Kovaçevski: Rritja historike e pensioneve ofron një standard cilësor të jetesës

min lexim

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot u takua anëtarët e Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve, ku kanë biseduar më hollësisht për vlerat e metodologjisë së re për rritjen e pensioneve, e cila realizohet për sigurimin e vazhdueshëm të standardit cilësor të jetesës për të gjitha kategoritë e qytetarëve.

Sipas Kovaçevskit, Qeveria me dialog të hapur e pranoi modelin, të cilin Lidhja e Shoqatave të Pensionistëve e propozoi si metodologji e re për rritje të vazhdueshme të pensioneve.

Metodologjia bazohet në modelin zviceran, i cili do të lidhë harmonizimin e pensioneve me 50% rritje të shpenzimeve të jetesës dhe për një pagë mesatare, gjithashtu në lartësi prej 50%, dhe do të fillojëtë zbatohet pa vonesa shtesë, me pension të shtatorit të këtij viti.

“Përveç kësaj, siguruam ndihmë të drejtpërdrejt financiare dhe gati se 330 mijë pensionistë do të marrin nga 1000 denarë plus me pensionet e marsit, prillit dhe majit. Këto janë edhe 3000 denarë shtesë për këta tre muaj, të cilat janë jashtëzakonisht të mirëseardhura në këtë periudhë të krizës së thelluar”, tha Kryeministri Kovaçevski pas takimit, duke vlerësuar bashkëpunimin me Lidhjen e Shoqatave të Pensionistëve dhe palët e tjera relevante sociale të një rëndësie të madhe për Qeverinë, për shkak të unitetit gjatë marrjes së vendimeve të rëndësishme.

Ai theksoi se në vitin 2022 për 12 muaj, së bashku me ndihmë financiare të drejtpërdrejt, pensionistët mesatarisht do të kenë gjithsej rreth 12.000 denarë në vit plus, ose mesatarisht gati 200 euro më shumë në buxhetin vendor për të njëjtin vit.

“Ky është një rekord dhe rritje historike– pensionistët me pension mesatar që aktualisht është 16.300 denarë, pas përfundimit të pakos financiare prej 1.000 denarë për 3 muaj dhe me vendosjen e metodologjisë së re nga shtatori e tutje, çdo muaj do të kenë mesatarisht 900 denarë më tepër në llogarinë e tyre”, tha Kovaçevski, duke shtuar se sipas parashikimeve në fund të vitit 2022, pensioni mesatar mujor pritet të rritet në rreth 17.300 denarë, krahasuar me fundin e vitit 2021, kur mesatarisht pensioni ishte 15.876 denarë.

Kjo po ndodh në një vit kur kemi pasur një nga rritjet më të mëdha të pensioneve ndonjëherë. Me harmonizimin e fundit prej 2,9%, në janar të këtij viti pensionistët kanë pasur rritje prej së paku 460 denarë, që do të thotë se kjo Qeveri ka dëshmuar se vazhdimisht dhe në vazhdimësi kujdeset për të gjithë pensionistët, të cilët në jetën e tyre të punës kanë kontribuar dhe investuar në ndërtimin e një shteti të përbashkët, të kenë kushte për ditë dinjitoze pensionale dhe një jetë të denjë dhe të qetë.

“Qytetarët të jenë të qetë, fondi pensional është stabil dhe është rezultat i politikave të mira ekonomike të Qeverisë, menaxhimit të suksesshëm të Fondit dhe rezervave të krijuara. Gjithashtu, kjo ndodh për shkak të rritjes të së ardhurave dhe të hyrave nga kontributet në vitin 2021, nga ana e DAP-it, si dhe rritjes së pritur të punësimit dhe të ardhurave shtesë nga kontributet”, tha Kovaçevski, duke shtuar se është krijuar një sistem pensional cilësor për gati 330.000 pensionistë dhe një metodologji e përhershme dhe e qëndrueshme që nuk do të varet nga vullneti politik apo nëse do të ketë zgjedhje.

“Të gjitha këto”, shtoi Kovaçevski, “Qeveria po i bën pa rritur normat e kontributeve pensionale, që do të thotë se nuk do të ketë ngarkesë shtesë për biznesin”.

Kryetarja e Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve, Stanka Trajkova në deklaratën për media u shpreh e kënaqur nga dialogu i realizuar dhe e përshëndeti bashkëpunimin e frytshëm me Qeverinë.

Ajo shtoi se takimi i sotëm është shfrytëzuar për të biseduar për propozime të tjera konstruktive dhe çështje me interes për pensionistët dhe për to do të diskutohet edhe me ministrat dikasterial.

Kryeministri Kovaçevski e shfrytëzoi takimin e sotëm, një ditë para 8 Marsit, për të uruar të gjithë anëtarët e Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve Ditën Ndërkombëtare, duke theksuar se gratë marrin pjesë në mënyrë të barabartë në ndërtimin e vendit tonë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Pasi Rusia i bombardoi konsulatën në Ukrainë, reagon Shqipëria

Story i radhës

Real Madridi dhe Manchester City në betejë për Haalandin

Të fundit nga

Tërmet në Strumicë

  Një tërmet është ndjerë rreth orës 21:45 të mbrëmjes së sotme në afërsi të Strumicës,