Kosova nderoi të enjten hebrenjtë që pësuan gjatë Holokaustit nëpër kampet e përqendrimit në Gjermani dhe pjesë të tjera të Evropës, gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke bërë thirrje që ngjarje të tilla të mos përsëritën kurrë më në botë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendosi kurorë lulesh në pllakën përkujtimore që ndodhet në oborrin e qeverisë. Ajo se “përkujtimi i Holokaustit është detyrim njerëzor i secilit, jo vetëm për t`i nderuar viktimat, por edhe për ta mbajtur zgjuar ndërgjegjen njerëzore që akte të tilla të mos përsëriten kurrë më”.
Presidentja Osmani tha se në kohët më të errëta për hebrenjtë, shqiptarët hapën zemrat dhe dyert, duke demonstruar fisnikëri e humanizëm.
“Nuk guxojmë të harrojmë” shkroi ndërkaq kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke nderuar hebrenjtë e shfarosur në kampet naziste. “Le të zotohemi se do të themi gjithmonë emrat e viktimave dhe vendet e tmerrit”, shkroi ai.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi shkroi se “Kosova, shqiptarët, si një shtet dhe popull që ka përjetuar në lëkurën e vet spastrimin etnik dhe gjenocidin, njësoj sikur në vitet e 40-ta të shekullit të kaluar, kur kishte hapur dyert e shtëpive për të strehuar hebrenjtë e përndjekur, edhe sot radhitet në mesin e kombeve që kujton për të mos harruar”.
“Me hebrenjtë ndajmë fat të ngjashëm historik, andaj dhe bashkëndjejmë me dhembjen e tyre, pasi që e kuptojmë shumë mirë atë”, shkroi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke nënvizuar se “duhet të jemi të bashkuar për të mos lejuar asnjëherë të ndodhin histori të tilla tragjike”.
Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, u shënua edhe me një ceremoni përkujtimore të organizuar nga bashkësia hebreje “Bet Israel Kosova”, në të cilën morën pjesë përfaqësues politikë vendas e ndërkombëtar në Kosovë.
Udhëheqësi i shoqatës, Hysen Hyseni, tha se hebrenjtë gjetën shpëtim në trevat shqiptare ndërsa po përndiqeshin gjithandej Evropës nga nazistët
“Numri i hebrenjve në Shqipëri ka qenë pas luftës së dytë botërore më i madh se sa numri i hebrenjve që ka ekzistuar përpara. Përse ndodhi kjo? Kjo ndodhi sepse hebrenjtë në Kosovë dhe në Ballkan në përgjithësi, nuk kanë ardhur vetëm gjatë luftës me Osmanët, por hebrenjtë në Kosovë sidomos, kanë qenë prezentë edhe më parë sidomos në trojet shqiptare”, tha ai.
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, tha se Evropa u kushton respektin më të thellë viktimave dh se “rëndësia e të mësuarit të historisë dhe e kujtimit nuk duhet të nënvlerësohet kurrë për të siguruar që një krim i tillë kundër njerëzimit të mos përsëritet më. Themelet e BE-së janë të rrënjosura në paqe dhe tolerance”, tha ai.
“Ne qëndrojmë të bashkuar kundër diskriminimit dhe shtypjes së drejtuar kundër çdo race, feje apo etnie dhe ri-angazhohemi për të ndërtuar shoqëri që i vlerësojnë të gjithë në mënyrë të barabartë”, shkruhet në një postim në rrjetet sociale nga misioni i OSBE-së në Kosovë, shefi i të cilit, Michael Davenport, mori pjesë në ceremoni.
Imami nga Prishtina, Labinot Maliqi, tha se arsimimi duhet të jetë bërthama e çdo përpjekjeje për të luftuar antisemitizmin, racizmin dhe të gjitha format e diskriminimit.
“Përkujtimi i viktimave të Holokaustit është riafirmim i të vërtetës, një nevojë prej së cilës nuk duhet të hiqet dorë asnjëherë dhe në asnjë rrethanë. Ajo që i ndodhi popullit hebre gjatë Holokaustit ishte krimi më i neveritshëm kundër njerëzimit të periudhës së re dhe ishte një moment përcaktues i shekullit të 20-të dhe pikënisja e projektit të paqes në Evropë nëpërmjet krijimit të Bashkimit Evropian”, tha ai duke nënvizuar se Kosova është shteti ku antisemitizmi nuk ka ekzistuar kurrë.
Kosova bëri historinë në fillim të vitit të kaluar duke u bërë vendi i parë evropian që hapi ambasadën në Jerusalem, pak ditë pasi vendosi marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, sipas një dakordimi të arritur më 4 shtator të vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë, për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në praninë e ish presidentit amerikan, Donald Trump./VOA