këtë Evropian morën pjesë tetë shtete, që ishin ndarë në dy grupe. Dardanët e rinj të Kosovës u renditën në vendin e katërt, kurse medalja e bronztë i takoi Shqipërisë. Kampion në Prizren është shpallur Andorra, që mundi Armeninë në finale, 84:65. Ndërkohë, çmimi MVP i ka takuar Gregori Mogojan të Armenisë, që e ka ndarë Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku.
Evropiani ka qenë i organizuar shumë mirë, duke marrë lëvdata nga FIBA, duke dëshmuar që FBK është super organizatore e ngjarjeve vendore dhe ndërkombëtare.
U20 e femrave e 15-ta, por me një fitore sensacionale
Kosova është renditur e 15-ta në FIBA Kampionatin Evropian, Divizioni B për femra U20, që u zhvillua në Maqedoninë Veriore (9-17 korrik). Në ndeshjen për vendin e 15-të, vashat Dardane ishin më të mira se armenet, dukë fituar 64:70, ndërsa gjatë turneut kishin regjistruar një fitore sensacionale, duke mposhtur Kroacinë me rezultat 60:63.
Kosova U20 e meshkujve me dy fitore
Kosova U20 e meshkujve mori pjesë (9-14 korrik) në Gjeorgji, në FIBA Kampionatin Evropian, Divizioni B. Dardanët kishin tri humbje e një fitore në grup (ndaj Austrisë), ndërsa më pas mundën Rumaninë, kurse pësuan nga Hungaria dhe Gjeorgjia për tu renditur në vendin e 12-të.
Kursi i trajnerëve – NIVELI 1, i mirëseardhur për trajnerët vendorë
Nga 1 deri më 13 korrik Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me FIBA-n dhe Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), ka organizuar Kursin e Nivelit të parë sipas standardeve të FIBA-s. Në këtë kurs kanë marrë pjesë dy grupe nga 15 trajnerë, të cilët pas përfundimit në bazë të vlerësimeve janë pajisur me licencë të Nivelit 1 të FIBA-s. Ligjërues ka qenë Nour Amri, i cili është anëtar i Bordit Ekzekutiv të WABC (Shoqata Botërore e Trajnerëve të Basketbollit), shkruan në faqen e FBK-së.