Koncepti “Histori e përbashkët” promovon ekspansionizëm kulturor dhe politik

November 3, 2022
min lexim

Histori të përbashkët mund edhe të shkruajnë e mësojnë dy popuj me etnogjenezë, kulturë, tradita, gjuhë të njëjtë, jo edhe dy shtete me popullsi, tradita shtetërore, histori, kultura dhe gjuhë të ndryshme.

Nuk mund të ketë histori të përbashkët të shkruar mes dy shteteve, por vetëm ndonjë përmbajtje të caktuar nga historia e përbashkët mes dy popujve, me pajtimin e të dyja palëve, nëse ato konsiderojnë në bazë të burimeve relevante shkencore se kanë etnogjenezë të njëjtë, siç është rasti mes popullit maqedonas, popullit bullgar dhe popujve të tjerë sllavë të jugut.

Nëse përralla për “histori të përbashkët” me popuj të tjerë i imponohet një populli me veçori kombëtare të dallueshme, në këtë rast popullit maqedonas, nga faktorët e jashtëm, e njëjta përrallë nuk mund t’i imponohet një shteti siç është Maqedonia Veriore, përderisa përbërja e popullsisë së këtij shteti është shumetnike; ku populli i vetëm shtetformues nuk përbën shumicë absolute në këtë shtet, ndërsa shqiptarët janë popull autokton, i cili jeton në vazhdimësi gjeografike dhe historike në këtë vend.

Nëse Bashkimi Evropian dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë, në emër të lirisë, paqes, sigurisë dhe stabilitetit, të barazisë së popujve dhe vlerave qytetëruese perëndimore, këto vlera (plotësuese) nuk ua kanë imponuar shteteve të tjera të Evropës, sikurse pretendohet me “historinë e përbashkët”, si për shembull, Gjermanisë dhe Austrisë; Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Zvicrës; Polonisë dhe shteteve të tjera fqinje me popullsi sllave, pse duhet të krijohen ngatërresa të reja për të ardhmen e popujve të Ballkanit Perëndimor, edhe ashtu të stërmbushur me probleme ndëretnike dhe ndërshtetërore të trashëguara nga e kaluara nën sundime të huaja?!

Përderisa sistemi arsimor, në të gjitha nivelet, nga arsimi fillor deri te ai universitar në Maqedoninë Veriore është unik, pse duhet t’u imponohet koncepti i “historia e përbashkët” e popullit maqedonas dhe popullit bullgar, edhe nxënëseve dhe studentëve shqiptarë, si dhe të tjerëve, me përkatësi etnike turke, vllahe, serbe, boshnjake, rome dhe të tjera?!

Çfarë duhet të mësojmë nga e kaluara e hidhur e popujve ballkanikë nën sundime të huaja?

Pushtetet në Sofje dhe në Shkup, faktorët politikë dhe intelektualë në këto vende, si edhe faktori ndërkombëtar, duhet ta kenë të qartë se vlerat joqytetëruese nga e kaluara e hidhur e këtij rajoni nuk mund të imponohen si të tilla edhe në kohën e sotme. Nëse në të kaluarën kanë mundur të falsifikohen ngjarjet dhe historia, nëse emrat e vendbanimeve kanë mundur të ndryshohen varësisht nga pushtuesit dhe sunduesit e vendit, kjo nuk mund të jetë e pranueshme në rrethanat dhe kohën e sotme.

Me këtë rast, ju paraqesim shembullin e Dellçevës, qytetit më lindor të Maqedonisë Veriore, të cilit së paku pesë herë i është ndryshuar emri i tij, në Vasilevë (sipas grekëve), Carevë (sipas serbëve), Sulltani (sipas turqve), Dellçevë (sipas bullgarëve dhe maqedonasve) etj., me këtë është ndryshuar edhe struktura etnike e banorëve të tij. Deri në fillim të shek. XX ky vendbanim ka qenë me shumicë të popullsisë shqiptare, të besimit të krishterë dhe islam. Shpërngulja më e madhe me dhunë e banorëve vendës ka ndodhur mes viteve 1930-1940 nga regjimi akupator serb i Mbretërisë Jugosllave. Sot, as varrezat e banorëve të lashtë të këtij vendbanimi nuk kanë mbetur si dëshmi nga e kaluara, jo më trashëgimia kulturore dhe historike e këtij vendbanimi. Sa veprime barbare, joqytetëruese dhe johumane!

(2 nëntor 2022)

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Hakaj, heroi i Vllaznisë në “Kukës Arena”, verilindorët në zonën e ftohtë

Story i radhës

Ky është gabimi më i madh që bëni pasi keni lyer flokët

Të fundit nga

ShkoLartë