Korçari Ilir Këllëzi ashtu si të gjithë bashkëmoshatarët e tij, do ta fillonte karrierën sportive me futbollin, por pas dy vitesh ka kuptuar se nuk ishte sporti i duhur për të.
Ka mjaftuar një garë lokale me shkollat e mesme, për t’i dhënë drejtimin e duhur Këllëzit, kur ishte vetëm 15 vjeç dhe nxënës në vitin e parë të shkollës së mesme.
Nga ai moment është drejtuar te pista e atletikës, atje ku vazhdon të jetë prej 18 vitesh aktiv.
Gjatë këtyre viteve garat e tij kanë qenë të distancave të mesme dhe të gjata duke fituar kështu më shumë se 100 tituj kampionë, duke filluar nga gara 5 km, 10 km, maratonë e shumë disiplina të tjera në atletikë.
Vetëm në garën e 10 km ka 15 tituj kampionë radhazi, ndërkohë që numëron 50 kupa, 20 prej të cilave në gara ndërkombëtare. Ilir Këllëzi koleksionon një mal me medalje, shumë prej të cilave në gara e mitingje ndërkombëtare.
Pasi ka fituar gjithçka si asnjë atlet tjetër shqiptar në garat e mesme dhe të gjata, atleti ka një ëndërr, të thyejë rekordin kombëtar të maratonës 42km 195m, rekord ky që ka 30 vite pa u thyer.
Për të shkuar te rekordi, korçari i njohur kërkon mbështetje financiare pasi e ka të pamundur për t’ia dalë i vetëm.
Për këtë çdo ditë stërvitet në parkun e qytetit juglindor ndërsa vrapimet e tij në pragun e garave të gjata janë Korçë-Bilisht e kthim, gati 30 km.
Ilir Këllëzi ka një jetë të tërë që vrapon, vrap që i ka falur medalje, diploma e kupa të shumta. Vrap që nuk do të ndalojë pa thyer rekordin kombëtar të maratonës.
Tani duket se është radha jonë për të vrapuar drejt tij, për ta ndihmuar në thyerjen e këtij rekordi.