Gratë e diagnostikuara me kancer në Komunën e Dragashit prej vitit të ardhshëm do të subvencionohen me nga 500 euro. Krahas kësaj edhe PAP Testi do të ofrohet falas për gratë dhe vajzat e kësaj komune në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Adem Berisha”.
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Arijeta Qafleshi Skeraj ka theksuar se dy vendimet janë miratuar pas kërkesave të grave, të paraqitura edhe përmes këshilltareve të organit më të lartë vendimmarrës komunal, dhe se zbatimi i tyre do të nis prej vitit 2025.
“Kryetarja e grupit të grave asambliste, zonja Suada Bajrami në Kuvendin e Komunës e ka paraqitur kërkesën e paraqitur nga disa gra gjatë dëgjimeve publike për buxhetin, ku është kërkuar që gratë e prekura me sëmundjen e kancerit të mbështeten financiarisht. Bashkë me kryetarin është marrë vendimi që secila grua e prekur nga kanceri në Komunë të Dragashit të mbështetet me nga 500 euro”, ka thënë ajo, gjatë një takimi ndërgjegjësues për kancerin e gjirit.
Në të njëjtën kohë i ka bërë thirrje të gjitha grave të diagnostifikuara me kancer, që në muajin janar të paraqesin kërkesat përkatëse në organet komunale.
Sipas saj kërkesa tjetër ka qenë për ofrimin falas të PAP Testit në shëndetësinë primare.
“Kërkesa e dytë ka qenë nga këshilltarja Anesa Mehmeti, ku është theksuar se PAP Testi nuk bëhet në Komunën e Dragashit dhe është kërkuar që PAP Testi të bëhet pa pagesë dhe pa terminë, dhe ky shërbim do të ofrohet”, ka deklaruar kryesuesja e Kuvendit të Dragashit.
Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Dragashit kanë miratuar buxhetin për vitin 2025, në seancën e mbajtur me 25 shtator 2024, në vlerë prej afër 13 milionë eurove, teksa për kategorinë e subvencioneve janë planifikuar 400 mijë euro.
Burimi: botasot.info