Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook se në lagjen Shkup Veri po zhvillohen punime për ndërtimin e një parkingu të ri, si dhe për rregullimin e shtigjeve të reja për qasje dhe këmbësorë.
Sipas Kostovskit, punimet synojnë krijimin e hapësirave më të sigurta, më të rregulluara dhe më të qasshme për qytetarët.
“Po ndërtojmë shtigje të reja për qasje dhe këmbësorë dhe po rregullojmë një parking të ri”, ka shkruar Kostovski, duke theksuar se punimet po zhvillohen me dinamikë të shtuar.
Në kuadër të projektit, po rikonstruktohen edhe hyrjet dhe qasjet në ndërtesat e banimit në rrugët Boro Menkov, Lazo Moskov, Goce Stojçevski dhe Kosturska.
Kostovski ka theksuar se qëllimi është zhvillimi i barabartë dhe i njëtrajtshëm i të gjitha vendbanimeve, duke shtuar se punimet janë pjesë e angazhimeve për një komunë më funksionale dhe më të mirë për qytetarët.


