1
Shkup, 10 janar – Lidhja Demokratike vlerëson se ndërtimi i unitetit lidhur me interesat tona strategjike, kombëtare dhe qytetare është me rëndësi jetike për zhbllokimin e proceseve të eurointegrimit dhe sundimin e ligjit.
“LSDM dhe BDI në qershor të vitit 2022 pranuan Kornizën Negociuese, pa konsultime më të gjera, duke bllokuar procesin e eurointegrimit dhe duke rrezikuar perspektivën evropiane të shtetit si dhe shenjat identitare të popullit maqedonas. Tani, kur ekziston thirrje për ndërtimin e një konsensusi dhe uniteti më të gjerë ndërpartiak, Aleanca Demokratike hap çështjet që janë me rëndësi thelbësore për Maqedoninë:
Së pari, reforma themelore të rregullave zgjedhore dhe Maqedonia të jetë një njësi e vetme zgjedhore, me mundësi të barabarta për të gjitha partitë dhe pa shpenzimin e mjeteve nga Buxheti për fushata zgjedhore.
Së dyti, reforma të sistemit gjyqësor përmes ndryshimeve kushtetuese, kufizimit të mandatit të gjyqtarëve dhe një sistemi efektiv të përgjegjësisë.
Së treti, miratimi i Ligjit për luftë kundër formave të rënda të krimit të organizuar dhe formimi i një Agjencie të pavarur për zbatimin e tij.
Së katërti, shfuqizimi i zgjidhjeve ligjore për formimin e Qeverisë Teknike (e ashtuquajtura Qeveri e Przhinos), formimi i së cilës i shkatërron institucionet, veçanërisht Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila gjatë formimit të një Qeverie teknike politizohet plotësisht, përmes ndërrimit të drejtuesve të të gjitha sektorëve kyç”, njoftuan sot nga Aleanca Demokratike.
Ata theksojnë se janë “për shqyrtimin e mundësisë së formimit të një Qeverie eksperte, me mandat prej njëzet ditësh, gjatë kohëzgjatjes së fushatës zgjedhore, e përbërë nga ekspertë (sipas shembullit të Greqisë apo shteteve të tjera)”.
“Në kushte të sfidave të mëdha gjeostrategjike dhe të sigurisë, ndërtimi i një strategjie për pozicionet e Maqedonisë, harmonizimi i politikave tona me politikat e partnerëve tanë strategjikë, veçanërisht me SHBA-në, si dhe një strategji për zhbllokimin e proceseve të eurointegrimit me hapa konkretë dhe kërkimin e mbështetjes nga partnerët strategjikë, është domosdoshmëri. Pas çështjeve për të cilat do të arrihet konsensus duhet të qëndrojnë të gjitha partitë dhe të lihen anash interesat partiake dhe personale, sepse bëhet fjalë për të ardhmen e shtetit”, thuhet në komunikatën e LD-së.


