KQZ: Deri më 10 maj afati për koalicione, dorëzimi i listave për deputetë përfundon më 12 maj
Sipas KQZ-së, njoftimi nga partitë politike të regjistruara i pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes në zgjedhje dhe formimi i koalicioneve është një proces tjetër nga aplikimi për certifikim i subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë.
Sipas Elezit, afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur), ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj.
Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.
Ndërkaq, po sipas tij, dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë nga subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026.
22 parti njoftuan për pjesëmarrje në zgjedhje, 8 për mospjesëmarrje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka pranuar njoftime për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, ndërsa 8 parti kanë njoftuar mospjesëmarrjen.
Gjithashtu, janë njoftuar edhe 2 koalicione, të përbëra nga 5 parti politike.
Sipas njoftimit të zëdhënësit Valmir Elezi, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka aplikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje të parakohshme.
Kjo sipas informacioneve deri në orën 21:30, ndërsa sonte në orën 24:00 përfundon afati për njoftimet e partive politike.
“Partitë politike që deri në këtë kohë kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 21. Stranka Demokratske Akcije; dhe 22. Partia Demokratike e Kosovës”, konfirmon KQZ.
Partitë politike që deri më tani kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava; 5. Partia e Drejtësisë; 6. Srpski Narodni Pokret; 7. Partia Reforma Demokratike; dhe 8. Aleanca Kosova e Re.
Partitë politike që deri më tani kanë njoftuar formimin e koalicioneve janë: 1. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); si dhe 2. Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuara).
Burimi: botasot.info


