Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së dhe Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë i Senatit të SHBA-së, përmes një deklarate të përbashkët dënuan kundërshtimin e Rusisë ndaj zgjatjes së marrëveshjes së Korridorit të Drithit në Detin e Zi afati i të cilës përfundon më 17 korrik, transmeton Anadolu.
Kreu i Komiteti të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Michael McCaul dhe kreu i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA-së, Bob Menendez, bënë një deklaratë të përbashkët lidhur me qëndrimin e Rusisë ndaj marrëveshjes së drithit.
“Dënojmë kundërshtimin e Rusisë për zgjatjen e marrëveshjes së Korridorit të Drithit në Detin e Zi, afati i të cilës përfundon më 17 korrik. Kjo iniciativë deri më tani siguroi 950 udhëtime të sigurta, duke transportuar mbi 30 milionë tonë drithë, pleh dhe produkte ushqimore nga portet e Ukrainës në më shumë se 40 vende. Mosdakordimi i Rusisë rrezikon këtë iniciativë të suksesshme ndërsa tregon se Moska dëshiron të përdorë ushqimin si armë lufte. Kjo mospajtueshmëri e Moskës, rrit rrezikun për mungesë ushqimi, rritje në çmimet ushqimore dhe rrezikun për vuajtjen e njerëzve”, thuhet në deklaratën e Komitetit.
– Marrëveshja e Korridorit të Drithit në Detin Zi
Për të ulur ndikimin e sulmit të Rusisë kundër Ukrainës mbi çmimet globale të ushqimit, OKB-ja, Rusia, Türkiye dhe Ukraina me një ceremoni të mbajtur në Istanbul më 22 korrik 2022 nënshkruan Marrëveshjen e Korridorit të Drithit në Detin Zi.
Afati i marrëveshjes, i cili më parë është zgjatur disa herë, do të përfundojë më 17 korrik. Zyrtarët rusë thonë se nuk shohin ndonjë mundësi për zgjatjen e marrëveshjes.
Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë më 4 korrik tha: “Që nga shtatori 2022 e deri më tani është kryer dërgesa vetëm e dy pjesëve, nga 262 mijë tonë e plehut rus që ishte planifikuar t’u dhurohej vendeve në nevojë. Nga plehu, 20 mijë tonë janë dërguar në Malavi ndërsa 34 mijë tonë në Kenia. OKB-ja vazhdon të qëndrojë e heshtur për këto çështje. Ndërkaq, Perëndimi njofton se sanksionet ndaj Rusisë nuk do të lehtësohen as edhe në çështjen e ushqimit dhe plehut. Në këto kushte, nuk ka ndonjë arsye për vazhdimin e marrëveshjes e cila do të përfundojë më 17 korrik”.
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov në një deklaratë më 10 korrik tha se pavarësisht të gjitha përpjekjeve të OKB-së, nuk është zbatuar pjesa e Marrëveshjes së Korridorit të Drithit në Detin e Zi e cila ka lidhje me vendin e tij.
Ai mbrojti idenë se pjesa e marrëveshjes që lidhet me Ukrainën është shndërruar në projekt tregtar. Lavrov tha se në vendet më të varfra dhe më në nevojë që përfshihen në listën e Organizatës Botërore të Ushqimit, ka shkuar më pak se 3 për qind vëllimi i përgjithshëm të drithit të eksportuar nga portet e Ukrainës.