Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse ka shprehur shqetësimet e tij për lëndimin e tre futbollistëve në prag të grumbullimit për dy ndeshjet e shtatorit kundër Irlandës së Veriut dhe Qipros.
Në konferencën për media, trajneri francez theksoi se lëndimi i dy mbrojtësve Mërgim Vojova e Leart Paqarada si dhe sulmuesi Shkëlqim Vladi është dëshpërues, sidomos duke pasur parasysh faktin që në repartin defanzivë është më e vështirë për të gjetur zëvendësimet adekuate, për shkak të mungesës së përvojës së lojtarëve të tillë në arenën ndëkombëtare.
“Lista fillestare ka qenë në 26 lojtarë, pastaj është reduktuar në 23 lojtarë shkaku i lëndimeve. Do të shikojmë cila është mënyra më e mirë për t’i zëvendësuar këta lojtarë. Kjo është arsyeja pse nuk jap emra konkret, sepse në disa pozita kemi lojtarë më pak se në disa pozita tjera. Për dallim me pjesën ofanzive ku në rast lëndimesh është më lehtë të bëhen zëvendësime, në defanzivë është pak më vështirë, sidomos në krahun e majtë, siç është rasti i mungesës së Leart Paqaradës, sepse kemi më pak lojtarë që kanë përvojë ndërkombëtare që luajnë në këto pozita. Kur mungon përvoja është pak më problematike zëvendësimi”, ka theksuar Giresse.
Sa i përket ndeshjeve kundër Irlandës së Veriut dhe Qipros, Giresse ka thënë se mënyra e paraqitjes së Kosovës do të varet nga rivalët, por ka thënë se do të jetë i detyruar të bëjë ndryshime për shkak të mungesave.
“Ne do të rreshtohemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Por, pa dyshim që do të ketë ndryshime nga ndeshjet e kaluara sepse kemi mungesa në ekip”, është shprehur Giresse.
Ai e ka vlerësuar shumë pozitive faktin që Ballkani luan në fazën e grupeve të Ligës së Konference, teksa ka thënë se sukseset e ekipeve kosovare në garat evropiane në vitet e fundit nga Ballkani, Drita e Llapi kanë bërë që në këtë grumbullim të kemi tre lojtarë nga Superliga në ekipin kombëtar.
Giresse ka thënë se pikërisht nga futbolli kosovar kanë dalë lojtarë si Muriqi, Rashica e Zhegrova.
Paraprakisht, Kombëtarja ka mbajtur seancën e radhës stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali, ku njëri grup i lojtarëve ka punuar me intensitet, teksa disa prej lojtarëve që kanë arritur gjatë ditës së djeshme në grumbullim kanë stërvitur të diferencuar, me vrapime të lehta dhe lojë me top pa ngarkesë”.