Kosova dhe indiferentët pro-Vuçiq e llapaqenët pro-serbë!

Ekspertët amerikanë, gjermanë dhe të tjerë thonë se Aleksandër Vuçiq është i vendosur të minojë pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial të saj. Për këtë arsye janë ngritur barrikadat në veri të vendit dhe ato po përdoren për ta sfiduar sovranitetin shtetëror në këtë pjesë, më të pasurën e jetike për fatin e jetën e qytetarëve të Kosovës.

Dhe jo vetëm ka ngritur barrikadat, por presidenti i Serbisë aty ka dërguar edhe djalin e tij. Ndërkohë që bashkëpunon me organizatat terroriste ruse si Wagner dhe Ujqërit e Zinj! Kurse bandat e veriut patrullojnë me kapuçë të zinj rrugëve të Mitrovicës së veriut, Zubin Potokut e gjetkë, kudo ku janë ngritur barrikada! Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe u takua dje me komandantin e Përgjithshëm, mikun e zotit Rama, Aleëksandër Vuçiq.

Ndërsa sot ai njoftoi se ka nisur repartet e tij ushtarake në drejtim të Rashkës, në kufi me Kosovën. Duket qartë se po bëhet presion ushtarak kundër qeverisë dhe institucioneve të vendit, që këto të mos ndërmarrin ndonjë aksion të largimit të barrikadave në veri. Askush nuk e ve në dyshim se në veriun e Mitrovicës po luhet pjesa e fundit e dramës së Kosovës dhe se aty do të vendoset përfundimisht e ardhmja e saj. Në lojën e kësaj drame tragjike përplasen dy palë: – Presidenti dhe qeveria e Serbisë me instrumentet e saj serbo-rusë, nga njëra anë, dhe qeveria e institucionet e Kosovës nga ana tjetër.

Image

Enver Bytyçi

 

KFOR-i dhe EULEX-i duken si organizata jo qeveritare pacifiste, të cilat më shumë mbajnë qëndrime neutrale, sesa parimore dhe funksionale për misionin që ato kanë. Beogradi godet ashpër kundër cilësdo Fuqie Europiane dhe globale që mbështet pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, ndërkohë që ka aktivizuar segmente të shumta pro-serbe në Europë, SHBA dhe në politikën shqiptare për të qëndruar në indiferencë, ose për të lobuar pro Serbisë dhe synimeve të saj në Kosovë. Sulmet më ta ashpra drejtohen kundër Gjermanisë.

Edhe Milosheviçi u thoshte në vitin 1998-1999 diplomatëve anglezë se “Gjermania është mbështetësja kryesore e shqiptarëve në përpjekjet e tyre për ta shkëput Kosovën nga Serbia”! Kjo do të thotë se asgjë nuk ka ndryshuar në Beograd pas rënies së kasapit të Ballkanit, Milosheviç. Por, në ndryshim nga çdo kohë e mëparshme, sot Kosovën po e “vret” indiferenca e qeverisë dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ndërsa në vitin 1998-1999 Kosova kishte në ndihmë të saj shtetin dhe shoqërinë shqiptare, sot Shqipëria është inekzistente në mbështetje të përpjekjeve për të dëshmuar ekzistencën e shtetësisë së saj dhe për ta mbrojtur integritetin territorial të Kosovës. Një heshtje varri, sikur ngjarjet në veri të Kosovës zhvillohen në Honulolu dhe jo në shtetin e dytë shqiptar të Ballkanit?! Kryeministri i Shqipërisë është i gatshëm të reagojë e të mbrojë çdo aferë të tij korruptive dhe çdo lloj organizate kriminale përfshirë dhe atë të qeverisë! Por nuk ka vullnet të dalë së paku verbalisht në mbrojtje të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për mbrojtjen e shtetësisë e të territorit të saj. Mungesa e këtij vullneti lidhet me marrëdhëniet e ngushta të kryeministrit të vendit tonë me presidentin e Serbisë. Askush nuk do ta mendonte dhe nuk do të donte që këto marrëdhënie të shkonin deri te miratimi në heshtje i akteve agresive kundër pavarësisë dhe tërësisë territorial të Kosovës nga ana e Aleksandër Vuçiq. Fatkeqësisht çdo ditë që kalon na dëshmon se Edi Rama dhe Vuçiq janë në një lidhje aq të ngushtë, sa nuk bën më përshtypje as humbja e territorit dhe e pavarësisë së Kosovës! Kur presidenti i Serbisë deklaroi në tetorin e kaluar në mbrëmjen e kryetarëve të shteteve e të qeverive të Europës në Pragë se “Ne kemi 17 vite që nuk bisedojmë dhe nuk merremi vesh me Prishtinën”, ai paralajmëroi pikërisht këto ngjarje që po ndodhin sot në veriun e Kosovës. Ndërsa me pasthënien e tij: “Ndërsa me vëllaun tim binjak, Edin, ne flasim për gjithçka e merremi vesh për çdo gjë”, Vuçiq paralajmëroi gjithashtu pikërisht heshtjen dhe indiferencën që ka pllakosur sot qeverinë e Shqipërisë ndaj barrikadave dhe akteve të dhunës që Vuçiq zhvillon në veri të Mitrovicës! Qëndrimi i Edi Ramës ndaj ngjarjeve të fundit në Kosovë nuk lidhet vetëm me indiferencën e heshtjen e tij. Ai ka interferuar te shumë opozitarë e medie në Kosovë, që këta të mos fajësojnë presidentin serb për ngjarjet në veri, por për këto ngjarje të gjejnë artifice e të qortojnë qeverinë dhe kryeministrin Kurti. Në vend që të bëjnë thirrje për mobilizim të përgjithshëm të opinionit në mbrojtje të tërësisë territoriale e të pavarësisë së Kosovës, liderët dhe opozitarët e njohur të vendit ngarkojnë me përgjegjësi qeverinë në rastin e krizës dhe konfliktit në veri. Kjo frymë anti-kosovare është e patolerueshme, edhe pse ajo është e nxitur jo vetëm nga Beogradi, por edhe nga Tirana zyrtare. Qeveria e Kosovës duhet të veprojë me urgjencë. Sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë forca pro-serbe e brenda-shqiptare do të pozicionohen kundër saj. Kjo është beteja e fundit serioze kundër Serbisë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Nëse Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe të tjerë politikanë seriozë e të përkushtuar pro interesave të Kosovës e fitojnë këtë betejë, ata do të shënohen në historinë e lavdishme të Kosovës e të shqiptarisë. Ndërkaq indiferentët shqiptarë pro-Vuçiq dhe llapaqenët pro-serbë do të shënohen në librin e zi të kombit shqiptar!

Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO

Story i mëparshëm

Kovaçevski: Kasami të mos bëhet peng i Levicës!

Story i radhës

​BE mirëpret heqjen e dënimit me vdekje në Zambia

Të fundit nga