Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në bisedime me Serbinë, nuk ka marrë pjesë në raportimin e paracaktuar në Komisionin për Integrim Evropian të Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.
Katër fotografi të zv/kryeministrit Bislimi duke gjuajtur me shishe në drejtim të deputetit opozitar në seancën e javës së kaluar u vendosën nga përfaqësuesit opozitarë në murin e sallës së këtij komisioni, për ta mbajtur përgjegjës atë për përplasjen fizike që ndodhi në këtë institucion.
Për mosprezencën e zv/kryeministrit Bislimi në komision, pas anulimit të mbledhjes, përfaqësuesit e partive opozitare mbajtën konferencë për media.
Kryetarja e këtij komisioni, Rrezarta Krasniqi tha se zv/kryeministri Bislimi do të duhej të ishte prezent në këtë mbledhje dhe ndër tjerash të shpaloste detaje për takimin në Bratisllavë, me emisarin e Bashkimit Evropian (BE), Miroslav Lajçak.
“Qëllimi i këtij takimi ka qenë që të vijë zv/kryeministri dhe të na tregojë lidhur me sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, sepse ne si Komision për Integrim Evropian ende nuk e kemi listën e projekteve që ka të bëjë me financat e përbashkëta Kosovë-IPA dhe në bazë të rregullores zv/kryeministri do të duhej ta binte listën në Kuvend”, theksoi Krasniqi.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra ka kritikuar zv/kryeministrin Bislimi për mosraportim, duke theksuar se “ai po ikën nga qytetarët dhe nga opozita”. Sipas deputetes, qytetarët janë lënë pas dore “nga kjo qeveri e skandaleve të njëpasnjëshme”.
“Sa më herët që të kemi zgjedhje të reja do të jetë lajm i mirë për Kosovën, sepse kjo qeveri vetëm kredibilitet e legjitimitet nuk ka”, theksoi Deliu-Kodra.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj tha se Qeveria duhet të jetë transparente lidhur me dialogun e saj me Serbinë. Ajo tha se edhe rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës e obligon Qeverinë dhe njerëzit që udhëheqin dialogun “të vijnë të raportojnë pas çdo rundi të diskutimeve”.
“Po e shihni se kjo Qeveri po ikë nga përgjegjësia e raportimit se çfarë kanë dialoguar”, theksoi Kadriaj.
Zv/kryeministri Bislimi është takuar më 19 korrik në Bruksel me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Pas takimit me emisarin Lajçak ai tha se është parë nevoja që të punohet edhe më tej në konkretizimin e disa dokumenteve që janë të rëndësishme për të siguruar një zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit në Bruksel.
Ai po ashtu shtoi se Kosova ia ka “listuar dhe dhënë me shkrim palës së BE-së të gjitha kërkesat tona, obligimet që mendojmë që duhet të bien mbi palën serbe dhe duhet të konkretizohen përmes planit të zbatimit dhe tani presim hapat e radhës”.