Konferenca për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës në Paris

April 10, 2022
min lexim

Në fillim të prillit 2009, ambasada jonë në Paris organizoi një Konferencë kushtuar dëbimit të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Kësisoj, kjo Konferencë u mbajt me rastin e dhjetëvjetorit të dëbimit të madh në Teatrin “Le Palace”, pronë e Aziz dhe Alil Vardarit. Ishin të pranishëm diplomatë nga Franca dhe vende të tjera, intelektualë të shquar francez dhe qytetarë francez, si dhe qytetarë nga Kosova që jetojnë dhe punojnë në Francë.

Çështjes së Dëbimit iu kushtua një panel me diplomatë. Midis tyre ishte edhe Ambasadori i Shqipërisë në Francë z. Ylljet Alicka. U prezantua edhe filmi dokumentar i Fadil Hyses, “Ëndërr e keqe, ëndërr e mirë” i cili shkoqiti fort mirë ngjarjen tragjike të dëbimit të afro 900.000 shqiptarëve nga Kosova nga trupat e regjimit serb.

Debati në panel kishte për qëllim të ndriçojë aspekte të ndryshme të kësaj ngjarje, nga më të rëndat pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo ngjarje ishte aq më e rëndë ngase u shoqërua me masakrimin e mijëra shqiptarëve, kryesisht civilë. Ngjarja u trajtua si pjesë e projekteve të regjimit të Milloseviqit për pastrimin etnik të Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës. Në analiza dhe debate të panelit jemi orvatur të vejmë në pah përmasat e mëdha të organizmit të makinerisë ushtarako-policore të shtetit serb, mënyrën e funksionimit të kësaj makinerie dhe objektivin e saj kryesor : pastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët. Njëherazi duhej shpjeguar publikut se praktikës së dëbimit masiv të shqiptarëve nga territori i Kosovës i ka paraprirë pastrimi etnik i të gjitha institucioneve të Kosovës (shkollave, spitaleve, administratës, ndërmarrjeve ekonomike etj.) si dhe burgosjet masive me motive politike. Duhej çmontuar po kështu «argumentimin» e regjimit serb qoftë për pastrimin etnik të institucioneve, qoftë atë për pastrimin etnik të territorit. Regjimi serb e ka prezantuar para opinionit ndërkombëtar praninë e shqiptarëve (afro 90% e popullsisë së Kosovës), subjektivitetin e tyre politik me mitin e « infiltrimit të shqiptarëve nga Shqipëria në Kosovë ». Ky mit duhej të « legjitimonte » në veçanti pastrimin etnik të territorit. Këtij « argumenti » iu pat shtuar pastaj një « argument » tjetër : shqiptarët po ikin vet jashtë Kosovës për t’iu shmangur bombardimeve të NATO-s. Karshi këtyre « argumenteve » të propagandës së Serbisë dhe qarqeve proserbe në vendet perëndimore, nevojitej të vihet në pah vendosmëria e regjimit serb që ta realizojë projektin e pastrimit etnik të Kosovës, ndonëse NATO, si fuqia më e madhe ushtarake në botë, kishte angazhuar operacionet e bombardimeve të caqeve ushtarake serbe ; ndonëse kjo cenonte tani interesat e sigurisë së Serbisë, për regjimin serb ishte më i rëndësishëm dëbimi i shqiptarëve nga Kosova se mbrojtja e interesave të saja vitale strategjike.

Shënimi i kësaj ngjarje në Paris ishte i rëndësishëm ngase qarqet proserbe në Francë ishin mobilizuar (para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës) që të deziformojnë opinion francez lidhur me atë që realisht po ndodhte në Kosovë: mohimi apo shtrembërimi dhe justifikimi i krimeve masive mbi shqiptarët shoqëronte tezën kryesore të këtyre qarqeve se « Kosova është Serbi » dhe se ajo me « komplotin e titistëve» kishte dalë jashtë kontrollit të Serbisë, pasi kishte fituar statusin juridik-kushtetues të njësisë federale.

Derisa e përditshmja «Le Monde», fjala vjen, gjatë viteve, informonte objektivisht për ngjarjet në Kosovë, «Le monde diplomatique», mujore e drejtuar nga majtistët «antiimperilistë», mohonte, pa fije ndërgjegje profesionale, krimet masive të regjimit serb mbi shqiptarët. Megjithëse informatat nga tereni nuk kanë munguar, gjatë viteve : as informatat e organizmave të mëdha për të drejta të njeriut, as ato të përfaqësuesve të shoqatave të shquara ndërkombëtare, as ato të Komiteti i Helsinkit (Sonja Biserko) dhe Fondit humanitar (Natasha Kandic) nga Beogradi, as ato të zyrtarëve të shumë qeverive perëndimore, nuk vlenin për ta. Ngjashëm filozofi në zë, Alain Badiou, glorifikonte «rezistencën» e Milosheviçit kundër «rendit imperialist» të botës perëndimore dhe ashpër kritikonte intervenimin e NATO-s.

Për fat të mirë, ishin të shumtë intelektualët francez (filozofë, shkrimtarë, artistë) që reaguan me dinjitet ndaj krimeve masive të regjimit serb, duke mbështetur çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, në radhë të parë si pavarësi nga Serbia.

Natyrisht, vendimtar ishte qëndrimi i Presidentit Jacques Chirac, Kryeministrit Lionel Jospin, Parlamentit dhe Senatit dhe institucioneve tjera të Francês kundër krimeve të regjimit serb.

Në njërin nga librat e mi të botuar në Francë, në “Effacer l’autre” (Paris, 2005), në një kaptinë (me titull «Fshirja e krimeve») kam përmbledhur disa nga reagimet që i kam botuar, në gazeta e revista franceze, kundrejt qëndrimeve që mohonin krimet në Kosovë dhe justifikonin operacionet e regjimit serb.

Në numrin e fundit( nr.4) të revistës « Studime shoqërore » (ASHAK ) është botuar hulumtimi i profesorit Shemsi Krasniqi me titull « Kujtesa dhe rrëfimet për eksodin e vitit 1999 », f.143-172.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Korçë, 45 vjeçari ndërron jetë në lokal

Story i radhës

Ish-këshilltari i Kremlinit flet për fiksimin e Putinit me Ukrainën: Ka rënë në një kurth!

Të fundit nga

ShkoLartë