Në vazhdim të kësaj kumtese, ua përcjellim fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski në tërësi:
“Për mua është një nder i veçantë që jam këtu me ju sepse po fillojmë një proces me rëndësi të jashtëzakonshme për personat me aftësi të kufizuara dhe për faktin se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është aleate e këtyre bashkëqytetarëve tanë.
Përgatitja e “Strategjisë nacionale për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara” dëshmon për angazhimin tonë të qëndrueshëm për të siguruar pjesëmarrje të barabartë dhe dinjitoze të personave me aftësi të kufizuara në jetën e përditshme dhe në të gjitha sferat e shoqërisë.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë për gatishmërinë e shprehur të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe ekipit të Agjencive të Kombeve të Bashkuara për të mbështetur një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm sistematik për përgatitjen e këtij dokumenti për promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për krijimin e përbashkët të këtij dokumenti strategjik përmes bashkëpunimit të gjerë me organizatat e personave me aftësi të kufizuara, institucionet kryesore kompetente dhe palët e tjera të interesit.
Nëpërmjet aktiviteteve të koordinuara mbështetëse institucionale për zbatimin e Konventës, është krijuar një kornizë që përfshin mekanizma të pavarura për promovimin, mbrojtjen dhe monitorimin e zbatimit të Konventës në përputhje me rekomandimet e KB-së.
Qeveria që e udhëheq ka mundësuar që të gjithë personat me aftësi të kufizuar të regjistruar në ciklin e parë, të dytë dhe të tretë të studimeve në institucionet e arsimit të lartë publik të përjashtohen nga participimi, nga viti i ardhshëm shkollor.
Në fushën e arsimit, për shkollat fillore me qendra burimore kemi siguruar fonde për blerjen e pajisjeve dhe fonde didaktike në mbështetje të arsimit gjithëpërfshirës.
Në kuadër të programit “Bëhu IN, bëhu gjithëpërfshirës, përfshihu”, janë dhënë 287 bursa për fëmijët me aftësi të kufizuara që përfshihen në arsimin e rregullt, për klasën e parë dhe të dytë për të mbështetur nxënësit me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre.
Gjithashtu, përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës,u angazhuan 500 asistentë personal për nxënësit me aftësi të kufizuara, si dhe janë punësuar 49 edukatorë special dhe rehabilitues në shkollat fillore dhe shkollat me qendra burimore për të mbështetur nxënësit me aftësi të kufizuara dhe stafin mësimor.
Edhe kjo jep rezultate.
Në krahasim me vitin 2020/2021, në vitin shkollor 2021/2022 është rritur numri i nxënësve të rinj të regjistruar me aftësi të kufizuar për 4.5 për qind.
Ky numër nuk është maksimumi që duam të arrijmë, por sigurisht që na inkurajon dhe nxit që së bashku ti rrënojmë stereotipet dhe t’u japim këtyre fëmijëve mundësinë të realizojnë potencialin e tyre dhe të jenë pjesë e barabartë e shoqërisë sonë.
Bursat për nxënësit me aftësi të kufizuara vazhdojnë edhe në arsimin e mesëm dhe për vitin shkollor të sapo përfunduar janë ndarë 100 bursa për nxënësit me aftësi të kufizuara të shkollave të mesme publike dhe private.
Si pjesë e prioriteteve në këtë fushë ishin edhe aktivitetet për asistencë ndaj kategorive të cenueshme dhe personave me aftësi të kufizuara të cilat janë realizuar në 27 komuna. Kemi përfshirë rreth 200 persona të papunë për të mbështetur dhe kujdesur për mbi 1500 persona me aftësi të kufizuara.
Kemi futur të drejtën e kompensimit për personat me aftësi të kufizuara intelektuale. E kemi rritur kompensimin me kohë të pjesshme në 50% të pagës mesatare. Të gjithë janë nxjerr nga jashtë institucioneve dhe janë vendosur në shtëpi grupore. Ne garantojmë asistencë personale dhe shërbimi për zëvendësim në shtëpi.
Sot, kam veçanërisht kënaqësi të njoftoj se nga viti 2021 shërbimi i asistencës personale është i disponueshëm për fëmijët me aftësi të kufizuar të rëndë dhe më të rëndë fizike ose me dëmtim të plotë të shikimit.
Me kërkesë të familjeve të fëmijëve me aftësi të kufizuara, ne kemi ulur moshën në të cilën ndihma personale bëhet e drejtë ligjore – nga tetëmbëdhjetë vitet më para tani në gjashtë vite.
Nuk ndalemi këtu.
Ky proces, si më parë, mbetet maksimalisht gjithëpërfshirës. Në përgatitjen e “Strategjisë nacionale për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara” fjalën kryesore e kanë të prekurit drejtpërdrejt.
Kjo punëtori është gjithashtu pjesë e realizimit të prioriteteve tona për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara.
Ju siguroj se po i çojmë gjërat në drejtimin e duhur dhe se si politikëbërës të përgjegjshëm, do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka për personat me aftësi të kufizuara dhe gjithmonë së bashku me ta.